Mirëqenie

September 15, 2016 | 5:54

Në punë pas pushimeve, rivlerësoni të mirat që keni

Me admirim e ngazëllim prite ditën e ardhjes së pushimeve! Më në fund, ia dole të shkëputesh nga rutina ditore, nga angazhimet gjithëpërfshirëse dhe përgjegjësitë shumëdimensionale! E gjithë kjo dëshirë për të pushuar vjen natyrshëm si një domosdoshmëri për të përfituar një ndryshim pozitiv, në favor të çlodhjes fizike dhe psikologjike. Por, ashtu si çdo gjë e bukur e ka një fund, edhe ty të erdhi koha t’u thuash mirupafshim pushimeve të gjata dhe të rikthehesh në punë, e të përfshihesh në çdo proces dhe dinamikë të saj. Por ndoshta nuk je ende gati të fillosh përsëri me të njëjtat gjëra. Mund të jesh ende e përhumbur në qetësinë e ditëve të mrekullueshme të pushimeve, e të duket sforcim të rinisësh punën. Je “dembelosur” dhe mendon se është më mirë të të tërheqë një vinç se sa t’i urdhërosh këmbët e tua të bëjnë para. Afërmendsh që vetëm mendimi që do të fillojë ngarkesa, e detyrat po të presin për t’u zbatuar, e ku objektivat duhen arritur, të gjitha këto të krijojnë një ndjenjë mërzitjeje. Gjithashtu, koha e përcaktuar e qëndrimit në punë do të kufizojë lirinë, më të shtrenjtë gjë që të dhuruan ditët e pushimeve. Ndaj instinktivisht edhe rikthimi në punë shoqërohet shpeshherë me një gjendje të lehtë stresi. Pra, të fillosh detyrat nga e para mund të jetë një burim pakënaqësish, pasi e gjithë kjo kërkon ndryshim të ritmit ditor duke dalë nga zona e rehatisë.

Si të përshtatemi dhe të gjejmë mënyrat e duhura për t’i marrë gjërat me qetësi?

• Për këtë duhet ta përgatisësh veten psikologjikisht përpara se të nisësh ditën e parë të punës. Gjithashtu duke pasur ide pozitive, si pirja e kafesë së mëngjesit me kolegët e preferuar, ka gjasa ta rrisë dëshirën për të shkuar në punë.

• Realiteti i ri fillon që me zgjimin herët duke u vetëmotivuar për të pasur një ditë aktive. Sado që po përballesh me një ndryshim nga një ambient i hapur (natyrë, det) në ambient të mbyllur (zyrë), nga zgjimi vonë në zgjimin herët, nga qetësia totale në aksion për pikat që duhen zbatuar, duhet menduar që shefi/shefja nuk janë gjithmonë të predispozuar të tolerojnë, sigurisht që në të shumtën e rasteve nuk kanë formimin e një psikologu, pak i interesojnë këto procese me të cilat ti duhet të ballafaqohesh suksesshëm, pasi ajo/ai do produktin final që është rezultati i punës.

• Është shumë normale të mërzitesh ditët e para, e mezi t’i kapërcesh orët. Duke qenë i ndërgjegjshëm për këtë gjë, e duke i marrë gjërat me qetësi, duke krijuar një ambient të këndshëm rreth vetes, bëhet më e mundur përshtatja.

• Gjithashtu, duke sjellë ndër mend se sa me fat je që je i/e punësuar, të bën të rivlerësosh atë që ke, pasi dihet se sa me vështirësi është të gjesh një punë në ditët e sotme, por dhe ta mbash atë.

• Veshja është mirë të përgatitet që në mbrëmje, që të fitosh kohë dhe të flesh mirë e ta kesh syrin të ngopur me gjumë për të filluar ditën plot energji e pozitivizëm.

• Pasi të kesh nisur ditën e parë, fillo gradualisht me detyrat që duhen kryer. Mendo rreth diçkaje të bukur që do bësh pasdite apo në mbrëmje, pse jo mund të planifikosh edhe fundjavën, duke e motivuar veten me mendime pozitive.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top