Editorial

February 6, 2018 | 14:31

Nëna e divorcuar: Kush do t’i ushqejë fëmijët e mi?

Një temë mjaft e prekshme dhe me tendencë në rritje është ajo e divorcit. Janë të shumta rastet që regjistrohen në gjykatë. Një ndër to ishte dhe rasti i transmetuar ditën e sotme në emisionin “Rreze Dielli”.

Një zonjë, identiteti i së cilës nuk bëhet i ditur, por është quajtur “Shpresa” ka treguar problemin e saj. Ajo ka 5 vite që është divorcuar dhe që prej 5 vitesh fëmijët e saj nuk kanë përfituar pensionin ushqimor që është i detyrueshëm dhe i nevojshëm për rritjen e tyre. Shpresa na tregon se nuk punon , pasi është operuar 2 herë dhe jeton vetëm me anë të një ndihme ekonomike.

Në studio ishte gjithashtu e pranishme edhe Etleva Zeqiraj, përmbaruese gjyqësore në shërbimin shtetëror. Ajo u bëri thirrje të gjithë prindërve që kanë marrë nga gjykata kujdestarinë që menjëherë pas vendimit të gjykatës të drejtohen menjëherë tek zyrat përmbarimore sepse detyrimi ushqimor mund të jepet vetëm 6 muajt e fundit, nga momenti që bën kërkesën.

Përmbaruesja sqaroi se prindit i lihen vetëm 5 ditë kohë që të paguajë detyrimin në mënyrë vullnetare. Më pas kalohet në sekuestro të pasurive private, apo edhe të orendive shtëpiake të cilat mund të konsiderohen të mira luksi.
Nëse detyruesi nuk ka asnjë të ardhur të regjistruar, atëherë bëhen verifikime nëse ai merr të ardhura nga puna në të zezë, apo nga aktivitete të paregjistruara. Ligji shqiptar parashikon që në rast mospagese të detyrimit ushqimor, aplikohet masa e arrestit me burg për personin në fjalë.

Enida Bozheku, avokate, e quan këtë ligj paradoksal. Nga studio e “Rreze Dielli” ajo tha: “Problemi i vërtetë është se midis ish-çiftit krijohen hendeqe të mëdha të cilat bëjnë që edhe pagesat të mos kryhen, pasi ish-bashkëshortët nuk duan t’i japin para nënës së fëmijëve e cila do t’i administrojë ato për rritjen dhe mirëqenien e tyre. Një problem tjetër në vendin tonë është se ka shumë prokurorë të cilët i anashkalojnë këto dosje duke i nxjerrë të pavlera, pasi mendojnë se janë problem që duhet të zgjidhen nga vetë konfliktuesit”.

“Në legjislacionin shqiptar ekziston një boshllëk i madh për rastet kur asnjë nga prindërit nuk ka të ardhura të mjaftueshme për fëmijët. E vetmja gjë që mund të bëhet është që me anë të një vendimi gjyqësor gjykata mund të aplikojë një procedurë zëvendësimi, ku pagesa për detyrimin ushqimor të bjerë mbi personat e afërm të vetë prindit, nëse ky i fundit nuk ka mundësi të paguajë”, shprehet Bozheku.

Si Shpresa janë me qindra apo mijëra nëna të cilat kanë të njëjtin problem dhe kërkojnë zgjidhje, që fëmijëve të tyre të paktën të mos u mungojë ushqimi!

 

To Top

Powered by themekiller.com anime4online.com animextoon.com apk4phone.com tengag.com moviekillers.com