Të gjithë priremi të ndryshojmë mënyrën e ushqyerjes kur bëhet fjalë për shëndetin e kilogramët e tepërt e të panevojshëm, por asnjëherë nuk e kemi seriozisht për mënyrën se si duhet ta nisim një diete. Para së gjithash, këshilla kryesore që duhet të ketë parasysh gjithkush është që para fillimit të një diete, duhet bërë kontrolli bazik i organizmit sa i takon gjakut, parametrave të organeve dhe aspektit fizik, e mandej të konsultohet me dietologun për të ballafaquar të dhënat shëndetësore me dietën që i lejohet organizmit të tij.
Pra, një herë e mirë duhet kuptuar se dieta nuk është një alternativë që po i bën mirë trupit tuaj vetëm e vetëm se e thotë përmbajtja e saj, por konsultimi i analizave me dietologun do t’jua bëjnë më të zgjidhshme kërkesat që ju keni për trupin tuaj.
Por deri sa të arrini në atë pikë, mund të ndiqni këto këshilla që në praktikën e përditshme janë mëse të pranueshme për çdo lloj organizmi.
Dietat e rekomanduara nga specialistët japin rezultat
Në qarkullim ka një pafundësi kombinimesh dietike. Kujdesuni që të mos arrini ndryshime dramatike, por gjithmonë zgjidhni dieta të ekuilibruara si ato me drithëra, perime dhe fruta të freskëta, sasi të moderuara proteinash, si: peshku, mishi i freskët pa yndyrë, si dhe pak qumësht, djathë dhe bulmetra të tjera. Dietat me bazë proteinash mund të japin rezultate të shpejta dobësimi, por më vonë do t’ju nxisin të hani më tepër dhe do të rrisin rreziqet për sëmundje kardiake dhe kancer.
Mëngjesi më i shëndetshëm
Një mëngjes i mirë mund të kontribuojë në dietën tuaj ditore për të dhënë kalori të mjaftueshme, proteina, një sasi të arsyeshme të karbohidrateve komplekse, pak yndyrna dhe shumëllojshmëri vitaminash dhe substancash minerale. Shumë njerëz nuk tolerojnë sasi të mëdha kalorish në mëngjesin e tyre, por sasia ideale do të ishte 400 deri 500 kalori për femrat dhe 550-650 kalori për meshkujt. Mëngjesi ideal do të ishte një kos biologjik me pak yndyrë, i përzier me një banane. Pastaj një gotë lëng portokalli shoqëruar me një copë bukë të zezë të thekur me mjaltë. Ose provoni një gotë përzierje me ujë, qumësht, dy lugë mjaltë, një lugë rrush të thatë dhe një gotë lëng portokalli dhe në fund një fetë bukë integrale të thekur.
Një drekë e shëndetshme
Dreka duhet të përbëjë një ekuilibër të plotë midis karbohidrateve dhe proteinave dhe pak yndyrna. Kjo sepse vakti juaj i mbrëmjes, nëse është i pasur me karbohidrate, do të përmbajë edhe një sasi të madhe të proteinave ditore. Nëse merrni sasi të madhe karbohidratesh gjatë drekës, rrezikoni të kaloni një pasdite të plogësht. Rekomandohet sallatë me peshk ton dhe domate të freskëta, një pjatë makarona dhe një mollë në vend të ëmbëlsirës. Ose provoni thjerrëzat dhe një supë zarzavatesh me pak bukë të thekur, si dhe në fund një portokall.
Vakti ideal për në darkë
Është momenti më i përshtatshëm për të konsumuar sa më pak karbohidrate, sepse japin një efekt qetësues, relaksim dhe ju ndihmojnë për gjumin e natës. Zgjidhni një vakt të pasur me karbohidrate, si drithërat, makaronat, patatet ose bishtajat, që do t’ju mbajnë edhe gjatë natës. Provoni një zog të pjekur me patate të reja me gjalpë, bizelet, sallatat, orizin, kajsitë dhe arrat apo frutat e shoqëruara me kos.
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 125
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.