Posta

September 12, 2016 | 9:15

Ndihem e frikësuar për fëmijët e mi

Tre vjet më parë humba vajzën time në javën e 23- të të shtatzënisë. Gjithçka ndodhi kaq papritmas saqë nuk pata kohë të kuptoja se ç’po ngjante. Tani kam edhe tre fëmijë të tjerë. Një 18-muajsh dhe dy binjakë 4-muajsh. Pas një bisede me fqinjët, më lindi një ndjenjë e fortë ankthi se mos humbisja fëmijët që kam. Mendimi që më rreh gjithë kohës në kokë, mjafton një erë e fortë dhe mund t’i humbas nga çasti në çast. Si ta shpëtoj veten nga ky ankth?

Nga Denata Toçe Psikologe Këshillimi

Nga Denata Toçe
Psikologe Këshillimi

Humbja e një fëmije është një ndjenjë e fortë dëshpërimi. Nënat, të cilat e kanë provuar, vendosen në vigjilencë për ardhmërinë e një shtatzënie të dytë dhe kujdes deri në tepri për fëmijët e lindur shëndetshëm. Kjo është një ndjenjë tipike pas një humbjeje, e rëndësishme është që ajo të mos pengojë funksionimin normal në jetën e përditshme. Të krijoni sisteme mbrojtjeje, të cilat mendoni se i kontrolloni, por duke qenë vështirë për t’u kontrolluar, kthehen në situata ankthi, të cilat në vetvete janë irracionale. Me këtë dua të them se ne nuk i kemi situatat e së ardhmes në dorë, sikurse ju nuk kishit në dorë humbjen e vajzës suaj përpara se të lindte. Jam e sigurt që ju keni treguar kujdes shumë të madh deri në javën e 23-të, thjesht këto episode mund lehtësisht të futen te kategoria e aksidenteve. Janë situata të zakonshme te shumë gra, edhe pse humbja në vetvete është tragjike. Jam e sigurt se gjithashtu ju keni kujdes të mirë për fëmijët aktualë dhe se i doni fort ata. Sikur të mendonit çdo ditë se mos i humbisni, a nuk do t’ju vinte më shumë keq se koha kalon shpejt dhe s’po i gëzoni teksa mendoni se mos i humbisni? Po sikur të mendoni që i keni aty pranë, shëndosh e mirë e gjithë jetë dhe mezi presin të shikojnë fytyrën tuaj dhe dëgjojnë zërin e ëmbël të nënës? Gëzojuni çdo ditë prezencës së tyre, jepuni dashurinë që ju buron kaq natyrshëm dhe pjesën tjetër, të gjysmës së gotës bosh, mos e mendoni. A nuk mjafton një humbje që kishit për ta trishtuar jetën tuaj? Të tjerat gëzojini si bekime, të cilat meritoni t’i keni për një kohë të gjatë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top