Në fokus

February 17, 2018 | 15:21

Neurolinguistika… si të komunikoni

 

Komunikimi efikas përfaqëson një nga faktorët kryesorë, që janë përgjegjës për rritjen personale. 

Shoqëria jonë thuhet se është shoqëri e komunikimit dhe në një shoqëri të tillë, të gjithë duhet të jemi në gjendje të shprehemi në mënyrë të qartë dhe efikase, duke bërë të mundur që mesazhi të shkojë te bashkëbiseduesit tanë pa gabime. Të komunikosh do të thotë të “marrësh pjesë, të bësh të përbashkët” dhe edhe “të bësh të ditur, t’i vësh të tjerët në dijeni” e deri këtu nuk ka asnjë kundërshtim, por siç thotë një fjalë e urtë: “nga e thëna në të bërë është në mes një det i tërë”. Në fakt, nuk është kaq e thjeshtë, sidomos kur hyjmë në fushën e komunikimit verbal.

Mund t’i ndodhë gjithkujt gjatë një mbledhjeje, një provimi, një debati, madje edhe para një publiku, që të dojë të shprehë qartësisht mendimin e vet, të dojë të kapë vëmendjen e bashkëbiseduesve, duke u munduar që ta kuptojnë e miratojnë, duke u munduar të marrë një përgjigje pozitive, e megjithatë, pavarësisht sforcove, ndonjëherë kjo gjë nuk ndodh. Të komunikosh nuk do të thotë vetëm të flasësh në mënyrë korrekte dhe të transmetosh një mesazh. Të komunikosh do të thotë të hysh në sintoni me tjetrin, të shkëmbesh

informata, të kesh një kontakt emotive me veten dhe me të tjerët, të dëgjosh realisht, të respektosh të drejtat dhe lirinë e atij që është përballë, të pasurohesh së brendshmi. Nuk është e mundur të rrimë pa komunikuar dhe çdo sjellje e jona është komunikim. Pikërisht për këtë arsye bëhet ekstremisht e rëndësishme të dimë të flasim në mënyrë të efektshme.

Çfarë e bën komunikimin tonë të efektshëm?

Ajo që e bën një komunikim të frytshëm janë shumë gjëra dhe jo vetëm fjalët. Studime të ndryshme kanë arritur në përfundimin se kur komunikojmë, komunikimi verbal (pra fjalët që përdorim) ka një “peshë” rreth 7%. Pjesë shumë e rëndësishme që një mesazh të jetë sa më i kuptueshëm është përdorimi i zërit tonë (rreth 38%), më saktë mënyra se si përdoren fjalët (volumi, toni, ritmi, timbri, shpejtësia, pauzat).

Pjesa tjetër 55% përfaqëson komunikimin joverbal, pra gjithçka që komunikon trupi ynë pavarësisht nga fjalët dhe nga zëri. Sjellja e trupit, mimika e fytyrës, qëndrimi, lëvizjet e gjymtyrëve, janë vetëm disa pjesë komunikuese që i vëmë në përdorim gjatë bashkëbisedimeve. Këto pjesë kanë një vlerë të caktuar komunikuese, që shpesh mbeten në nivel të së pandërgjegjshmes. Megjithatë janë pikërisht këto veprime që vënë në lëvizje pjesën më të madhe të mesazheve që japim. Të qenit të vetëdijshëm për këtë “gjuhë” edhe nëpërmjet bashkëbisedimit me një psikolog, na dhuron një mjet të shkëlqyer për të qenë sa më të qartë e të saktë. Një komunikim i efektshëm mund të bëjë diferencën në marketing, shitje, në transmetimin e ideve, në marrjen e një provimi apo një vendi pune.

Komunikimi i efektshëm është një mjet shumë i nevojshëm, i cili nëse përdoret sa më mirë mund të ndihmojë në çdo rast të jetës, si personale, ashtu dhe profesionale. Të gjithë mund të mësojmë ta bëjmë këtë sjellje, sepse të dish të komunikosh mirë është edhe një mënyrë për t’u hapur me botën, dhe për rrjedhojë edhe bota do të hapet me ne, duke na bërë të mundur të kapim raste dhe mundësi që nuk i kemi menduar asnjëherë të kapshme.

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 121

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top