Mirëqenie

April 5, 2018 | 13:13

Nga Kleona Çaushi / Teleterapia, një nga mënyrat e trajtimit logopedik

“Mbaj mend se isha shumë nervoze para se të takoja klientin tim të parë nëpërmjet teleterapisë apo siç mund të themi ndryshe, terapia online. Para kompjuterit kisha fytyrën e qeshur të një djali të vogël, i cili dukej si në padurim që të filloja. Në krah i qëndronte e ëma, pak ankthioze në dukje, por me shumë shpresë (mamaja në këtë rast do ishte ndihmës terapistja).

Kleona Çaushi / Logopediste, Terapiste

Kleona Çaushi / Logopediste, Terapiste

Filluam të bisedonim rreth ditës së tij dhe çfarë i pëlqente të bënte. Treguam histori, bëmë disa ushtrime frymëmarrjeje, metoda komunikimi, luajtëm dhe ai mori shpërblim emocional. Ishte e mrekullueshme se si papritur dhe krejt natyrshëm futesh në përdorim të teknikave të tilla për të vlerësuar dhe kuptuar gjendjen e të folurit. Ishte e njëjta gjë siç bëja prej shumë vitesh në seancat terapeutike ballë përballë.

Personalisht u njoha me teleterapinë para dy vitesh, kur fati më solli në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe m’u dha mundësia të punoja në një nga qendrat më të mëdha në ndihmë të fëmijëve me probleme zhvillimi apo të foluri.

Teleterapia online i vjen në ndihmë të gjithë fëmijëve të cilët jetojnë larg në zonat rurale dhe e kanë të vështirë të gjejnë një terapiste logopediste në vendet ku banojnë. Është lehtësi e madhe për fëmijët, prindërit e të cilëve punojnë deri vonë gjatë javës dhe nuk kanë kushtet e përshtatshme për të çuar fëmijën në qendrat e posaçme.

Shumë prej jush mund të jenë skeptikë, të kenë mijëra pyetje rreth “Terapisë nga kompjuteri”. Kështu më ndodhi edhe mua në fillim. Ishte pak situatë e vështirë, përgjegjësi dhe ankth, por hallka kyçe e kësaj metode, për ta ofruar shërbimin në shtëpi, është komunikimi i vazhdueshëm midis terapistit dhe ndihmësit, pra personit që merr përsipër të asistojë fëmijën nga afër dhe të më ndihmojë nga ana teknike për shembull, që kamera të jetë e pozicionuar në vendin e duhur dhe unë mund të shoh gjithçka.

Në ditët e sotme fëmijët janë shumë të motivuar nga teknologjia. Shumë prej tyre e kanë të vështirë të përfundojnë detyrat e tyre në fletore, ndërkohë që janë profesionistë të shkruajnë në kompjuter. Nëpërmjet teknologjisë ne mund të përdorim materiale të ndryshme, video dhe figura për të motivuar fëmijën dhe për t’i shpërblyer ata në rastet e një pune të mirë.

Në seancat terapeutike online pa diskutim mund të përballemi dhe me sjellje sfiduese, fëmijë të cilët nuk dëshirojnë të bashkëpunojnë dhe të angazhohen në terapi, pasi ushtrimet e gjuhës dhe të folurit shpeshherë mund të jenë të vështira për ta. Në seancat tipike individuale, do të ishim afruar te fëmija dhe nëpërmjet lojës do të mundoheshim të kuptonim se çfarë i pëlqen…

Po përballë kompjuterit çfarë ndodh?!

“Ishim diku nga mesi i terapisë kur fëmija u mërzit dhe nuk dëshironte të bashkëpunonte. Qëndronte me kokën ulur, nuk shihte nga kompjuteri dhe përsëriste: “Nuk dua të rrimë”. Fillova ta pyesja se çfarë dëshironte të bënte, dhe më tha: “Dua të luaj me puzëll”. Menjëherë kërkova në internet një lojë të tillë. Fëmija e pëlqeu shumë. Luajtëm dhe komunikuam shumë mirë deri në fund”.

Për çfarë ndihmon teleterapia?

Teleterapia u vjen në ndihmë jo vetëm fëmijëve në pamundësi për të ndjekur terapinë ballë përballë, por dhe të gjithë atyre profesionistëve të cilët nuk kanë mundësinë të punojnë jashtë shtëpisë së tyre. Ka dhe kjo sfidat e veta, pasi jo vetëm që duhet të jesh e trajnuar dhe ta njohësh shumë mirë punën që të pret, por duhet të krijosh një hapësirë të qetë, private dhe të këndshme për të zhvilluar procesin. Hapësira për teleterapinë logopedike duhet të jetë e qetë, pa zhurma dhe pa njerëz të tjerë. Klienti duhet të na dëgjojë pastër.

Është e rëndësishme të mos kemi shpërqendrues (fëmijë të tjerë, televizorë etj). Pjesëtarët e tjerë të familjes nuk duhet të dëgjojnë seancën terapeutike, duke ruajtur privatësinë e çdo klienti gjatë trajtimit. Mbani të njëjtën pamje të hapësirës tuaj çdoherë që jeni online, kështu klienti është i përgatitur se çfarë e pret. Kujdesuni që çdo send, lodër apo material i nevojshëm të jetë në vendin e vet, me qëllim që ta keni të lehtë gjetjen e tyre dhe mbarëvajtjen e terapisë. Nëpërmjet teleterapisë ju sërish mund të krijoni një lidhje me klientin. Është e njëjta terapi me të njëjtat rezultate sikurse terapia individuale.

Nëpërmjet teleterapisë unë kam mësuar të zgjeroj aftësitë e mia ndërhyrëse dhe jam rritur si profesioniste. Kam kuptuar se s’ka rëndësi nëse janë terapi virtuale apo jo, ajo çfarë ka rëndësi, është se si i përdor aftësitë e tua me qëllim që t’i vish në ndihmë nevojave të fëmijës dhe kjo mund të arrihet me suksese dhe nëpërmjet teleterapisë.

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 122

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top