Marrëdhënie

October 2, 2020 | 8:12

Në mendjen e një narcisisti… të uritur për t’u “mbushur” dhe vlerësuar nga të tjerët

Narcisistët “e duan” imazhin e tyre të pasqyruar në sytë e të tjerëve. Është një keqkuptim i zakonshëm që narcisistët e duan veten e tyre. Ata në të vërtetë nuk e duan jashtëzakonisht shumë veten. Adhurimi, përsosmëria dhe arroganca e tyre janë vetëm mbulesa të vetpërfilljes që ata nuk i pranojnë, zakonisht as për veten e tyre, por që nga jashtë projektohet dhe kthehet në përbuzje dhe kritikë ndaj të tjerëve. Narcisistët kanë shumë frikë të shikojnë nga brenda, sepse besojnë se e vërteta që ata do të gjenin do të ishte shkatërruese. Emocionalisht, ata kanë vdekur brenda dhe janë të uritur për t’u “mbushur” dhe vlerësuar nga të tjerët. Fatkeqësisht, ata nuk janë në gjendje të vlerësojnë dashurinë që marrin ose që u japin atyre.

Kur mendojmë për narcizistët, ne zakonisht përshkruajmë njerëz me ego të mëdha, të fryra, ngacmues dhe arrogantë që gjithmonë duan të kenë të drejtë. Për të marrë një diagnozë të Çrregullimit të Personalitetit Narcisist (NPD), personi duhet të tregojë madhështi (qoftë edhe vetëm në fantazinë e tij) dhe mungesë ndjeshmërie, siç tregohet nga të paktën 5 nga tiparet e mëposhtme:

  1. Ka një ndjenjë të madhe të rëndësisë dhe madhështon arritjet dhe talentet.
  2. Ëndërron të ketë fuqi të pakufizuar, sukses, bukuri ose dashuri ideale.
  3. Beson se është i veçantë dhe unik dhe mund të kuptohet vetëm nga njerëzit e tjerë të veçantë.
  4. Kërkon admirim të tepruar.
  5. Ai pret në mënyrë të paarsyeshme trajtim të veçantë dhe respekt absolut për dëshirat e tij.
  6. Ai përdor të tjerët për të arritur qëllimet e tij personale.
  7. Mungon ndjeshmëria ndaj ndjenjave dhe nevojave të të tjerëve.
  8. Ka zili të tjerët ose mendon se u ngjall atyre zili.
  9. Ka sjellje arrogante.

Përveç “Narcisistit Ekspozicionist” të përshkruar më sipër, James Masterson identifikoi një nëntip me një ndjenjë të vetes si joadekuate, një ndjenjë depresioni dhe boshllëku të brendshëm. Pacientët që i përkasin këtij nëntipi njihen gjithashtu si narcisistë të fshehtë. Ata mund të duken të ndrojtur, të përulur ose të shqetësuar, sepse investimi i tyre emocional është i idealizuar te tjetri, i cili shpërblen indirekt. Nga ana tjetër, narcistët malinjë janë pjesë e një nëntipi tjetër që manifeston sjellje antisociale dhe armiqësore. Ata mund të jenë mizorë dhe hakmarrës kur ndihen të kërcënuar ose nuk marrin atë që duan

Është e vështirë të kesh ndjeshmëri me narcisistët, por, thellë-thellë, asnjë narcisist nuk ka zgjedhur të jetë i tillë. Zhvillimi i tij natyror është vështirësuar nga prindërit joadekuat, zakonisht nga një nënë që nuk ka siguruar kujdes të mjaftueshëm ose që nuk ka arritur të lidhet me të. Disa besojnë se shkaku qëndron në afërsinë ekstreme të një nëne indulgjente, ndërsa të tjerët ia atribuojnë ashpërsisë ose kritikës ndaj prindërve. Megjithëse nevojiten më shumë kërkime, studimet e binjakëve homozigotë kanë zbuluar një korrelacion prej 64% të sjelljeve tipike narcistike, duke sugjeruar që çrregullimi të ketë një përbërës gjenetik.

Psikoanalisti Heinz Kohut vuri re se pacientët e tij narcistë vuanin nga tjetërsimi i thellë, zbrazëtia, pafuqia dhe pakuptimësia. Nën një fasadë narcisiste, mungonin strukturat e brendshme për të ruajtur kohezionin, stabilitetin dhe një imazh pozitiv për veten, për të siguruar një identitet të qëndrueshëm.

Narcisistët janë të pasigurt për kufijtë midis tyre dhe të tjerëve dhe lëkunden midis gjendjeve përçarëse në të cilat dominon inferioriteti dhe gjendjeve në të cilat mbizotëron madhështia. Egoja e ndarë nga turpi përbëhet nga vetja madhështore që vepron me epërsi dhe vetja e ulët që ndihet e zhvlerësuar. Kur mbizotëron vetja e zhvlerësuar, turpi shfaqet duke idealizuar të tjerët. Kur mbizotëron vetja madhështore, ajo rreshtohet me kritikën e brendshme dhe zhvlerëson të tjerët përmes projeksionit. Si zhvlerësimi, ashtu edhe idealizimi janë në përpjesëtim me ashpërsinë e turpit dhe depresionin shoqërues.

Arroganca dhe përbuzja, zilia, tërheqja, mohimi dhe shtypja, agresioni dhe zemërimi, projeksioni (fajësimi ose akuzimi i të tjerëve për gabimet ose veprimet e dikujt), keqardhja ndaj vetvetes dhe shmangia (p.sh. sjelljet e varësisë) janë të zakonshme në pacientët narcisist (Lancer, 2014). Narcisistët gjithashtu mbrojnë veten nga turpi dhe copëzimi duke u ndjerë të veçantë përmes idealizimit ose identifikimit me njerëz të veçantë ose të rëndësishëm.

Në shtëpi, narcistët janë krejtësisht të ndryshëm nga personaliteti i tyre publik. Ata mund të denigrojnë privatisht njerëzit me të cilët shoqërohen. Ata presin që partneri t’i vlerësojë dhe t’i konsiderojë të veçantë. Marrëdhëniet vërtiten rreth tyre dhe e përjetojnë partnerin si zgjatim të vetvetes.

Shumë narcistë janë perfeksionistë. Një narcist pret që partneri të plotësojë nevojat e tij gjatë gjithë kohës – dhe kur kjo nuk ndodhë ai bëhet agresiv dhe tërhiqet. Nëse partneri është në telashe apo ka dhimbje është e parëndësishme. Narcisistët nuk pëlqejnë kur u thuhet “Jo” dhe shpesh presin që të tjerët të dinë nevojat e tyre pa pasur nevojë t’i shprehin ato. Ata manipulojnë që gjërat të ndodhin, pasi mendojnë se kanë të drejta dhe i dënojnë ose i bëjnë partnerët të ndihen fajtorë për refuzimin e tyre.

Partnerët duhet të përshtaten me botën e ftohtë të narcistëve dhe të mësohen të jetojnë me ndjenjën e të qenurit emocionalisht vetëm. Së shpejti ata fillojnë të dyshojnë në vetvete, humbin besimin dhe vetëvlerësimin. Komunikimi i zhgënjimit të tyre shtrembërohet nga narcisisti si një sulm vdekjeprurës ose kritikë e rëndë. Narcisisti zakonisht hedh poshtë kritikat dhe kurrë nuk vë në dyshim veten e tij. Megjithatë partnerët qëndrojnë sepse periodikisht narcisisti, veçanërisht kur ndihet i kërcënuar nga një prishje e afërt, tregon sharmin, karizmën dhe gjestet magjepsëse. Kur dy narcistë i afrohen njëri-tjetrit, ata zihen për nevojat e tyre, fajësojnë njëri-tjetrin dhe largohen, megjithatë ata kanë nevojë për njëri-tjetrin.

Shpesh në këto marrëdhënie, narcistët janë ata që distancohen kur partneri kërkon më shumë sesa seksi. Të afrohesh emocionalisht për një narcisist do të thotë të heqësh dorë nga pushteti dhe kontrolli. Mendimi për të qenë i varur është i neveritshëm për të. Jo vetëm që i kufizon opsionet e tij dhe e bën atë të ndjehet i dobët, por gjithashtu e ekspozon atë ndaj refuzimit dhe ndjenjave të turpit (Lancer, 2014). Partnerët e tyre të shqetësuar i ndjekin ata, duke nxitur në mënyrë të pavetëdijshme braktisjen e mundshme emocionale që përjetuan në të kaluarën e tyre të largët. Nën sipërfaqe, narcisistët dhe partneri i tyre ndihen të padashur.

Të duash një narcisist mund të jetë një përvojë shkatërruese emocionale. Për këtë arsye është mirë të jemi të kujdesshëm dhe të matur në fazën fillestare të marrëdhënies dhe të vlerësojmë nëse kjo lloj përvoje është me të vërtetë ajo që duam për veten.

 

Burimi / https://www.milanopsicologo.it/

 

Bibliografia
Lancer, D. (2014). Conquering Shame and Codependency: 8 Steps to Freeing the True You. (link is external)Minnesota: Hazelden Foundation.
Livesley, W. J., Jang, K. L., Jackson, D. N., & Vernon, P. A. (1993 December). “Genetic and environmental contributions to dimensions of personality disorder.” The American Journal of Psychiatry 150 (12) , pp. 1826-31.
Masterson, J. F. (2004). A Therapist’s Guide to the Personality Disorders: The Masterson Approach: A Handbook and Workbook. Phoenix, Az.: Zeig, Tucker, & Theisen, Inc.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top