Në fokus

September 14, 2018 | 9:09

Nga Andon Andoni / Zoti dhe shkolla!

Pas disa ditësh shkollat tona do të hapin dyert për fillimin e vitit të ri shkollor. Drejt tyre, përveç mësuesve dhe nxënësve, siç është bërë zakon, do vërshojnë edhe politikanët, niveli lokal dhe i lartë i qeverisjes për të uruar “Suksese dhe një vit të mbarë”!

Andon Andoni

Andon Andoni

Me idenë për të shkruar këto radhë për fillimin e një viti shkollor, kërkova thuajse të gjitha fjalimet e politikës që janë mbajtur gjatë këtyre viteve të demokracisë dhe gjeta thuajse në të gjitha rastet, këtë slogan urimi: “Suksese dhe një vit të mbarë shkollor”, ose “Fillim të mbarë, mësues dhe nxënës në udhën e dijes” dhe gjatë gjithë kohës shtoja pas këtij urimi gjithëpërfshirës, atë çka do kisha dashur shumë të dëgjoja, qoftë edhe për tingëllimë: “Zoti ju bekoftë!”

Askund. Dhe të mendosh, që për një bekim të tillë ka nevojë më shumë se kushdo shoqëria shqiptare, e dalë nga një ateizëm gjysmëshekullor vulgar dhe sidomos fëmijët e shkollave, grumbulluar në mjedise shkollore, në vigjilje të nisjes së një viti të ri shkollor.

Togfjalëshi i “besimit tek Zoti” nuk është se nuk njihet, por denduria e përdorimit të tij dhe ngarkesa emocionale që duhet të përcjellë tek ne në shoqëri nuk janë aty ku duhet dhe aq më pak të ngërthyera  natyrshëm tek institucionet shkollore dhe rinia, ku thuajse ka munguar fare.

Shpesh në fillimet e vitit shkollor, media dhe portale të ndryshme, pa lënë mënjanë edhe politiken, e kanë sjellë në vëmendje letrën e presidentit Linkoln, të 1830-ës, drejtuar mësuesit të djalit të tij në ditën e parë të shkollës. Një dokument që iu ka mbijetuar shekujve dhe si e tillë është aktuale dhe plot frymëzim për këdo që merret me edukimin dhe shkollën, por në funksion të shkrimit tim, do citoj vetëm fjalinë e fundit të kësaj letre, – busull në orientimin e edukimit! “…Mësojeni atë (tim bir-AA) të ketë besim… në njerëzimin dhe në Zotin”.

Por fatkeqësisht, mësuesi ynë as që mund ta cekë gjëkund emrin e Zotit, përjashtuar rastet e rralla kur ai përmendet në ndonjë tekst të kurrikulës, lëndë a kapitull, apo ndonjë pjesë letrare, me qëllime të intertekstit. Ndonjëherë mund ta përmendë vetëm në mënyrë instiktive, kur kërkon të shpëtojë prej telasheve të së përditshmes dhe fare pak prej dëshirës për të promovuar, proklamuar apo besuar tek fryma e Tij. Kurrikula e shkollës sonë, edhe pse përpiqet ta përfshijë brenda kornizës së saj qasjen ndaj besimit fetar dhe Zotit, është kaq e ftohtë dhe sipërfaqësore në interpretimin e frymës dhe laike, sa që do t’ia kishte zili shoqëria më e qytetëruar dhe liberale e globit.

Në të shkuarën, kjo shkollë nuk ka qenë kaq indiferente ndaj besimeve tek Perëndia. Veqilarxhi ka futur në “Evëtar” në faqet 27 dhe 28, gjashtëmbëdhjetë strofa mësimi nga “Dhiata e vjetër”! Ndërsa në “Evëtarin” e 1844-ës, gjendet strofa e një poezie shqipe me titull; “E par’ e të msuarit frik’ e perëndisë” të vendosur në faqen e parë.

“Çdo e nisur q’ ësht’ e rendë/ S’ka njeri që nuk e di/ Por kushdo kur do të vihet/Si shpëton gjësend Ati”..

Pa më të voglin mëdyshje, nisur nga tradita e shkrimit të shenjtë, këto vargje të Veqilarxhit shprehin kuptimi  tropologjik, i cili përmban një kuptim moral, individual, nëpër të cilin Zoti qorton apo lëvdon[1], por nga ana tjetër, edhe pse jemi në një shtrat kohor dhe shoqëror tejet të provokuar nga mungesa e shkencës, artit dhe kulturës se mirëfilltë, motivi i parë i tyre është ngulitja e besimit dhe pastaj predikimi.

Ndërsa në “Fare i ri Ëvetar shqip për djelm nismëtarë”, vëllimin e 1845-ës, vendosi një tjetër katërvargësh;

Kurëkush me ment’ të vet/ Mos mburetë se ndiç flet/ Pa dashtun i madhi Zot/Fletë pema s’lëshon dot.

Këto katër vargje kanë në themel një perceptim filozofik të jetës njerëzore, e cila është ngritur mbi dituritë e paraardhësve, mbi trashëgiminë e madhe të njerëzimit, përmes ciklesh të pandalshme zhvillimi, nga lindja deri në vdekje me dëshirën e Zotit.

Kjo qasje do vijonte për shumë kohë, tek autorë dhe abetare të ndryshme të shkollës shqipe. Madje, pikërisht këto katër vargje zunë vend edhe në ballinën e abetares së Stambollit.[2]

Do vijonte kjo traditë edhe më 1896 tek “Mësime të vyera a fjalë shpirtërishte” botuar në Kostandinopojë, me kryetitull; “Perëndia dëften dashurinë e tij mbi ne, sepse kur ishim neve edhe po fajtore, Krishti vdiq për ne”, për të ardhur më vonë në fillim të shekullit të ri, ku sërish në programet e shkollave, ekziston kapitulli lëndor i quajtur “Besimi” me 4 orë javore që nga shkolla fillore[3] dhe me botime të tilla tekstore të  “Komisisë Letrare”, që çelte faqen e pare të këndimit në vitin 1917, me “Zani i Natyrës”; “Shka flet tue shdritun, prej s’naltit diell!/ Shka flet stolisun me hyj plot qiell,/ Se mbi ta Zoti e ka selin./Njeriu t’a din.

Duke ardhur në shkollën laike të mbretërisë shqiptare, vëmë re se humbasin dedikimet tekstore për Zotin dhe Perëndinë, ndërsa mbetet fryma e besimit tek to, do vinte dita, që si për ironi të fatit, diktatura komuniste, “me urdhër nga lart dhe iniciativë nga poshtë” do ta niste shkatërrimin dhe përçudnimi, mohimi dhe braktisjen e Zotit dhe besimit fetar, pikërisht nga shkolla dhe rinia shkollore, në pranverën e 1967, nga gjimnazi “Naim Frashëri” i Durrësit”.

Por le të kthehem tek thelbi i shkrimit, pasi kemi bërë një histori të shkurtër të qasjes së shkollës sonë ndaj fesë dhe besimit fetar.

Përpara dy viteve u lakua nga kryeministri Rama ideja e futjes së mësimit të fesë në shkolla.

“Dituria mbi kulturën e besimeve është njëra ndër rrugët që duhen hapur me kurajë dhe vullnet të madh për të mbrojtur fëmijët tanë nga ekstremizmi i çdo forme dhe për t’i pajisur ata me një armë të domosdoshme në mbrojtje të thesarit tonë të çmuar të bashkëjetesës fetare”, – shkroi kryeministri në atë kohë. Sigurisht që një qasje e tillë do kishte dhe provoi kundërshti, por dhe mbështetje, gjë që nuk u vunë kurrë në balancë për të parë përfundimet, qoftë edhe përmes ndonjë anketimi a sondazhi të mundshëm. Personalisht mendoja me shpresë se kjo do ishte një sjellje primare për të vendosur diçka në balancën e prishur të shoqërisë sonë prej një gjysmë shekulli.

Nga njëra anë, ata që kundërshtonin propozimin e Ramës argumentojnë se: mësimi i fesë kundërshton vetë natyrën e një shteti laik dhe me gjasë më dukej se ishin që të gjithë ata që në ditën e parë të shkollës, “bezdiseshin” të shtonin pas fjalëve përurimore, “Zoti qoftë me ju”. Një palë akuzonin cilësinë e dobët të mësimdhënies, që me gjasë do rëndohej edhe më nga një doktrinë fetare e përfshirë në kurrikul. Aspak e vërtetë, madje pohoj me bindje se një lëndë e tillë e menduar dhe inkuadruar mirë, do t’i shtonte vlerat e cilësisë së shkollës dhe mësimdhënies, do ta bënte nxënësin dhe trupën mësimore pedagogjike edhe më të mire e më të dashur”. E vetmja gjë që duhej zgjidhur mes specialistëve të kurrikulës dhe atyre të hartimit të teksteve dhe programeve, do ishte kërcitja mes teorisë së evolucionit së Darvinit dhe gjenezës së jetës sipas librave të shenjtë. Kisha katolike ka kohë që e ka pranuar teorinë evolucioniste dhe Papa Françesko është Papa i parë që pohoi publikisht se evolucioni është në përputhje me mësimet e kishës. Përsa i përket islamit, dimë që në vitet e arta nga 662 deri 1258, dijetarët myslimanë ishin në ballë të inovacioneve shkencore në fusha të tilla si mjekësi, astronomi dhe matematikë.

Por, asnjë nga këto kundërshtime nuk është në gjendje, të bindë për gabim në futjen e një lënde që do sillte pozitivitete në jetën shoqërore të individit, me praninë e besimit tek Zoti. Megjithëkëtë, stepja prej dy vitesh e më shumë, i marrjes jetë të këtij projekti, duket se e ka zvetënuar dhe rrudhur punën e nisur nga grupet e punës dhe ministria e Arsimit dhe Sporteve, pa mohuar edhe ndonjë arsye teknike në vështirësinë e zgjidhjes së ngërçit.

Thuhet që niveli i shkollës që kemi është më i ulët nga sa do parapëlqenin specialistët e teorisë së përfshirjes së fesë në shkollë. Por ky le të jetë një objektiv i rëndësishëm i politikave të shtetit këtu dhe në të ardhmen. Futja ose mosfutja e orës së fesë nuk mund të përcaktohet nga kjo situatë. Por kjo le të shërbejë për hapjen e diskutimit mbi nevojën e cilësisë në shkollimit që po nxjerr mjekët, mësuesit e brezave të rinj, sociologët, psikologët, avokatët, juristët e gjykatësit e tanishëm dhe politikanët e të ardhmes. Një shkollim i duhur dhe cilësor është një nga kriteret kryesore që bën një shoqëri të ecë përpara e të zhvillohet. Arsimimi nuk mund të eliminojnë injorancën, por mund ta zvogëlojë atë, qoftë e dhe përmes besimit tek Zoti.

Ora e fesë duhet parë si lëndë brenda sistemit edukativ, e lënë e lirë në frekuentim. Qëllimi duhet të jetë promovimi i shtetësisë përfshirëse dhe respektit, promovimi i njohurive mbi faktet për të kuptuar konceptet dhe rregullat bazë të fesë, artin, historinë, muzikën, literaturën, simbologjinë e praktikat e feve. Fëmijët duhet të kenë informacion mbi besimet për të cilat dinë pak ose nuk dinë asgjë. Mësimdhënia e lëndës së fesë nuk e kthen shkollën në fetare. E funksionimi i mirë i demokracisë varet edhe nga niveli i njohurive të qytetarëve të saj, me besim tek Zoti..

Harmonia e besimeve fetare, (brenda familjes së autorit të këtij shkrimi, ekzistojnë të katër besimet fetare më të mëdha të vendit) duhet shoqëruar me doemos me forcimin e kulturës së besimit për secilin sekt. Shpesh ulemi pranë tavolinës së kremtimit të Bajramit, Pashkëve dhe Hashures, por pa pasur ndonjë vëmendje të duhur për të ndjekur dhe ritet e zakonet e tyre të moralit, të së mirës dhe virtytit. Shoqëria jonë është laike dhe sekulare, por kjo nuk do të thotë se brenda saj nuk ka besimtarë, ose se ata janë një pakicë. Kurioz është fakti se shkollat që menaxhohen nga lëvizje fetare të ndryshme, janë ndër më parësoret në cilësinë e mësimit dhe frekuentimi i tyre bëhet mbi bazën e cilësisë së shkollimit dhe jo përkatësisë fetare.

Propozimi i kryeministrit mbeti në haresë. Shteti laik që ka në themelet e tij njohjen e lirisë së kultit dhe kjo është e sanksionuar në kushtetutën tonë ashtu si në të gjitha demokracitë liberale. Kur është fjala për edukimin fetar në shkollat publike qëllimi nuk duhet të jetë ekspozimi i parimeve teologjike dhe shpërndarja e dogmave, por ilustrimi kritik dhe historikisht në kontekstin e kohës i përmbajtjes së feve.

Atëherë edhe mësuesi, edhe drejtori i shkollës, edhe politikani në ditën e parë të shkollës do kenë të drejtën dhe arsyen ta mbushin gojën plot: “Urime dhe vit të suksesshëm, me bekimin e Zotit!”.

 

Burimi / gsh.al

 

[1] Sabri Hamiti,  “Poetika shqipe”, Shtëpia Botuese 55, Tiranë 2010, f. 294

[2] Shefik Osmani-Njazi Kazazi, “Abetaret shqipe dhe trajektorja e tyre historiko-pedagogjike” , Sh. B. Librit Shkollor, Tiranë 2000, f.107

[3] ‘Programe për shkollat fillore pesëklasësh” Tirana 1938, faqe 5

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top