Psikofakt

May 28, 2018 | 8:45

Nga Shpendi Gashi: Nuk jeni vetëm, por duhet të luftoni vetëm, pasi në errësirë edhe hija juaj ju braktis!

Zgjohem në mëngjes me flokët e prishur, njëjtë siç është i trazuar edhe shpirti im. Hap sytë dhe shoh tek komodina afër kokës së krevatit, sendet me vlerë për mua. Pasi i puth më kap një nostalgji e cila zgjat fare pak, dhe i lë vend boshllëkut. Ashtu si nëpër gjumë me sytë e ënjtur, dal në ballkon dhe ndez një cigare. Shpeshherë ndodh që filloj mendoj për shumëçka, por ka edhe raste sikur ky i sotmi që mendoj në vakum, një qenie që gjallon, një qenie me ëndrra që kushedi se ku janë stivosur e pluhurosur, ndoshta m’i kanë vrarë apo i kam vrarë?

Shpendi Gashi, Ass.Pedagog Dep. Shkencave Sociale nw FSHS, Msc. Politika Rajonale

Shpendi Gashi, Ass.Pedagog Dep. Shkencave Sociale nw FSHS, Msc. Politika Rajonale

Më pas dal për të pirë kafe. Cigarja, pjesë e pandashme, ashtu si stresi dhe ankthi, dhe përpiqem të mendoj, të analizoj, por më kot vazhdoj të vërtitem në boshllëk. Pyes veten kur e humba forcën e mendimit, bashkë me të, kur e humba veten dhe mos vallë jam në depresion?

Depresion nuk ka mundësi të jetë, pasi ka vite që unë ndjehem i zbrazët dhe medoemos do isha përkeqësuar, por unë jam konstant në zbrazëtinë time prej vitesh tanimë.

Jam munduar ta plotësoj veten time me çdo gjë, por një vrimë në ujë kam bërë.

Mbase është një luftë që po bëj prej vitesh dhe po e humbas ose mbase e kam humbur nuk i dihet.

Dhe tani më duket sikur jam mësuar me humbjen.

11

Vetëm këtë gjysmë viti kam humbur shumë: prona, njerëz, besimin, optimizmin, dëshirat dhe veten dhe bashkë me to edhe frikën e të humburit!

Mendoj se ne nuk mërzitemi me humbjen, por me zgjidhjen sesi të gjallojmë pa ato që i kemi pasur dhe s’i kemi më!

Mërzitesh me idenë se si do jetosh pasi të nëpërkëmbin të drejtën e pronës.

Mërzitesh me idenë se si do jetë jeta jote pa atë njeriun që e doje pafundësisht shumë dhe po me idenë se sa kalimtar do ndjehesh pas pak kohësh.

Mërzitesh për ëndrrat që nuk i plotësove dot, por Krijuesi (kushdo qoftë apo çfarëdo qoftë) na ka bekuar me harresë, por që unë edhe këtu jam i pafat pasi nuk harroj dot.

Zakonisht dashurinë e çdo lloj forme e zëvendëson urrejtja, por me mua as kjo nuk ndodh, pasi unë thyej ligjet e fizikës. Ajo energji tek unë nuk shndërrohet, thjesht nuk ekziston më, bëhet nul.

Tani pres ditën se kur do jetë humbja e radhës.

Është e thjeshtë jeta është një eksperiment ku triumfon ai që merr plagë, i ngelen shenja, dhe e kap finishin e jetës i shtrirë dhe i drobitur, por që nuk dorëzohet.

Mosdorëzimi ka të bëjë me testin e mizorisë që je i aftë të përballosh!

E di që në këtë test do dal fitimtar sepse unë jam vetë HUMBJA.

I humburi thjesht s’mund të humbasë më shumë se ç’është i përgatitur për të humbur!

I kuptoj shumë mirë Kamy-në, Hemingway-in, Bukowski-n, gjithmonë më kanë tërheq, sepse në pavetëdijen time unë gjeja veten tek stili dhe shpirti i tyre.

Nuk e di për të tjerët, pasi as nuk e quaj veten njeri të penës, apo as një mega pseudo shkrimtar, por dhembja në vetvete (dhembja shpirtërore) çliron atë “yllin filozofik” prej një realisti të pestë tek unë, e cila është e vetmja mënyrë që unë të shkarkohem e të jap mesazhe për ata që mund të ndjehen si unë pasi dua që të kuptojnë mesazhin e vetëm që përpiqem të transmetoj: “-Nuk jeni vetëm, por duhet të luftoni vetëm, pasi në errësirë edhe hija juaj ju braktis!”

To Top

Powered by themekiller.com anime4online.com animextoon.com apk4phone.com tengag.com moviekillers.com