Mirëqenie

March 2, 2018 | 14:49

Nga Alborena Hylviu / Nevoja për pushime… si të rigjejmë veten

Pushimet verore janë gjithnjë një moment qetësimi dhe pushimi, por jo në çdo aspekt. Nuk është shumë e rëndësishme ku dhe si do t’i kaloni pushimet verore. Dy gjëra janë shumë esenciale: të qetësoheni dhe të kaloni me familjen një periudhë pushimesh, sado e shkurtër qoftë ajo.

Alborena Hylviu Psikologe Klinike

Alborena Hylviu
Psikologe Klinike

Edhe pse shumë familje, në fakt, nuk i kanë kushtet ekonomike, përsëri ato mundohen të mos heqin dorë nga pushimet. Prindërit përpiqen që gjatë pushimeve verore t’i ofrojnë fëmijëve kampe verore ditore apo javore, e më tej. Megjithatë pushimet në familje kanë vlerën e diçkaje në formën e traditës. Ato janë aq të nevojshme në stinën e verës, pasi s’kanë vetëm vlerë argëtimi, por kanë edhe një vlerë për mirëqenien tonë psikologjike dhe fizike, në jetën tonë personale, familjare dhe atë profesionale.

Pushimet verore janë qetësi, forcim marrëdhëniesh familjare, por më e rëndësishmja është shfrytëzimi i kohës së lirë për disa aktivitete shumë të rëndësishme. Në fakt, duhet t’i edukojmë fëmijët të shfrytëzojnë kohën jo vetëm gjatë pushimeve, por programimi duhet të jetë praktikë e gjithëhershme e tyre. Investimi emotiv mbi pushimet ndonjëherë është aq i madh, saqë nuk lejon tolerimin e ndryshimeve.

Për t’u nisur të qetë është e rëndësishme të imagjinoni një “hapësirë më të gjerë” sesa e përditshmja, e cila mund të jetë e mbushur me “tema të ndryshme”. Ndaj ndihmojeni veten me ndonjë veshje më shumë për mal dhe për det, për çdo ndryshim të mundshëm.

Ja çfarë duhet të merrni parasysh përpara se të niseni drejt destinacionit tuaj të pushimeve.

  1. Bëni gati valixhen më parë se zakonisht.
  2. Pizhamet janë ok! Bebja juaj apo fëmijët do të ndihen më rehat me veshjet e përditshme.
  3. Mbani gjithmonë rroba rezervë në çantën tuaj.
  4. Mos harroni ilaçet! Vendosni disa nga ilaçet më të përdorshme në çantë, në mënyrë që të jeni të përgatitur për çdo rast emergjent.
  5. Merrni një çantë të madhe me lodra të reja.
  6. Përdoreni teknologjinë në favorin tuaj. Edhe nëse në shtëpi mundoheni t’i mbani fëmijët sa më larg televizorit, gjatë ditëve të pushimeve ky rregull mund të thyhet.
  7. Mbani të regjistruara kontaktet e pediatrit, i cili mund t’ju ndihmojë për çdo shqetësim gjatë ditëve të pushimeve.
  8. Tregohuni të kujdesshëm me ushqimet në hotel. Mos harroni të merrni me vete edhe disa nga ushqimet e preferuara të fëmijëve.

Hartimi i një miniguide për periudhën e pushimeve

Parashikimi i ngjarjeve është një faktor kyç për të larguar ankthin dhe për të nxitur kënaqësinë e pritjes. E rëndësishme është që programi të jetë esencial, me pak pika: mbërritja, sistemimi, si dhe një ose dy destinacione gjatë qëndrimit dhe nisjes.

Relaksi nuk ia “mbath”

Mos imagjinoni se qetësia dhe relaksi “zhduken”. Kjo ide rrit ankthin e nisjes dhe shqetësimet për kthimin. E dobishme është që në valixhe të vendosni një libër të mirë, një bllok shënimesh, letra vizatimi, lapsa me ngjyra etj. Pasja e një ditari, qoftë edhe fotografik, të impenjon, të argëton, ndalon momentet, ndjesitë dhe emocionet. Ndërsa për disa të tjerë, pushimet mund të jenë mundësia për t’iu dedikuar pasionit për të shkruar.

Qëndroni të lidhur me teknologjinë

Largimi nga teknologjia jo gjithmonë ndihmon për t’u çlodhur dhe për të qenë mirë. Përdoreni kohën në dispozicion edhe për t’u shkruar miqve me të cilët i keni humbur kontaktet gjatë dimrit. E rëndësishme është që mos të hiqni “dorë” pa dëshirë nga mjetet teknologjike. Veproni ashtu si ndiheni më mirë.

Udhëtimet jashtë shtetit

Nëse keni vendosur të bëni pushime jashtë vendit, ka disa gjëra që nuk duhet t’i harroni, për të shmangur problemet në mënyrë që të mos i filloni pushimet me këmbën e gabuar. Këto janë 4 pika kryesore që duhet të dini për të pasur një udhëtim të rehatshëm dhe të qetë.

  • Kontrolloni dokumentet
  • Rezervimi dhe hoteli
  • Udhëtim me fëmijët
  • Shëndeti dhe sigurimi

Pas pushimeve një pjesë e madhe e njerëzve ndihen keq, madje u duhen disa ditë për të marrë veten dhe për t’iu rikthyer normalitetit. I njohur si sindroma e “pas pushimeve”, ky është një çrregullim që ka të bëjë saktësisht me përshtatjen dhe që mund të shoqërohet me shenja të ndryshme deri në rifitimin e shprehive të zakonshme. Të paktën, ky është shpjegimi që japin studimet e ndryshme të bëra në të gjithë botën.

Sipas psikologëve, vitet e fundit stresi pas pushimeve është ndikuar edhe nga kriza ekonomike, pasi tashmë shqetësim nuk është vetëm përshtatja me ambientin e punës, apo riorganizimi i rutinës në familje, por dhe stresi lidhur me vetë punën. E vetmja këshillë që një mjek apo një psikolog jep, është, që puna rinis me lehtë nëse ndryshoni ritmin dhe evitoni streset e tepërta.

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr.121

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top