Në fokus

January 30, 2021 | 8:12

Ndryshimet që ndodhin në trurin e nënave të reja, pasi sjellin në jetë një fëmijë

Ka shumë ndryshime që ndodhin në trupin e një nëne të re pas lindjes. Ngjyra dhe struktura e flokëve të tyre mund të ndryshojë, ushqimet që dikur i donin papritmas mund të fillojnë të marrin shije të neveritshme. Dhe së bashku me trupin, mendja pëson gjithashtu disa ndryshime. Ja çfarë ndodh në trurin e nënave pas lindjes:

Truri është i “përmbytur” me hormone që ju bëjnë të ndiheni mirë.

Pasi gratë lindin, ato kalojnë kohë me foshnjat e tyre, dhe studiuesit analizuan se si truri reagon ndaj këtij bashkëveprimi, veçanërisht ndaj të qarave dhe buzëqeshjeve të foshnjave. Kur një nënë e re sheh fëmijën duke buzëqeshur ose qeshur, truri i saj merr një numër të madh “kimikatesh” që e bëjnë të ndihet mirë.

Për shembull, qysh gjatë shtatzënisë, ajo fillon të marrë doza të oksitocinës, “hormonit të dashurisë” dhe dopaminës, hormonit të shpërblimit. Studiuesit thonë se kjo e bën një nënë të re të kuptojë nevojat e foshnjës dhe t’i përgjigjet më mirë atyre. Ushqimi me gji gjithashtu i ndihmon ato të lidhen me foshnjën.

Mund të keni “lëndën gri”, por nuk ka asgjë të keqe.

Studimet kanë treguar që lënda gri në disa zona të trurit të nënës së re bëhet më e vogël dhe ky ndryshim qëndron deri në 2 vjet pas lindjes. Humbja e lëndës gri mund të tingëllojë keq, por studiuesit në fakt kanë vërejtur se për shkak të kësaj, nënat janë në gjendje të ndjehen më të lidhura me foshnjat e tyre, dhe gjithashtu ndiejnë më pak emocione negative ndaj tyre.

Pra, ky ndryshim në materien gri zhvendos vëmendjen e nënës nga njerëzit e tjerë tek foshnja, duke e ndihmuar atë t’i kuptojë më mirë, si për shembull të interpretojë gjuhën e trupit të tyre. Studiuesit thonë se kjo ndodh, sepse truri heq qafe lidhje të caktuara midis qelizave të trurit në mënyrë që të formohen lidhje të reja, të cilat janë më të rëndësishme për kujdesin ndaj foshnjës. Truri bëhet më i organizuar dhe mund të përpunojë informacione kritike në mënyrë më efektive, si për shembull nëse foshnja duhet të mbrohet nga një lloj kërcënimi.

Kujtesa është po aq e mirë sa dikur.

Disa gra pohojnë se kujtesa e tyre u përkeqësua pas lindjes dhe se shpesh i harrojnë gjërat. Megjithatë, sipas hulumtimit, nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Aftësitë njohëse të grave nuk bien pas lindjes. Harresa mund të shpjegohet me faktin se truri i një nëne të re është më i përqendruar në nevojat e foshnjës dhe detyrat që lidhen me to. Dhe për shkak se një i porsalindur kërkon shumë kohë dhe vëmendje, është e kuptueshme që gjërat më pak të rëndësishme të kalojnë në plan të dytë.

 

 

Burimi / Panorama Online

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top