Pika referimi

September 12, 2017 | 11:52

Nga Agim Baçi/Çfarë modelesh po ofrojmë për fëmijët?

Nga Agim Baçi Shkrimtar, Publicist

Nga Agim Baçi
Shkrimtar, Publicist

“…Nuk duhet t’u japim fëmijëve sasi dijesh, por instrumentet për ta kërkuar atë, instrumente kulturore që të dijë të krijojë, ta shtyjnë deri aty ku ai mundet; më pas sigurisht na takon gjithmonë ne ta shtyjmë më tutje e ta ndihmojmë të përmirësojë instrumentet e tij”, shkruante dikur shkrimtari i njohur italian i librave për fëmijë. Gianni Rodari, duke ftuar prindërit që t’u japin fëmijëve orientimin për të kuptuar se në cilën anë ia vlen të vrapojnë, kë duhet të ndjekin, kujt duhet t’ia zgjasin dorën që t’i tërheqë drejt së nesërmes, apo që të vijë drejt tij.

Image result for children

Duhet ta pohojmë se hendeku sot mes brezave është shumë më i madh se ai që kemi pasur ne me prindërit tanë, apo prindërit tanë me gjyshërit. Ky hendek, i rrethuar nga ritmi shumë i shpejtë i jetës, e sidomos dominimi i jetës së spektakleve dhe konsumit, ka bërë që detyra e çdo prindi të bëhet edhe më e vështirë. Por, nga ana tjetër, të mendosh se edukimin mund ta marrin në dorë vetëm mësuesit (pa vënë në dyshim rëndësinë e jashtëzakonshme që kanë ata në edukimin e fëmijëve), do të thotë të krijosh një iluzion që më pas do të na sillte vetëm zhgënjime, pasi ata janë të vetëm përballë natyrave, aftësive dhe kulturave nga më të ndryshmet që shfaqin fëmijët.

Sipas psikologut të njohur grek, Niko Sideris, “fëmijët nuk kanë nevojë për psikolog, por për prindër!”. Sideris vë theksin në rëndësinë që merr prindi në rolin e tij në familje, për të krijuar mundësinë e një bashkëbisedimi. Natyrisht, pa u kërkuar fëmijëve që të na shohin si shokët më të ngushtë, por si njerëzit me të cilët ata mund të bashkëbisedojnë dhe ngrenë pyetjet e duhura, e pa dyshim të ndiejnë sigurinë se fjala dhe veprimi i tyre do të merret seriozisht si në fitore, ashtu edhe në humbje.

Madje, një nga profesorët në Universitetin e Prinstonit në SHBA, këshillonte prindërit që t’i linin fëmijët të humbisnin vetë. Madje, sipas tij, sa më parë të mësohen me humbjen, ata do të kuptojnë se në jetë nuk mund të fitojnë gjithçka, se nuk mund të kenë gjithçka dhe, se humbja nuk është fundi i botës dhe, se përmes humbjes mund të mësojnë shumë gjëra, që ndonjëherë fitorja nuk mund të t’i japë. Kjo nuk do të thotë se ne kemi më shumë nevojë që të humbim, por thjesht të mos kemi frikë nga humbjet.

Por, ne këtë bashkëbisedim, ajo që mbetet me një rëndësi është mënyra se si do t’u flasim fëmijëve për të afërmit, për fqinjin, për shokun e bankës, për shokun e lagjes, e sidomos për të gjetur mënyrën e pranimit të tjetrit, që është ndryshe nga ne. Sepse “Tjetri” është gjithnjë një sfidë, e ndoshta sfida më e vështirë e njëkohësisht më e rëndësishmja për këdo, pasi përmes “Tjetrit” ne arrijmë të shohim apo kuptojmë veten. Në këto 27 vite të ndryshimeve politike në shoqërinë shqiptare, si pasojë e kulturës së marrë nga diktatura, ku “Tjetri” ishte në shumicën e rasteve një armik i mundshëm apo një spiun, ne kemi ecur shumë pak në përvijimin dhe pranimin e “tjetrit ndryshe nga ne”.

Ne, si shoqëri, jemi ndoshta të fundit nga shoqëritë europiane që diskutojmë sot në shkolla se si mund t’i integrojë fëmijët me aftësi ndryshe, se si do të sillemi me ata që janë me ngjyrë ndryshe nga ne, me ata që nuk kanë statusin social njëlloj me ne. Dhe kjo pamundësi kuptimesh vjen më së shumti nga mungesa e një bashkëbisedimi në familje, ose, edhe më keq, nga një orientim i familjes për të ndërtuar superioritetin me tjetrin jo përmes dijes, jo përmes vlerave.

Fëmijët sot, të cilët janë të bombarduar me informacione dhe modele tallava, nga bota e spektaklit dhe nga joshja e gjithanshme, kanë nevojë për më shumë komunikim me prindërit. Është e vërtetë që të gjithë prindërit nuk e kanë këtë mundësi, por ama çdonjëri prej prindërve duhet ta shtyjë të lexojë, të mësojë, duke pyetur pa drojë se cilat janë vlerat e vërteta të jetës. Sepse, ne nuk kemi nevojë vetëm për liri, por r edhe për përgjegjshmëri ndaj lirisë sonë, ndaj vendimeve tona.

Ndaj, është me rëndësi t’u themi fëmijëve se të jetosh më mirë nuk ka vetëm një përgjigje, e aq më pak që të jetë e lidhur vetëm me paratë. Janë dhjetëra pyetje që janë edhe më të rëndësishme, për t’i dhënë kuptim pyetjes: Pse jetojmë? Është në përgjegjësinë e prindërve, e pastaj edhe mësuesve, që t’i ndihmojmë fëmijët që këto pyetje t’i bëjnë pa frikë dhe ne t’i ndihmojmë të notojnë në përvoja që u japin kuptim hapave të tyre./Panorama

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top