Mirëqenie

February 26, 2020 | 8:30

Nga Alborena Hylviu / Jeta na dërgon sinjale, si t’i lexojmë ato?

Brenda orëve, brenda ditëve, brenda sezonit, brenda vitit ndodhin shumëçka, ndodhin ndryshime. Duajeni jetën, sepse jeta është diçka e bukur, është e ndryshueshme. Njerëzit, duke parë ngjarjet që ndodhin nëpër botë, si për shembull, shpikje të mrekullueshme, gëzohen, bëhen të lumtur, vazhdojnë të jenë të vetëdijshëm për të mirat e krijuesve dhe natyrës, që janë të pafundme.

Alborena Hylviu Psikologe Klinike

Alborena Hylviu
Psikologe Klinike

Ti vazhdon të ecësh bashkë me jetën pa dëshira personale, pa pasur konceptin se si duhet të jetë ajo, të jetë ashtu siç e ka krijuar natyra, Zoti. Jeta nga natyra është e paparashikueshme, e rrezikshme. Kësaj nuk ke çfarë t’i bësh. Askush nuk është në gjendje të bëjë një jetë të garantuar. Nëse je i lirë, nëse ke mundësi që një përqindje të vogël të parashikosh të ardhmen tënde, ti je vetvetja. Gjëja e parë që duhet të mësohet është: të jesh i guximshëm, të jesh i kujdesshëm, të jesh trim, sepse jemi të rrethuar nga shumë rreziqe, të papritura, të cilat na befasojnë, shpërqendrojnë.

Mos e sakrifikoni jetën tuaj për hir të gjërave të vogla. Duhet jetuar në mënyrë aq të plotë, aq sa është e mundur. Vetëm atëherë do të shfaqet gëzimi, lumturia. Njeriu duhet të pajtohet me realitetin e vet, të mos bjerë në grackë për shkak të dëshpërimit. Jeta na sjell shumë sinjale, por aftësia për t’i lexuar dhe për t’i bashkërenduar në jetën e gjithsecilit është e vështirë, dhe po aq praktike për t’i zotëruar dhe pasur në ditët tona. Njerëzit që e kanë njohur dashurinë, lumturinë, janë ata që përputhen me jetën që ndryshon, janë ata që shkëlqejnë, lulëzojnë me jetën. Askush nuk është në gjendje të bëjë një jetë të sigurt.

Njeriu i gjallë i shijon të mirat dhe dashurinë, shijon këngën dhe vallen, shijon gëzimin dhe lumturinë, sepse është i gjallë, ndihet i gjallë. Sendet, pasuritë e palëvizshme mund të jenë të përhershme, por të vdekura e pa ndjenja. Por, për ata persona që kanë arritur ta njohin vetveten dhe dashurinë është një mrekulli. I vetmi mendim i shëndoshë është që njeriu pa dashuri mund të jetë i pasur, i shëndetshëm, i shquar, por nuk mund të jetë i arsyeshëm, sepse ai nuk ka arritur t’i zbulojë ndjenjat e brendshme, nuk ka arritur të jetë vetvetja. Në shumicën e rasteve predikuesit e feve na thonë: jeta në këtë botë është kalimtare, e kotë. Sot je këtu, nesër largohesh. Jeta në këtë botë, në këtë trup, nuk vlen asgjë, sepse ajo është e përkohshme.

Po, e vërtetë është, por ajo ka ekzistuar dhe ekziston, ajo mbizotëron me shekuj në mendjen e njerëzve, por unë them se ne kemi obligim ta shijojmë jetën, kemi obligim të punojmë dhe të bëjmë llogari, sepse atëherë nuk ka vend për dështime dhe gabime.

Jeta është e ndryshueshme, kurse ritet, ritualet, ligjet nuk ndryshojnë, ata dënojnë çdo gjë që ti do të ndryshosh. Pse të gjitha fetë kanë vënë martesën në vend të dashurisë, dashurinë e kanë kushtëzuar me ligje, me rituale, marrëveshje të ndryshme, nëpërmjet frikës së respektit, nëpërmjet frikës se fëmijëve do t’u ndodhë diçka?! Prandaj, ata gjetën mënyrën për të bërë diçka, dashuria të zyrtarizohet, të bëhet publike, e përhershme. Njerëzit, kur janë të lumtur, sjellin dashuri. Nëse dhuroni dashuri, ju do të fitoni dashuri.

Sa më shumë dhuroni, aq më shumë shtohet. Dashuria nuk ka mundësi të konservohet, nuk ka mundësi të grumbullohet, ajo është aromë që nuk mund ta kontrollosh, ajo rrezaton, shpërndahet, edhe sa më shumë shpërndahet aq më shumë shumëzohet. Të vlerësosh jetën dhe të dhurosh dashuri, të ndash, është një ndër virtytet më të mira të shpirtit, një prej cilësive më të mëdha të njeriut.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 146

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top