Editorial

November 9, 2015 | 12:14

Ndjesi pushimesh

Nga Orjona Tresa

Udhëtarë mes arsyeve të zemrës, shpirtit dhe trupit natyrisht… Një udhëtim i përhershëm, një udhëtim imagjinar, ose një udhëtim pushimesh të shkurtra.

Nuk është dilemë. Shpesh harrojmë se ajo që jetojmë është e destinuar të na përfshijë në atë hapësirë, ku na duket sikur fluturojmë në kohë. Minutat nën akrepat e orës ikin rrëmbimthi. Të çojnë përpara, te sjellin pas. Kjo është një e vërtetë e shkruar në kohërat e lashta, një lojë themelore për të na bërë të përjetojmë atë udhëtim të pabesueshëm, që në fund të fundit është: Jeta. Në përgjithësi, motivimi konsiderohet një gjendje që përfshin nevojën e individit, që e shtyn atë në kërkim të një objekti që mund të eliminojë ose të paktën të reduktojë gjendjen negative. Akoma më thjeshtë: në përvojën turistike bëhet fjalë për motivime të shtyra në nevoja për qetësi, pushim absolut dhe të tjera arsye, siç është, dalja nga rutina me burim stresin. Ka persona që me pushime dëshirojnë të forcojnë lidhjet e saponisura apo të konsolidojnë marrëdhënien që kanë, si dhe të tjera që në fakt kërkojnë izolimin nga një realitet i caktuar, apo realizimin e dëshirave të veçanta, për shembull në kërkim të aventurave seksuale.

Nuk besoj se ka ndonjë gjë për t’u çuditur deri këtu.

Pushimet në më të shumtat e herëve, qofshin dhe fundjava, kthehen në arrati nga lodhja dhe monotonia e përditshmërisë. Në çastin e parë, larg dosjeve të mbushura me letra formati A4, ekranit rrezatues të kompjuterit, ditarit me axhendën e takimeve e shumëçka na lidh me të tej me punën. Në këtë mënyrë pushimet shndërrohen në një oaz mirëqenieje, ku çdokush i dedikohet vetes apo të dashurve të vet, duke vënë në praktikë aktivitetet e munguara dhe pasionet që i pëlqejnë më shumë dhe i gjenerojnë energji. Por a është vërtetë kështu? Natyrisht që po. Janë të rralla pushimet e pakëndshme. Ose përndryshe ato nuk quhen më pushime. Nga ana tjetër pushimet e vërteta mbi të gjitha i konsiderojmë si të forta emocionalisht dhe me një status të lartë kënaqësie. Pjesa tjetër nuk ka rëndësi.

Të marrësh pushimet nuk do të thotë thjesht të nisesh për diku, të zhvendosesh nga një vend në tjetrin, si një sinjal që mund të na kujtojë që jemi duke bërë diçka ndryshe nga rutina.

Kuptimi i pushimeve, edhe kur kalohen në shtëpi, duhet të nënkuptojë në fakt zhvendosjen e vëmendjes nga ajo që po ndodh rretheqark dhe fokusimi ndaj personave që duam, gjërave që na pëlqejnë, por s’kemi pasur mundësi t’i bëjmë. Ajo që dua të them pikësëpari është se duhet të shmangim shpërqendrimin, zhgënjimin nga emocionet, arratisjen nga kontaktet me vetveten apo me të tjerët. Në vlerësim të mirëqenies mendore, pushimet janë rasti i duhur i rritjes, përkujdesjes së përkryer dhe shkatërrimit të rutinës, duke e mbajtur mendjen hapur, elastike e kureshtare, gati për të zgjedhur aspekte të reja që na prezantohen. Aftësi që mund të jenë të dëshirueshme si dimension i rëndësishëm i jetës.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top