Këshilla & Arsye

April 5, 2018 | 13:25

Nga Anila Kalleshi / Hidratimi në verë… ushqimet që përmbajnë ujë

Kur vjen stina e nxehtë e verës, të gjithë përpiqemi të kemi një trup jo thjesht të shëndetshëm fizikisht, por mbi të gjitha tërheqës. Para kësaj periudhe, priremi të marrim me rradhë të gjitha dietat e mundshme që ndihmojnë në uljen në peshë, sforcohemi me aktivitet fizik të shfrenuar, duke dëmtuar deri psikologjikisht veten për këmbënguljen në rezultatet e dëshiruara. Por, duhet të jeni të qartë se, rënia në peshë nuk mund të realizohet as me çajëra dobësimi e as duke gëlltitur kokrra apo ilaçe.

Anila Kalleshi Dietologe

Anila Kalleshi
Dietologe

Nuk ka asnjë ilaç për t’u dobësuar, që të jetë në gjendje të tresë dhjamin e trupit. Ilaçet si atromidi, miskleroni, lipavloni, lipostabili etj, mund të ulin yndyrnat e gjakut, por jo peshën dhe dhjamin në trup. Ka disa ilaçe që gjoja ndihmojnë rënien në peshë, duke prishur oreksin apo ilaçe hormonale si tiroidina që shtojnë djegien e lëndëve në organizëm. Të gjitha këto barna nuk rekomandohen, sepse janë të rrezikshme për organizmin.

Ilaçi i vetëm e më i mirë për uljen e peshës është vullneti dhe këmbëngulja për të ndjekur me rigorozitet dietën e varfër në kalori. Ato kalori që i lë mangët pjata e ushqimit, trupi i tërheq, i plotëson nga “pjata” e dhjamit të barkut. Rekomandohet të shtoni sidomos ecjen e shëtitjet në këmbë, shëtitjet me biçikletë, vrapimet e lehta, lojëra të tilla si ping-pongu, volejbolli etj. Kësaj diete fizike mund t’i shtoni në këtë periudhë ushqimet që përmbajnë shumë ujë e ndihmojnë në hidratimin e trupit. Duhet të kini besim që dhe me aq pak ushqim, trupi mbahet për bukuri e mund të përballojë si më parë punën dhe aktivitetin e përditshëm.

Siç dihet trupi ynë ka nevojë për ushqim dhe për të funksionuar, ka nevojë për karbohidrate, proteina, yndyrna, minerale, ujë dhe fibra. Konsumi i ushqimeve, të cilat përmbajnë më shumë ujë, na lejon të qëndrojmë të hidratuar dhe të arrijmë objektivin që mund ta realizojmë në një sasi të ngjashme me 8-9 gota ujë në ditë.

Kastravecët janë në krye të klasifikimit të ushqimeve të preferueshme për hidratimin në verë. Sasia ujit që përmbajnë shkon deri në 96.7%.

Selino përmban një sasi uji prej 95.4%. Ka pak kalori dhe është e pasur me fibra. Për më tepër, selinoja përmban vitaminë A, C dhe K.

Agrumet përmbajnë 90.5% ujë. Ato ndihmojnë për të reduktuar kolesterolin, por edhe për t’u dobësuar. Ndër agrumet e spikatura, qitro është më e pasura me ujë.

Shalqiri përmban 91.5% ujë. Në të vërtetë ai përmban edhe likopen.

Sallata Iceberg përbëhet prej rreth 95.6% ujë.

Rrepat e bardha përmbajnë 95.3% ujë. Janë perime pranverore, të pasur gjithashtu edhe me antioksidantë.

Domatet përmbajnë 94.5% ujë dhe ndihmojnë në ekuilibrimin e metabolizmit.

Lulelakra dhe lakra përmbajnë rreth 92.1% ujë, për më tepër, janë të pasura me vitamina.

Spinaqi përmban 91.4% ujë. Konsumi i gjallë i gjetheve garanton hidratim të shpejtë. Spinaqi është i pasur me luteinë, kalium, fibra dhe acid folik.

Luleshtrydhet përmbajnë 91.0% ujë. Në fakt, të gjitha frutat e pyllit janë të pasura me ujë, por luleshtrydhet kanë sasinë më të lartë.

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 122

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top