Dëshira më e madhe prindërore është të ketë një fëmijë të përgjegjshëm, i cili të arrijë çelësin e suksesit në shkollë, dhe kjo gjë kontribuon në zhvillimin e tij në tërësi. Faktori më i rëndësishëm që kontribuon dukshëm në procesin e zhvillimit si emocional, kognitiv, sjellor është prindi.
Mënyra se si prindërohet dhe stili i prindërimit apo praktikat prindërore që përdoren, janë determinante në zhvillimin e ndjenjës së përgjegjësisë te fëmija. Në ditët e sotme, impakti i teknologjisë dhe rrethit social ndikojnë në psikologjinë e fëmijës, por prindërit duhet të krijojnë modele pozitive që këto të ndikojnë pozitivisht në psikologjinë e tij. Por se si duhet t’i mësosh fëmijës përgjegjësinë, lind e nevojshme që kjo të zhvillohet natyrshëm. Por unë do të ndalesha në disa pika:
Rritja e fëmijës në një mjedis stimulues nënkupton se të dy prindërit duhet të ndërveprojnë ngushtësisht me njëritjetrin. Zhvillimi i lojrave të ndryshme me qëllim çlirimin emocional të fëmijës duhet të realizohet konform disa limiteve. Por përgjegjësia mësohet sipas modeleve që u jepen fëmijëve, prindërit kanë impakt thelbësor në stimulimin,zhvillimin dhe ruajtjen e përgjegjësive te fëmija.
Modeli prindëror ndikon në mënyrë direkte në psikologjinë e fëmijës. Për të zhvilluar përgjëgjësinë te fëmija është e rëndësishme që të ndiqni këto hapa:
Vendosja e limiteve – Çdo fëmijë ka nevojë që vazhdimisht t’i tregohen nga prindërit se rregullat janë shumë të rëndësishme që të zbatohen në shtëpi dhe jashtë kësaj. Kjo mënyrë formëson dhe e orienton fëmijën të zhvillojë ndenja përgjegjësie.
Thuaj jo – Fëmija ka nevojë që t’i thuash jo pasi kjo mënyrë ndikon pozitivisht në sjelljen e tij dhe stimulon reagime adekuate në situata të ndryshme.
Angazhoje fëmijën duke marrë mendimin e tij – Kjo është një mënyrë e mirë për ta bërë fëmijën që të përfshihet dhe angazhohet në detyra konkrete dhe kjo rrit shanset për të zhvilluar sjellje pozitive.
Vendosi dhe përforco rregullat – nënkupton se një prind duhet t’ia qartësojë rregullat brenda dhe jashtë familjës dhe të përforcojë pozitivisht sjelljet e tyre.
Nuk duhet të dalë nga vëmendja prindërore kurrsesi se sa e rëndësishme është që t’i japësh mesazhin fëmijës që është qendra e universit të prindërve. Kjo gjë do të bëjë që fëmija të fitojë siguri, të zhvillojë atashim të sigurtë, dhe kjo mbetet alfa për një fëmijë që të zhvillojë ndjesinë e përgjegjshmërisë.
Mjedisi stimulues dhe stili prindërimit janë faktorë kryesorë që kontribuojnë në zhvillimin sa më të shëndetshëm të fëmijës.
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 155
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.