Në fokus

April 16, 2018 | 13:42

Nga Afërdita Bano / Shkolla & fëmijët… Këshilla për prindërit e mësuesit

Si nënë e tre fëmijëve në moshë shkollore kam vënë re tek ata, por edhe në rolin e psikologes te bashkëmoshatarët e tyre, vështirësi në përshtatjen me rutinën e përditshme pas kthimit nga pushimet plot liri dhe deri diku pa orare e detyra. Kthimi në shkollë apo në punë pas pushimeve është një moment që sjell me vete stres të paevitueshëm si për fëmijët edhe për familjet e tyre. Mbi të gjitha, ky moment sjell kthimin e pashmangshëm të një rutine që kishim lënë pas për disa kohë, por edhe sepse ky çast përfaqëson simbolikisht dhe konkretisht një kthim në dimensionin e detyrave, pas një periudhe ku i jemi dedikuar kënaqësive dhe pushimeve.

Afërdita Kulla Bano, Msc. Psikologe Këshillimi

Afërdita Kulla Bano, Msc. Psikologe Këshillimi

Në këtë kuptim kthimi nga pushimet dhe rifillimi i rutinës mund të përjetohen si një moment i vërtetë pikëllimi, si një moment ku diçka humbet dhe duhet të përshtatemi me një situatë të re. Çka e bën edhe më stresante situatën është përdorimi i termit “rifillim” i cili është i papërshtatshëm, sepse ajo çka nxënësit do të përballen kur shkolla të fillojë, do të jetë një situatë krejt e re dhe e ndryshme nga çka ata kanë lënë në qershor. Nxënësit do të jenë një vit më të mëdhenj dhe do të përballen me vështirësi më të mëdha akademike, me mësues të rinj, lëndë të reja mësimore, disa prej tyre edhe me ambiente të reja shkollore, shokë të rinj dhe marrëdhënie të reja.

E gjithë kjo sjell stres emocional, i cili shpesh mund të shkaktojë një sërë simptomash, të cilat mund të shfaqen dhe të manifestohen disa ditë para rifillimit të shkollës. Te më të vegjlit, stresi emocional mund të shfaqet në disa forma psikosomatike si: dhimbje barku, dhimbje koke, pagjumësi apo regrese të vogla në disa kompetenca tashmë të fituara nga fëmija. Te më të rriturit mund të hasim trishtim, dembelizëm, ankth, ose acarim. Një stres minimal është normal për të gjithë në periudhën pas pushimeve.

Dihet se kthimi nga pushimet dhe rifillimi i aktiviteteve të përditshme te disa persona mund të shfaqet në formën e sindromës së rikthimit dhe një përqindje e tyre mund të përballen me depresionin post pushimeve. Nuk duhet të alarmoheni nëse hasim simptomat e mësipërme te nxënësit, vetëm nëse këto simptoma persistojnë mbi një muaj e gjysmë, duhet të tregohemi të kujdesshëm e të hetojmë nëse nxënësi nuk po haset me problematika të tjera që e shqetësojnë. Në shumicën e rasteve ekzistojnë disa mënyra që prindërit dhe mësuesit mund të veprojnë për ta bërë rifillimin e shkollës më pak të mundimshëm.

Sugjerime për prindërit

Nëse gjatë pushimeve ka ndryshuar orari i gjumit, prindërit mund të fillojnë t’i vënë në gjumë 15 minuta më herët çdo ditë derisa të arrihet orari i dëshiruar. Një aspekt tjetër i rëndësishëm është edhe mundësia e kontrollit të frustrimit dhe angazhimit, prandaj fillimi me disa detyra të vogla si, ndihma e prindërve në punë të vogla shtëpie ose vendosja e një ore gjatë ditës ku fëmija të merret me disa ushtrime të thjeshta, matematikore.

Në thelb duhet evituar rikthimi në shkollë direkt pas pushimeve pa vendosur më parë orare dhe rregulla. Nëse fëmija shfaq pakënaqësi dhe trishtim, dëgjojini ankesat e tij pa e paragjykuar e duke i shpjeguar se është normale të ndihet në atë mënyrë, sidomos pas pushimeve të gjata që kanë kaluar, por se ngadalë do të mësohen. Gabimet më të shpeshta, të paqëllimshme, që bëhen nga prindërit në këtë moment janë disa fraza të tipit: Çfarë thua? Mos e ekzagjero të lutem.

Vetëm ti, të gjithë shokët janë të gëzuar për shkollën. Në këtë mënyrë fëmija nuk ndihet i kuptuar dhe jo vetëm që gjendja emocionale negative nuk do t’i kalojë, por ai nuk do të shprehet më nga frika e të ndjerit i kritikuar nga prindërit. Ky aspekt është i rëndësishëm edhe për nxënësit më të mëdhenj në moshë. Ndonjëherë, disa shprehje të thjeshta si: “Të kuptoj, edhe unë kështu ndihesha në moshën tënde kur kthehesha nga pushimet”, mund të shuajnë momente trishtimi.

Sugjerime për mësuesit

Edhe mësuesit mund të ndikojnë në përballimin e rifillimit të rutinës shkollore, duke filluar gradualisht dhe duke i kushtuar kohë tregimit të pushimeve të kaluara nga nxënësit. Toleranca do të konsistojë në të kuptuarit e nxënësit mbi pakënaqësinë e rikthimit në shkollë, por jo në zbatimin e rregullave dhe respektit. Si çdo eksperiencë njerëzore, ndryshimi edhe rikthimi nga pushimet është një ri-përshtatje me një fazë të re dhe stresi është normal e duhet pranuar, duke pasur parasysh se është një periudhë kalimtare.

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr . 123

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top