FB

February 24, 2021 | 8:01

Në shkollë hyjnë për t’u kuptuar dhe jo për të studiuar… Të njohim të drejtat e fëmijëve me aftësi të kufizuara në arsim!

 

Nga Ejona Grozha, psikologe ligjore

 

Çdo fëmijë me aftësi të kufizuara, duhet të jetojë mes fëmijëve të tjerë që të kuptojë dhe të kuptohet. Asnjë metodë, asnjë teknikë dhe asnjë ushtrim nuk mund të zëvendësojë raportin njerëzor, prandaj duhet mbështetur integrimi dhe gjithpërfshirja e tyre në arsim.

Një fëmijë me aftësi të kufizuara, i integruar apo i gjithpërfshirë në sistemin arsimor, së pari është një sfidë që duhet të përmbushet deri në fund, është një përgjegjësi për të gjithë sepse ai duhet të shndërrohet në një individ të aftë për t’u rritur, zhvilluar dhe për të patur raporte me të tjerë. Duke e konsideruar zhvillimin e fëmijës shumë dinamik dhe kompleks, arrijmë në përfundimin se, çdo fëmijë ka nevojë në mënyrë sistematike dhe të vazhdueshme për edukim, arsimim dhe socializim pranë bashkëmoshatarëve të tij në të njëjtat kopshte e shkolla.

1

Shqipëria është një nga nënshkrueset e para të Konventës për të drejtat e fëmijës. Një ndër kërkesat e shtruara qartë për vendet që kërkojnë të anëtarësohen në Komunitetin Europian është edhe përmbushja e të drejtës për arsimimin e të gjithë fëmijëve pa asnjë lloj dallimi pavarësisht nga aftësia e kufizuar apo nevojat speciale që ata kanë.

Dy janë arsyet kryesore përse këta fëmijë duhet të mësojnë në shkollat e zakonshme me bashkëmoshatarët. 

E para, sepse shoqërizimi nxit zhvillimin e tyre. 

E dyta, sepse nxjerr në pah mundësitë që kanë. 

Shoqërizimi me pjesën tjetër të shoqërisë është aspekti i mohuar në edukimin special, prandaj këtij aspekti i është dhënë rëndësi parësore për arritjet e fëmijëve me aftësi të kufizuara. Gjithëpërfshirja është një proces nëpërmjet të cilit arrihet që të gjithë fëmijët të përfshihen dhe të marrin pjesë në mënyrë efektive në procesin mësimor. Gjithëpërfshirja është një term i lidhur ngushtë me diversitetin. Merr në konsideratë ndryshimet që ekzistojnë ndërmjet fëmijëve: moshën, gjininë, pasurinë, aftësinë e kufizuar, kulturën, fenë, vendbanimin, statusin shëndetësor, social dhe etik. Gjithëpërfshirje do të thotë njohje dhe pranim i ndryshimeve mes fëmijëve dhe përdorim pozitiv i këtij fakti për të siguruar një zhvillim dhe edukim cilësor për të gjithë ata. 

Realizimi i procesit të gjithëpërfshirjes së fëmijëve me aftësi të kufizuara në arsim bën të mundur: Krijimin e një “kulture” që nënkupton vlerësimin, pranimin dhe mbështetjen e diversitetit të fëmijëve.

 

E drejta e fëmijëve me aftësi të kufizuara për arsim gjithëpërfshirës

Reduktimin e stigmës dhe të paragjykimeve që ekzistojnë për arsimimin dhe mundësitë e fëmijëve më aftësi të kufizuara në shkollë.

Krijimin e besimit se fëmijët me aftësi të kufizuara kanë kapacitete dhe aftësi që mund të çojnë drejt asimilimit të programit mësimor brenda mundësivë të tyre. 

Ngritjen dhe konsolidimin e një sistemi arsimor bashkëkohor, pjesë e të cilit do të jenë dhe fëmijët me aftësi të kufizuara. 

Përmes realizimit të arsimit gjithëpërfshirës fëmijët me aftësi të kufizuara kanë mundësi të mësojnë në të njëjtat shkolla sikurse edhe bashkëmoshatarët e tyre. Ata mësojnë dhe zhvillohen si të gjithë fëmijët e tjerë, pavarësisht nga ndryshimet individuale që ata mund të kenë. Kanë shanse të zhvillojnë aftësi dhe kapacitete individuale, duke dalë në pah vlerat e tyre.

Në shkolla gjithëpërfshirëse fëmijët me aftësi të kufizuara ndjehen të respektuar, të vlerësuar dhe të konsideruar për atë çka përfaqësojnë, për kapacitetet që disponojnë, dhe për vlerat që mbartin.

Në raport me fëmijën me aftësi të kufizuara, shkolla duhet konsideruar si një nyje sociale, si një pikë takimi që e vendos fëmijën përballë një realiteti, i cili në një mënyre ose tjetër, do të sjellë transformim, ndryshim pozitiv në jetën e fëmijës dhe familjes së tij dhe të komunitetit ku ai jeton.

Fëmijët me aftësi të kufizuara duhet “të hyjnë” në shkollë “për t’u kuptuar dhe jo për të studiuar” për “t’u ndihmuar dhe jo për t’u vënë në disiplinim apo regjim të fortë”. Shkolla është “pikë kyçe” dhe “nyjë sociale” për arsimimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara.

Brenda shkollës krijohet dhe strukturohet “një lidhje e veçantë” ndërmjet komunitetit shkollor dhe fëmijës me aftësi të kufizuara. Kjo lidhje i jep vlerë dhe rëndësi “procesit të arsimimit dhe socializimit të fëmijës me aftësi të kufizuara në jetën shkollore dhe atë sociale. Ky socializim në shkollë, më vonë ndërton një shoqëri për të gjithë. Në këtë mënyrë funksioni i shkollës çon drejt nevojës për të krijuar “njerëz”, për të zhvilluar individë dhe për të rritur personalitete edhe pse në pamje të parë duken “të ndryshëm”apo “të veçantë”. Ky proces nuk mund të realizohet pa mbështetjen shumëplanëshe të organizmave qeveritarë, pa pjesëmarrjen e koordinuar të familjes dhe të ambientit shoqëror ku fëmija jeton, pa tolerancën dhe mbështetjen e shoqërisë dhe komunitetit.

2

Neni 24 (Arsimi) i Konventës njeh të drejtën për arsimimin e personave me aftësi të kufizuara, pa diskriminim dhe në bazë të mundësive të barabarta. 

Shtetet nënshkruese do të garantojnë një sistem arsimor përfshirës në të gjitha nivelet, duke përfshirë edhe arsimin gjatë gjithë jetës duke synuar: 

 

Zhvillimin e plotë të potencialit njerëzor dhe ndjenjës së dinjitetit dhe vetëvlerësimit, fuqizimin e respektit për të drejtat dhe liritë themelore të njeriut dhe të ndryshmes te njerëzit; 

Zhvillimin nga ana e personave me aftësi të kufizuara të personalitetit, talenteve dhe kreativitetit të tyre, si edhe të aftësive të tyre mendore dhe fizike, me potencialin e tyre të plotë; 

Mundësimin që personat me aftësi të kufizuara të marrin pjesë në mënyrë efektive në një shoqëri të lirë.

Arsimi është njëkohësisht një e drejtë njerëzore dhe një mjet i domosdoshëm për realizimin e të drejtave të tjera njerëzore. Si një e drejtë që mundëson forcimin e kapacitetit të personave, arsimi është mjeti kryesor me të cilin të rriturit dhe fëmijët e margjinalizuar ekonomikisht dhe në shoqëri mund të shpëtojnë veten nga varfëria dhe të mësojnë mënyra për pjesëmarrje të plotë në komunitetet e tyre.

Për më tepër, ky lloj arsimimi ka disa karakteristika themelore:

të jenë në dispozicion (institucionet arsimore që ofrojnë arsim cilësor duhet të jenë në dispozicion dhe të jenë të mjaftueshëm), 

qasja (fizike dhe ekonomike, të jenë në dispozicion për të gjithë pa diskriminim),

të jenë të pranueshëm (forma dhe substanca, metodat e mësimdhënies duhet të jenë relevante, të përshtatshme nga ana kulturore dhe të një cilësie të mirë) 

përshtatshmëria (fleksibile në përshtatjen me nevojat e shoqërive të cilat vazhdimisht ndryshojnë.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top