Marrëdhënie

May 28, 2018 | 9:00

Nga Alba Dajlanaj: Të kuptohesh, kur energjia në dashuri kërkon shkëmbim

Sa e rëndësishme është kur kuptohemi nga personi që kemi përballë, qoftë ky një i afërm apo dikush në marrëdhëniet ndërshoqërore?!

Alba Dajlanaj, arsimtare

Alba Dajlanaj, arsimtare

Të gjithë pothuajse ndjehemi të plotësuar vetëm kur jemi në këtë kufi. Është po kaq i rëndësishëm ky proces, është si të japësh e të marrësh energji. Sekreti nuk qëndron thjesht në shkëmbimin e një kodi gjuhësor. Jo.

Kur kuptohemi, ndjejmë valë qetësuese të përshkojnë jo vetëm mendjen, por edhe trupin tonë. Imagjinoni dy persona përballë njëri-tjetrit tek flasin dhe shikojnë njëri-tjetrin në sy. Kur ata kuptohen, zgjojnë valë empatie brenda tyre. Mendimi bëhet më i fuqishëm, merr ndjesinë e dy valëve që dallgëzojnë përbri njëra-tjetrës dhe rryma i bën më të fuqishme. Atëherë, e ndjejmë se brenda nesh zhvillohet një proces qetësie, plotësimi, gëzimi dhe paqeje.

Jo rrallëherë na takon të mos kuptohemi. Në ditët e sotme pothuajse është bërë e zakonshme, kjo për arsye këndvështrimi apo qëllime të ndryshme.

Imagjinoni të na ndodhë shpesh e më shpesh, do të merrnim pamjen e një orbite që xhiron vetëm rreth boshtit të saj, duke krijuar kështu një rreth vicioz, duke mbajtur energjinë brenda mureve të saj, e përsëri duke u reduktuar në drejtim të boshtit të saj, duke krijuar kështu një mbyllje në vetvete.

Sa i dëmshëm duket ky proces, gati helmues për njeriun!

Kjo ndërthurje kryevepër e fizikës me psikikën, ka nevojë të kuptohet e të përthithet nga të tjerët. Vetëm kështu njeriu e ndjen se jep dhe merr energji. Pa këtë kuptueshmëri, pa këtë shkëmbim energjie që qetëson valët e subkoshiencës tonë, por jo vetëm, por edhe të gjithë gjendjes tonë fizike, nuk do të mund të jetonim. Do të vdisnim çdo ditë e nga pak!

Të jesh i kuptuar dhe i mirëkuptuar duket në pamje të parë një proces i thjeshtë psikosocial, por në mbarëvajtjen e një procesi fiziologjik të personit, është kaq themeltare, kaq jetike, tepër e shëndetshme!

Jo rrallëherë jemi goditur fort në ndërgjegjen tonë kur nuk kemi mundur të kuptohemi dot me nënën apo bashkëshortin, fëmijët apo edhe me një mik. Apo në të kundërt, kur me të gjithë forcën e kuptueshmërisë tonë kemi qetësuar dy sy të trishtuar fëmije që kërkojnë mirëkuptim.

Sa herë kemi dashur të shembim mure që nuk na lejojnë të shohim përtej vetes tonë, pra të japim energji pozitive!

Dhe në fund do të thosha, sa e rëndësishme është të zhvillojmë sensin e kuptueshmërisë dhe të empatisë, duke marrë e duke dhënë energji pozitive ndërmjet nesh.

E thënë ndryshe, të japim shumë dashuri e ta marrim atë në këmbim.

Natyrshëm më lind pyetja: a nuk jemi ne të gjithë qenie përftuar nga dashuria?

To Top

Powered by themekiller.com anime4online.com animextoon.com apk4phone.com tengag.com moviekillers.com