Mirëqenie

October 5, 2020 | 8:07

Në përpjekje për të shpëtuar veten… Gjithçka është vetëm në mendjen time

Nga shënimet e një psikologeje…

Juliana Dulla, Master Shkencor, psikologe këshillimi, psikoterapiste EMDR, Niv.1

Juliana Dulla, Master Shkencor, psikologe këshillimi, psikoterapiste EMDR, Niv.1

E gjitha filloi me lajmin, “u vetëflijua dikush sepse vuante nga depresioni”, “u hodh dikush nga ballkoni sepse ishte përdorues i  substancave narkotike”, “një nënë mbyti fëmijën” etj.

Lajme të tilla, të shpeshta, ndikuan emocionalisht tek unë. Fillova të mendoj “po sikur edhe unë të prekem një ditë nga çrregullimet mendore dhe të arrij në akt vetëflijimi”???

Me sa shoh, askush nuk qenka imun ndaj këtyre çrregullimeve.

Fillova të kem frikë për fëmijët kur nuk më përgjigjeshin me zilen e parë, gjithashtu për bashkëshortin, prindërit e të gjithë afërmit e mi. Çdo ditë e më shumë ekzagjeroja, çdo situatë e ktheja në alarm dhe ndërkohë frymëmarrja ime fillonte e shteronte, gati mbytesha. Nuk u afrohesha dritareve apo ballkoneve, më dukej sikur do hidhesha. Kisha frikë të përkëdhelja fëmijët sepse më dukej sikur do i lëndoja. Nuk i qortoja më për ndonjë gabim, mendoja, ndoshta s’do i shoh më dhe mos të më kujtojnë për të keqe. Dyshoja çdo fjalë apo sjellje të tyren, sepse në mendjen time besoja që edhe ata mund të dëmtonin veten. Si për fatin e keq u sëmura nga një infeksion i lehtë, por që në mendjen time isha me Sida!

Lexoja pa fund dhe qaja, edhe pse isha e sigurt për veten time apo tim shoq, e gjithsesi besoja që ndonjëherë është fat, nuk do të thotë ta marrësh këtë sëmundje diku tjetër, ndoshta kam qenë e predispozuar ose kam qenë me hepatit B. Bëra vizitë mjekësore dhe mjeku tha: “Nga të erdhi kjo ide?. Nuk ke asgjë për t’u shqetësuar, është një infeksion i lehtë që pothuaj çdo grua e ka hasur”.

Shkurt nuk e besova! Në kokën time unë vuaja nga Sida! Një natë, në shtëpi më kapi ankthi papritur, këmbët më mpiheshin, shkoja në tualet çdo pesë minuta. Diku nga mesi i natës mbyllem në tualet duke qarë, pasi pata të vjella me një ngjyrë jeshile, e pashë veten në pasqyrë të shpërfytyruar dhe vetja ime nuk m’u duk si unë. U betova se do luftoj me këto mendime dhe që fitimtarja do isha unë, jo mendimet negative!

Dhe ja ku jam sot, këtu, përpara teje… e çuditërisht këtë përmbledhje mendoja që do ta thoja në seancën e parë e jo sot, por më beso, nuk është aq e lehtë të flasësh për çmenduritë që ndodhën në kokën tënde. Ato janë aty kundër dëshirës time dhe më duket sikur më sfidojnë sa herë më ndërhyjnë në mendje, ndjej që vetja ime më ka shpallur luftë. Duhet guxim të “hapësh veten” tek dikush tjetër, ka gjëra që të duken çmenduri apo turp edhe kur ia thua edhe vetes”.

Sot kisha nevojë të flisja pa ndërprerje, sepse ndoshta, ashtu qëllimisht të mund të lija ndonjë gjë pa thënë… Faleminderit!

Juliana, meqë ti ndonjëherë shkruan, a mund të përmbledhësh gjithë sa thashë në një shkrim? Ndoshta dikush ka nevojë të mos ndihet vetëm në atë që po vuan.”

Patjetër “Ana”!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top