Në fokus

September 21, 2018 | 8:15

Nga Alborena Hylviu / Një jetë me sfida!

Autizmi është një çrregullim kompleks i neuro-zhvillimit që karakterizohet nga dëmtime në fushat e marrëdhënieve sociale, të komunikimit, të sjelljes. Fëmija me probleme të tilla ka ndikim social, emocional dhe shëndetësor te prindërit, për të cilët është një nga sfidat më të mëdha të përditshmërisë dhe jetës.

Alborena Hylviu Psikologe Klinike

Alborena Hylviu
Psikologe Klinike

Autizmi shfaqet në formën e vështirësive për të qenë aktiv në komunikim dhe sjellje, duke sjellë mungesën e interesit për të reaguar. Ndonjëherë shoqërohet edhe me agresivitet (moskuptim i botës së ndjeshme të fëmijëve). Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 1 në 160 fëmijë ka një çrregullim të spektrit autik, i cili fillon në fëmijëri, por që tenton të vazhdojnë në adoleshencë apo në moshën e rritur. Dy prilli njihet edhe si Dita Botërore e Autizmit. Sfidat për fëmijët autikë përfshijnë gjumin, ushqimin e ndjeshëm dhe agresivitetin. Por, si prindër ju keni rol kyç në mbështetjen e fëmijëve me probleme të tilla.

Prindërit janë ata që ndihmojnë në zhvillimin e tyre shëndetësor, fizik e mendor, duke ndikuar pozitivisht në rritjen e tyre. Aktualisht është treguar se, prindërit mund të ndihmojnë në kryerjen e trajtimit psikologjik të fëmijëve të tyre, sepse këta fëmijë kanë nevojë shumë për dashuri.

Problemet familjare

Rritja e një fëmije me autizëm mund të jetë një eksperiencë shumë e lodhshme dhe stresuese për të gjithë familjen. Fëmijët e tjerë shpesh ndihen të lënë pas dore për shkak të vëmendjes që prindërit i kushtojnë fëmijës me autizëm. Njihen shumë raste të familjeve që largohen nga miqtë e tyre dhe mbyllen brenda problemit të fëmijës. Përpiquni të ndërgjegjësoheni në lidhje me efektet negative që kjo sindromë mund të sjellë në jetën tuaj, për të evituar sa më shumë të jetë e mundur prishjen e marrëdhënieve me personat që ju rrethojnë.

Le të krijojmë një plan veprimi

Ka disa mënyra ndërveprimi, të cilat duhet të fillohen sa më parë të jetë e mundur. Hapi i parë është ndërhyrja mjekësore, pra fillimisht duhet bërë diagnostikimi i ndonjë problemi të mundshëm shëndetësor te fëmija. Çdo prind i një fëmije me autizëm duhet të kujdeset që dieta e tij ushqimore të mos përmbajë gluten dhe kafeinë. Nëse fëmija flet shumë pak ose aspak, çdo prind duhet t’i bëjë një analizë për të vërtetuar nëse fëmija mund të ketë në të ardhmen kriza epilepsie, të cilat mund të “godasin” procesin e të folurit.

Shumë fëmijë me autizëm, vuajnë nga problemet sensoriale, të cilat mund të përfshijnë problemet e dëgjimit (ndjeshmëri e lartë ndaj zhurmave, shurdhim i dukshëm), rezistencë ndaj disa lëvizjeve specifike si për shembull notit, si edhe probleme me shqisën e shijimit. Ekzistojnë disa ndërhyrje që mund të bëhen për të përmirësuar ose eliminuar shumë nga këto probleme, si për shembull ato të lidhura me dëgjimin, shikimin etj. Këto tre hapa do të ndihmojnë në përmirësimin e simptomave të autizmit.

Gjatë trajtimit të autizmit, aplikohet terapia biheviorale (e sjelljes), ushtrimi i komunikimit, rrethina e ngrohtë dhe përkrahëse (përkrahja e prindërve dhe edukimi i tyre). Ju mund të praktikoni te fëmija juaj edhe mënyrën e të mësuarit nëpërmjet pamjeve, gjuhës së shenjave, pra të mësuarit me anën e pamjeve vizive, si:

  • Analiza e aplikuar për sjelljen
  • Sistemi i komunikimit me foto,vizatime
  • Terapia për të folurin dhe gjuhën
  • Terapia Okupacionale
  • Fizioterapia
  • Dietat

Numri i madh i fëmijëve autikë tregon shkallë të lartë të dhuntive në sfera të ndryshme. Më së shumti në muzikë, art dhe ndonjëherë edhe në matematikë. Rrethi shoqëror dhe familja kanë një rol të rëndësishëm ndaj autizmit. Për një jetë sa më sociale dhe humane, kushdo mund të japë kontributin e tij ndaj këtij grupimi fëmijësh ndryshe, në mënyrë që dhe ata të ndihen bashkëveprues për t’ua lehtësuar metodat e rehabilitimit.

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 130

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top