Psikofakt

September 15, 2016 | 6:16

Ah, mbaruan pushimet…

Le ta themi që në krye të herës dhe pa mëdyshje: kthimi nga pushimet është shkurajues. Në mos ligështues. Në mos, edhe më keq, deprimues. Sidomos kur kemi kaluar pushime të gëzuara, këndellëse, gjatë të cilave veprimtaritë e lirshme e gjallëruese (pra, që, ndër të tjera, s’kanë të bëjnë aspak me profesionin) janë kombinuar këndshëm me atë që italianët e quajnë “il dolce far’ niente”. Madje, ende pa mbaruar mirë pushimet, mendimi që të pasnesërmen ose të nesërmen do të kthehemi në qytetin e pluhurosur, e vaposur, e ndotur për të rifilluar punën ashtu si një Sizif që rrokullis tërë jetën gurin e tij drejt majës së malit, pra, vetëm ai mendim na i pret krahët dhe na e prish deri diku humorin. Në këto momente, edhe sikur të projektohemi drejt së ardhmes e të ngushëllohemi duke i thënë vetes se pas një viti do të pushojmë ndoshta më mirë e më bukur, përsëri ndjesia e një ankthi tinëzar nuk na shqitet.

Nga Edmond Tupja

Nga Edmond Tupja

Pushimet janë si dashuria: çastet më të bukura janë ditët kur ne përgatitemi të shkojmë me pushime: udhëtimi, dielli, deti, malësia, moskokëçarja, njëfarë teprie e mospërmbajtje elegante në disa drejtime; vishemi, flasim, qeshim madje dërdëllisim ku e kur të na shkrepet; të bukura gjithashtu ditët e netët e pushimeve, me përjashtim, siç sapo e theksuam, ato të fundit fare, jo se jemi të velur nga monotonia apo rutina e tyre shpërfillëse, porse kthimi në monotoninë dhe rutinën e pamëshirshme profesionale, na bëhet, deri diku, burim ankthi, madje edhe nervozizmi që nuk dimë mbi kë ta shfryjmë ose, në rastin më të mirë, nuk duam ta shkarkojmë te njerëzit që kemi pranë, sepse nuk janë ata përgjegjës për gjendjen tonë shpirtërore pas përfundimit të pushimeve. Ky mekanizëm, pra, i kalimit nga euforia në disfori, por edhe i anasjelli, do të na përsëritet çdo javë: A nuk e kemi vënë re se, shpesh, çdo të enjte në darkë ndiejmë një si gëzim fillimisht të pashpjegueshëm? Kjo ndodh jo rrallëherë, sepse të premten pasdite fillon fundjava që do të zgjasë deri të hënën në mëngjes dhe ne do ta “stakojmë trurin” e do të dalim jashtë qytetit për të udhëtuar drejt detit apo malit, shtendosjes e shkrydhjes, larg shefave e vartësve, fqinjëve të bezdisshëm dhe automjeteve të zhurmshëm e ndotës, për të lajthitur lirshëm në mendime e deri diku në veprime. Por ja që, për të na e prishur shijen e mirë të arratisë fundjavore, vjen e diela pasdite dhe kthimi në shtëpi. O zot sa shkurajuese, ligështuese, madje haptas deprimuese janë pasditja dhe darka e së dielës, sepse na pret e hëna e pamëshirshme! Ka shumë të ngjarë që, statistikisht, numri i orvatjeve, qoftë imagjinare ose embrionare, për vetëvrasje të jetë më i lartë të dielave pasdite ose në darkë! Ndoshta të njëjtin hamendësim mund ta bëjmë edhe për periudhën fill pas pushimeve. Sigurisht, ky hamendësim vlen për ata që kanë një punë, të ardhurat nga e cila u japin mundësi të shkojnë me pushime. Sepse, tërë ky shkrim zhvleftësohet kur bëhet fjalë për ata që e kanë të pamundur të shkojnë e të pushojnë qoftë edhe në mënyrën më modeste. Kjo kategori njerëzish fatkeq nuk e njeh kalimin nga euforia e pushimeve në disforinë e kthimit në shtëpi dhe anasjelltas. Ajo njeh vetëm ankthin ekzistencial, pra, dramatik, para të cilit ankthi i kthimit nga pushimet është vërtet qesharak.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top