Pika referimi

August 14, 2018 | 10:00

Nga Alba Dajlanaj: Mijëvjeçari i largimit nga JETA apo mijëvjeçari që vret JETË njerëzish

Koha jonë e meriton plotësisht të quhet e tillë, duke vëzhguar me vëmendje mënyrën e sotshme të jetesës. Do të thoja se dashuria për jetën ka humbur ose më mirë të themi se është në zhdukje, sepse nuk shikoj me asnjë formë shpirtërore e materiale që të na dëshmojë të kundërtën!

Alba Dajlanaj, arsimtare

Alba Dajlanaj, arsimtare

Vetëm në kornizën  e ngushtë instiktive të marrëdhënies prind-fëmijë, kanë mbetur akoma disa forma të dhënies së dashurisë për jetën, për jetën e vërtetë e të moralshme, por që edhe kjo ka pësuar plasaritje e shtrembërime të mëdha. Tema është tejet komplekse, por unë doja të ndalesha në faktin se sa ne humanet e këtij mijëvjeçari e duam dhe e mbrojmë jetën.
E ndjejmë se si një forcë e padukshme, se si një dorë diabolike na orienton, na drejton, na tërheq zvarrë kështu, pa e kuptuar, drejt mosdëshirimit për jetën.
39068344_1714051108692672_7721893706881564672_n

Dashuria për jetën fillon që në atë celulën më të vogël të shoqërisë, që është familja, ku si prindër duam të ndërtojmë te fëmijët atë raport ku primare të jetë dashuria shpirtërore dhe vlerat morale, e më pas pastaj të krijojmë prurje të shëndetshme brezash për një shoqëri të shëndetshme e të pasur moralisht dhe psikologjikisht.

Por brezat ndryshuan me kohën, këndvështrimet gjithashtu, dhe ajo që është më e frikshmja është zëvendësimi ose përmbushja e asaj dashurie shpirtërore me atë materiale.
Dhe sot, kemi prodhuar një shoqëri materialiste, të pashpirt e pa vlera morale!
Çdo ditë e më shumë shohim se si rritet e zhvillohet si një kërpudhë gjigante kjo shoqëri me një babëzi të tejskajshme për t’u pasuruar, që i kalon kufijtë e arsyes.

Një fakt që e shohim dhe e prekim çdo ditë me duart tona, është modifikimi gjenetik i perimeve e frutave, i cili i ngjan një monstre, një dore të vërtetë diabolike.

38967987_1714050815359368_115636277843329024_nÇdo ditë po i fusim në shtëpitë tona, po ushqehemi e po i rrisim fëmijët tanë me ushqime false, të helmuara, me produkte që nuk çojnë përpara jetën, por përkundrazi, e ndalojnë atë, e çojnë mbrapa!

Duke filluar që nga buka që blejmë në mëngjes, e fryrë, me përmasa skandaloze, me feta buke që nuk qëndron në dorë, por prishet, dhe ajo që është më thelbësorja, nuk ka asnjë vlerë ushqimore.

Ti ha dy feta dhe mbas treçerek ore ndjehesh e uritur, e pafuqishme dhe për të përmirësuar këtë i drejtohesh përsëri dollapit të bukës, duke i hedhur trupit kështu,ushqime pavlerë, që nga ana tjetër të bën të ndjehesh jo e qetë psikologjikisht. Po kështu, mund të themi për perimet, merr të presësh një domate, e të duket sikur në mes të saj ka një trung peme, e thika nuk shkon dot deri në fund, e përveç kësaj ka një shije që nuk ngjason kërkund me shijen e vërtetë të domates.

38940366_1714050978692685_839785807106539520_n

Ç’m’u kujtua tani zëri i atij fshatarit që sillte me gomarin e tij domate të freskëta e plot aromë, e që thërriste “hajde damote ,hajde damote zet zetepesë lekë kilja”, e unë që atëherë nuk kam ngrënë më domate biologjikisht aq natyrale, e besoj se nuk do të ketë më…
Po kështu, kur blen tranguj, po i hëngre atë ditë ndoshta nuk e ndjen aq shumë atë rrezikun që të kanoset, por po u kujtove pas dy ditësh, do ta gjesh me gunga, ndoshta edhe pak më të gjatë se çe bleve, po kështu me kungullin e të tjera perime me radhë. Pastaj ti bën si bën me këto që pe, pasi i ha me dyshimin e tmerrshëm që të zien përbrenda, shkon të hapësh një shalqi që të shpëlash ato helmet e domates e të kastravecit, por… ç’të shikosh. Sheh një njollë të verdhë si fantazmë mbi sipërfaqen e kuqe të tij.
Pastaj ti e kupton se ajo monstër nuk e ka kursyer edhe atë frut të bukur plot lëng, pastaj ti e kupton që ajo monstër që quhet hormon, e që pjell hibride, është përpara teje në duart e tua, por jo vetëm kaq. Ajo jeton me ty, brenda trupit tënd, është e pranishme në jetën tënde, në jetën e fëmijëve të tu!
E ndërsa të gjithë kemi lindur me instinktin për të dashur jetën, jemi ne ata që prodhojmë monstra të tilla, që kalbin e vrasin jetën!

Lind pyetja: a po jetojmë? Apo po bëjmë sikur po jetojmë? Apo të jetosh na qenka një iluzion i madh?

Është e pikëllueshme e tmerrësisht dëshpëruese që njeriu sot çdo ditë e më shumë vrapon në drejtim të kundërt me jetën. Ky është mijëvjeçari që vret jetë njerëzish.

Ja, këtë prodhoi shoqëria jonë, teknologji e fermerë që vrasin jetën dhe kjo për të vetmen arsye, sepse këta monstra nuk kontrollojnë dot babëzinë e tyre për t’u pasuruar çdo ditë e më shumë.

Luftërat e dimë që morën mijëra jetë njerëzish, por duke pranuar konfliktet, u justifikuan edhe pasojat, mijëra të vdekur. Por zotërinj, më thoni pak që në këto ditë të ashtuquajtura të paqta, ku është konflikti dhe kush i justifikon viktimat që bien çdo ditë nga konsumi i kësaj farse monstruoze, i këtyre produkteve false e vrasëse? 
Por, sikur të mos mjaftonte e gjithë kjo, mbasi ke mbushur qeset e për një çast “i lumtur” ti kërkon të bësh pagesën, ngre kokën e sheh një… e ç’të shikosh, shikon një njeri krejt të modifikuar! 
Shikon një vajzë të re që gëzon atë freski natyrore që Perëndia ia ka falur aq bujarisht, e shikon me një palë vetulla si burrë, të bëra tatuazh, me një palë buzë të fryra, e me ca flokë blu që i ngjan një tranvestiti, mynxyra më e madhe e këtij shekulli, kjo është!
Njerëz që natyra i solli në jetë me një pamje të mrekullueshme, i largohen natyrës, të natyrshmes, e shtrembërojnë atë kryevepër të në ne trupin e tyre për të krijuar pastaj atë vepër monstruoze të një njeriu dritëshkurtër.

Miqtë e mi, më thoni, a ka artist më të madh se Natyra? Unë jam e bindur që jo!
Vetëm ti o njeri, që natyra të fali privilegjin më të madh, ndërgjegjësimin, pikërisht Ti i del kundër, si kafsha më e egër dhe përveçse nuk i shpreh mirënjohjen tënde për jetën që të fali, ti ke vendosur t’i dalësh kundër.

Atëherë o njeri, ule kokën e pranoje dënimin që natyra nënë ka ruajtur për ty, pranoje këtë jetë false. E ku ka dënim më të madh se sa të jetosh me një iluzion!

Më falni që u zgjata pak këtu, por pastaj, pasi ke paguar shitësen “e modifikuar”, ti vrapon të çosh në shtëpi qeset me të ashtuquajtura perime e fruta.
Në shtëpi TV ka të reja. Ti ulesh dhe dëgjon se sapo ka ndodhur një tragjedi, dhe e kupton që është një nga ato rrëqethëset, një tragjedi që është km larg teje, por që të bën të ngrihesh pupthi e të vësh duart në kokë.

Një i ri 24-vjeçar vret me armë zjarri një familje të tërë të gjakut të tij, plot 8 vetë! 
Tmerr. Në këto momente pëson një “Black out” psikologjik, sepse ti nuk gjen dot më asnjë shpjegim!

Ashtu siç natyra e krijoi njeriun, me një shtyllë kurrizore dhe një ndërgjegje për të arsyetuar, që përbëjnë dhe boshtin e çdo qenieje, ashtu dhe shoqëria ka boshtin e saj të orientimit moralin shoqëror, besimin tek Zoti, tek mësimet e tij dhe kur shoqëria devijon e nuk orientohet më nga ky bosht, dhe kur i largohet atij në mënyrë të pakontrolluar, atëherë shoqëritë dalin jashtë kontrollit, individi gjithnjë e më shumë ngjason me kafshën!

Tashmë i jemi larguar shumë këtij boshti, jemi pa drejtim, morali i shoqërisë është në zero, besimi tek Zoti dhe frika e përulur ndaj tij nuk ekzistojnë më. Kjo do të thotë, të udhëhiqesh nga një dorë diabolike që të shtyn gjithnjë e më shumë drejt të panatyrshmes, drejt një jete pa vlera, drejt një jete pa jetë!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top