Në fokus

September 15, 2017 | 8:00

Nga Afërdita Bano: Gjumi i arsyes prodhon përbindësha

Titulli i këtij shkrimi përkon me një pikturë të realizuar nga artisti më i mirë në Spanjën e shekullit të 18-të, Francisco Goya. Në këtë pikturë paraqitet një burrë, ndoshta vetë Goya, i cili është i mbështetur mbi një skrivani, e me duar të mbështetura mbi të mbulon fytyrën. Pas tij shfaqen gjithfarë kafshësh mistike si dhe një shkrim “el sueno de la razon produce monstrous”. Fjala sueno në gjuhën spanjolle është ambigue, pasi do të thotë gjumë ashtu si dhe ëndërr. Francisco Goya jetoi në vitet 1746-1828 dhe piktura e tij mund të paraqesë realitetin e kohës ku dominonte supersticioni dhe injoranca, si dhe paaftësia e shoqërisë. Përbindëshat që paraqiten si fantazma kanë një karakteristikë të përbashkët, nuk përgjigjen e nuk hyjnë në marrëdhënie. Ata nuk pasqyrohen, kjo ide që ata duhet të qëndrojnë atje dhe ne këtu është e kundërta e përshkrimit të dyfishtë. Ambiguiteti na bën të reflektojmë mbi rëndësinë e arsyes njerëzore në të dy rastet.

Afërdita Kulla Bano, Msc. Psikologe Këshillimi

Afërdita Kulla Bano, Msc. Psikologe Këshillimi

Përbindëshi mund të jetë tjetri, i cili vepron sapo ne braktisim arsyen. Por përbindëshi mund të jemi edhe vetë ne, pjesët tona të errëta. Në të dy rastet, përbindëshat janë të krijuar nga ne si pjesëtarë të shoqërisë. Nëse konsiderojmë fjalën gjumë, vëmë re se gjumi i arsyes është parashtruar nga shumë filozofë të antikitetit si Herakliti apo Platoni. Herakliti e ndan njerëzimin në dy kategori, njerëzit e thjeshtë dhe filozofët (të zgjuarit) që ndryshe nga të parët (të fjeturit) nëpërmjet arsyes arrijnë t’i përgjigjen pyetjeve. Platoni e shpjegon me mitin e shpellës. Njerëzit që jetojnë në shpellë nuk duan të shohin jashtë saj dhe kënaqen me hijet që të tjerët projektojnë për ta. Filozofi (i zgjuari) i vetmi që del kur kthehet, vritet nga të fjeturit. Shpesh përbindëshat janë frikërat tona të pavetëdijshme apo dyshimet dhe ankthet tona. Ato mishërohen në jetën reale nga personazhe të cilësuar të çuditshëm dhe të frikshëm. Trupi funksionon pavarësisht vullnetit, arsyeja sjell si pasojë vendimet dhe mendimet e mendjes. Ka njerëz që kërkojnë t’i lënë të flenë të qetë, duke e braktisur arsyen. Ata jetojnë në sajë të instinkteve, pa konsideruar të mirën dhe të keqen e asaj që bëjnë. Kjo zgjedhje gjeneron përbindësha të rrezikshëm për individët dhe shoqërinë.

Një nga përbindëshat që mendja njerëzore ka krijuar, është nazizmi, i cili i dha jetë formës me brutale të intolerancës që historia ka njohur. Si nazizmi kanë lindur edhe shumë përbindësha të tjerë, prodhime të mendjes njerëzore siç janë luftërat e përgjakshme në çdo skaj të botës apo organizatat terroriste. 

Foto ilustruese

Foto ilustruese

Përbindëshat ndodhen brenda nesh. Ata përbëhen nga injoranca, paragjykimet, e na bëjnë ta shohim realitetin të shtrembëruar. Arsyeja është forca e njeriut, lënda e parë ku bazohet jeta e tij. Por nga ana tjetër, ne nuk mund të jetojmë të braktisur nga instinktet tona. Të përdoresh arsyen në çdo gjë edhe kjo çon në krijimin e përbindëshave të brendshëm, sepse ndjenjat njeriu nuk mund t’i kontrollojë. Siç thotë edhe Pascali: Superioriteti i arsyes është se ka pafundësisht gjëra që e tejkalojnë atë.

Mund të bëjmë një plan urbanistik të qyteteve tona, të mendjeve tona, por nuk mund të kemi një vend tonin të personalizuar deri sa të fillojmë ta arredojmë, duke përdorur arsyen, imagjinatën, duke shtuar diçka tonën, diçka origjinale e të personalizuar. Të zhvillohesh, të fillosh, të jetosh jashtë kontureve është pikërisht kjo ajo që urrejnë regjime si totalitarizmi, i cili mbyt imagjinatën dhe imponon vetëm disa ide, veshje, ushqime madje dhe fjalë. Sa herë që pranojmë vetëm një të vërtetë, një përshkrim, biem pré e dëshirës për të qenë padronë të shtëpisë sonë, e ngremë një mur që përbindëshat fillojnë të shtyjnë. Por siç thoshte Frojdi, uni nuk e banon shtëpinë e tij, kështu që psika njerëzore nuk është një fortesë, por një kopsht. Një arsye e paketuar është një arsye e fjetur, që krijon një botë plot përbindësha që duhen luftuar.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top