Në fokus

February 6, 2018 | 13:52

Nga Lediona Braho / Pse duhet të flasim më shumë për depresionin?

Depresioni prek njerëz të të gjitha moshave, në të gjithë botën. Ai sjell vuajtje dhe ndikon te aftësia e njerëzve për të kryer punët e përditshme. Mund të ketë pasoja shkatërruese në marrëdhëniet me familjen, miqtë dhe në aftësinë për të punuar.

Depresioni mund të çojë në vetëvrasje dhe njihet si shkaku i dytë i vdekjeve te individët 15-29 vjeç. Megjithatë, depresioni mund të parandalohet dhe të trajtohet. Duke njohur më mirë se çfarë është depresioni dhe si mund të parandalohet e trajtohet, do të na ndihmojë të pakësojmë stigmën (paragjykimin) që e shoqëron atë dhe do të bëjë që më shumë njerëz të kërkojnë ndihmë.

Çfarë është depresioni?

Depresioni është një çrregullim që karakterizohet nga një trishtim i vazhdueshëm dhe nga humbja e interesit për aktivitetet nga të cilat zakonisht dikush merr kënaqësi. Njerëzit me depresion kanë shumë nga simptomat e mëposhtme:

humbje të energjisë

ndryshim në oreks

flenë më pak ose më shumë

ankth

ulje të përqendrimit

pavendosmëri

lodhje

ndjenja pavlefshmërie, faji, mungesë shprese

mendime për dëmtim të vetes ose vetëvrasje.

Kërkimet tregojnë se depresioni mund të shkaktohet nga faktorë si: gjenetika (histori familjare me depresion), ndryshimi në kiminë e trurit (neurotransmetuesit), ndryshime në nivelin e hormoneve, për shkak të sëmundjeve fizike, stresit, zisë ose rrethanave të vështira jetësore.

Pse duhet të flasim për depresionin?

Qëllimi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, përmes fushatës së vitit 2017, “Depresioni: Le të flasim”, ishte që sa më shumë njerëz me depresion, në të gjitha vendet, të kërkojnë dhe të marrin ndihmë. Të folurit për depresionin është një pjesë vitale e shërimit. Mirëpo stigma për çrregullimet mendore mbetet një barrierë për njerëzit që kërkojnë ndihmë, në të gjithë botën. Të flasësh për depresionin, qoftë me një anëtar të familjes, një mik/mike ose një profesionist; në grupe të mëdha (për shembull, në shkolla, në vendin e punës, në organizime sociale) ose në publik (në media, media sociale, blogje) – të gjitha këto ndihmojnë në thyerjen e stigmës, duke bërë që më shumë njerëz të kërkojnë ndihmë.

Në shumë vende të botës, ka pak ose aspak mbështetje për njerëzit me çregullime të shëndetit mendor. Edhe në vendet me të ardhura të larta, afro 50% e njerëzve me depresion nuk marrin trajtim. Numri i personave me depresion dhe/ose ankth është shtuar nga viti 1990 në vitin 2013 me 50 për qind (OBSh, 2017). Rreth 10% e popullatës është prekur nga njëra ose dy nga këto shqetësime. Depresioni shton rrezikun për sëmundje si diabeti dhe sëmundjet kardiovaskulare, por edhe këto sëmundje shtojnë rrezikun për depresionin.

Njerëzit duhet të informohen më mirë për depresionin, për shkaqet dhe pasojat e mundshme (përfshirë vetëvrasjen) dhe për ndihmën që mund të ofrohet për parandalimin dhe trajtimin e depresionit. Njerëzit me depresion duhet të kërkojnë ndihmë. Familja, miqtë dhe kolegët e njerëzve që jetojnë me depresion duhet të ofrojnë mbështetje.

Kush mund të preket nga depresioni?

Depresioni mund të prekë këdo, pavarësisht moshës, gjinisë ose statusit social. Tre grupet më të prekura janë: adoleshentët dhe të rinjtë, gratë që kanë lindur dhe të moshuarit (mbi 60 vjeç). Risku për t’u prekur nga depresioni rritet për shkak të varfërisë, papunësisë, ngjarjeve jetësore si vdekja e një njeriu të dashur ose një ndarje, sëmundjet dhe problemet e shkaktuara nga përdorimi i alkoolit dhe drogës. Depresioni te gratë pas lindjes së fëmijës mund të ndikojë te zhvillimi i të sapolindurit.

Depresioni mund të parandalohet dhe trajtohet

Depresioni i patrajtuar mund t’i ndalojë njerëzit të punojnë dhe të marrin pjesë në jetën familjare dhe komunitare. Depresioni mund të parandalohet dhe të trajtohet efektivisht. Trajtimi përfshin bërjen e një terapie psikologjike ose marrjen e mjekimeve (antidepresantët) ose një kombinim i të dyjave. Të flasësh me njeriun që beson mund të jetë hapi i parë drejt shërimit nga depresioni.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top