Në fokus

July 16, 2018 | 12:58

Nga Alba Dajlanaj: Durrësi një dhomë me gaz helmues, ku vritet pa mëshirë Jeta! Bashkëqytetarë ngrihuni dhe mbrojeni!

Në përgjithësi nëntë të dhjetat e lumturisë sonë varen nga shëndeti. Me të çdo gjë bëhet burim gëzimi, pa të nuk mund të shijojmë asgjë që vjen së jashtmi. Deri edhe të mirat subjektive, cilësitë e shpirtit, karakterit, formimit, kufizohen dhe turbullohen mjaft kur ndihemi ligsht. Jo pa arsye, sapo shohim një njeri e pyesim: “Si je?”, dhe i urojmë shëndet të mbarë. Ky është kushti parësor i lumturisë njerëzore!” (Këshilla për jetën) faqja 24. Schopenhauer .

Alba Dajlanaj, arsimtare

Alba Dajlanaj, arsimtare

Jo pa qëllim miqtë e mi, e shkëputa këtë paragraf nga Schopenhauer, që të kujtojmë të gjithë së bashku se sa e rëndësishme është të mbrojmë jetën kudo që të jetë dhe se sa të rrezikuar jemi nga ndotja e ambientit.

Më ndjeni zotërinj, sot nuk dua thjesht të bëj një status të bukur që të ngacmojë sensacione feisbukjane, jo, sot dua t’u drejtohem të gjithë bashkëqytetarëve të mi, po pse jo edhe të gjithë shqiptarëve!

Më duhet t’ju them se, qyteti im është shndërruar në një dhomë gazi, ku tinëzisht shkatërrohen e vihet në rrezik të madh jeta e bashkëqytetarëve të mi, dhe është e dhimbshme që kjo ndodh në mënyrë sistematike, mos të them për më shumë se 10 vjet!

850x636_1523861364_betonizimitebrtegdetiidurresitfotot21523862141Kjo që do t’ju them, ka ndodhur për vite me radhë, por mbrëmë, vërtet e ndjeva veten të frikësuar, të rrezikuar nga një vdekje që të vjen në heshtje e ti kurrë nuk e kupton se si ndodhi.

Ishte ora 11 e 30, u ngrita e asfiksuar nga një erë e rëndë gazi helmues. E tmerruar, vrapoj në dhomën e fëmijëve të shikoj a janë mirë dhe a po bëjnë ata një frymëmarrje të rregullt. Dal në oborr e shoh një re e bardhë mbulon si çdo natë komunitetin tonë. Të gjithë banorët janë të shqetësuar për këtë erë të rëndë që vjen gjithmonë darkave e hyn në shtëpitë tona pa u ndier, duke na vrarë pa u ndier. Dhe e gjitha kjo ndodh vetëm disa dhjetëra metra larg banesave tona, ku digjen mbetje plastike, kabllo plastike që çlirojnë atë gaz helmues me substanca kanceroze, që të djegin e të thajnë fytin, dhe kjo është ajo që ne ndjejmë në sipërfaqe, por çfarë shkakton ajo në mushkëritë tona, në mëlçinë tonë, në trurin tonë, në të gjithë organizmin tonë mbetet një mister, që koka i del vetëm kur dëgjojmë se filani ose filania shumë të rinj, janë keq e të pashpresë në spital.

Po miqtë e mi, vetëm atëherë kujtohemi se jeta është në rrezik e duhet mbrojtur, por kur ndodh kjo, është tepër vonë!

djegia-e-mbeturinave

Miqtë e mi, ka kohë që qyteti ynë turistik Durrësi është kthyer në një dhomë me gaz, por më duhet ta them fort, është shndërruar në një dhomë me gaz helmues, ku vritet pa mëshirë Jeta!

Zonat e kontaminuara janë në Ish-Plepat. Përgjatë unazës digjen plehra rregullisht, dhe në mes të një zone të banuar, tek Ura e Dajlanit ka më shumë se 5 vjet që hidhen mbeturina peshku, që dekompozohen aty dhe që mund të them se ajo pikë aty është një nga gjërat më të shëmtuara që mund t’i ndodhi një qyteti bregdetar, që pret turiste, por pa menduar këta, është helmuese e vdekjeprurëse edhe për banorët rreth e qark dhe për ne udhëtarët që ndodhemi në autobus kur hapen dyert dhe ti nuk ke si t’i shpëtosh asaj asfiksie që të shkakton ajo erë e dekompozimeve të peshkut!

Një zonë tjetër që është një burim i ndotjes së ambientit është landfilldi i Porto Romanës, që me tymnajën e saj që nuk shteron asnjëherë, vë në rrezik jetën e mijëra banorëve!

Ja pra të nderuar miq, nuk jemi këtu as në Siri, as në Kandahar, as ne Somali e ku ta di me ç’t’iu them. Këtu jemi në Durrës, në këtë qytet që natyra i ka falur aq bukuri përrallore, por që fatkeqësisht ngrihet pyetja: A jetojmë të sigurt, të qetë e të shëndetshëm në këtë qytet?

Zotërinj, sirianët po i zbojnë me plaçka në duar dhe i detyrojnë të lënë vendin, kurse ne nuk na zbojnë se për dreq s’na pret askush përtej kufijve, por na helmojnë çdo natë në dhoma gazi të ngritura në hapësirë, që marrin jetë njerëzish çdo ditë pa u ndier, tinëzisht, po fare tinëzisht!

Zotërinj, më ndjeni, ky është holokausti i këtij shekulli!

Ja kështu, pa u ndier zotërinj, shuhen jetë njerëzish, kështu pa u ndier vritet e ardhmja e një qyteti, ja kështu të nderuar zotërinj, shuhet një komb, pa pikë mëshirë!

Dua t’i drejtohem kryebashkiakut të qytetit tonë z.Vangjush Dako, që nuk e di mbas gjithë kësaj që parashtrova, nuk e di a meriton ai dhe stafi i tij titullin ‘zotërinj’, sepse një zotëri i vërtetë nuk i lë bashkëqytetarët e tij të sëmurën e të vdesin çdo ditë e nga pak kaq tinëzisht. Dua t’i them: Ju lutem në emër të bashkëqytetarëve të mi, në emër të së ardhmes së këtij vendi, në emër të Jetës, ju lutem, vini dorën në zemër e mos bëni vetëm beton për çdo pëllëmbë të këtij qyteti, por ktheni kokën nga kjo tymnajë e përbindshme që merr jetë njerëzish çdo ditë!

Kam frikë, kam shumë frikë të dashur zotërinj, se mbas jo më shumë se 10 vjetësh, qyteti im do të jetë një qytet i pakuptimtë, me rrugë boshe, me banorët me fytyra të zbehta që vrapojnë drejt spitaleve për të kërkuara ndihmë, dhe nuk do të jemi në gjendje të ndihmojmë njëri-tjetrin, sepse do të jetë tepër vonë.

Të dashur miqtë e mi. Ky status sot nuk është thjesht një status, por është një ulërimë që vjen nga jehona e banorëve që duan ta gëzojnë jetën. Po zotërinj, është një ulërimë që mendoj se do të zgjasë derisa të ngrihemi e të mbrojmë jetën!

Bashkëqytetarë ju bëj thirrje: Ngrihuni e mbroni atë që na jepet vetëm njëherë, JETËN!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top