Në fokus

September 5, 2017 | 8:45

Nga Arjet Pervizi: Këndvështrim mbi bulizmin si fenomen në prag të fillimit të shkollës

Bulizmi nuk është një fenomen i ri, i shfaqur kohët e fundit, por ka historikun e tij të zhvillimit. Bulizmi është një formë e abuzimit dhe viktimizimit ndaj një personi apo një grupi. Bulizëm janë sjelljet e përsëritura, të dëmshme e agresive ndërmjet personave që ndryshojnë në nivelin e tyre të forcës, si fizike ashtu edhe psikologjike.

Arjet Pervizi Psikolog Klinik

Arjet Pervizi
Psikolog Klinik

Sipas perspektivave të studiuesve, bulizmi është një problem kompleks. Bulizmi nuk është një sjellje e izoluar që bazohet në variabla të tilla si statusi, pushteti dhe konkurrenca. Ai është një sjellje sociale që ndodh në grupe relativisht të qëndrueshme dhe përfshin pjesëmarrjen e të tjerëve në kapacitete të rregullta. Arora (1994), që investigoi konceptin e bulizmit me listën “jeta në shkollë” zbuloi se bulizmi përfshin veprime të dukshme, dhe ndodhin aktualisht ndërmjet të rinjve në shkollë, gjë që i bën ata të ndihen të lënduar ose nën stres ose të cilat perceptohen në mënyra të tjera si një problem prej tyre. Një sjellje bulizmi kryhet nga një individ dhe gjithashtu nga një grup ku bën pjesë edhe viktima. Ai është një ndërveprim në të cilin një individ ose grup dominant në mënyrë të përsëritur shfaq sjellje agresive që kanë për qëllim të shkaktojnë ankth te një individ më pak dominant. Autorët normalisht posedojnë një status social më të lartë në grupin e tyre se sa viktimat. Sipas Delwyn dhe Tattum (1989), bulizmi është një dhunë për një kohë të gjatë, fizike ose psikologjike, që kryhet nga një individ ose një grup dhe drejtohet kundër një individi që nuk është në gjendje të mbrojë vetveten në këtë situatë. Ai mund të ndodhë vetëm një herë ose dy, por normalisht kryhet në mënyrë të përsëritur dhe të vazhdueshme.

stop-bulizmi

Ndryshe nga aktet e tjera agresive që përfshijnë sulme të njëhershme ose afatshkurtra, bulizmi ndodh në mënyrë tipike vazhdimisht në periudha të zgjatura kohe, duke e lënë viktimën në një gjendje të qëndrueshme ankthi dhe frikësimi. Viktimat nga ana e tyre vuajnë abuzimin fizik dhe psikologjik të personave të tyre, izolimin dhe vetminë, pasigurinë dhe ankthin që lindin nga atmosfera trajtuese që i rrethon (Delwyn & Tattum, 1989). Ata nuk janë në gjendje t’i rezistojnë bulizmit.

Persekutorët i kryejnë sjelljet e bulizmit në mënyra të ndryshme Bulizmi mund të kryhet në një mënyrë fizike ose psikologjike. Mjetet e bulizmit për bulizmin fizik përfshijnë gjuajtjen, shtyrjen, luftimin, grushtimin, sulmin fizik ose rrahjen e viktimës. Mjetet e bulizmit psikologjik janë thërritja e emrit, krijimi i atmosferës kërcënuese, ngacmimi dhe kështu me radhë. Metodat e tjetërsuara mbahen nga kontaktimi me student të tjerë, injorimi, kritikimi, provokimi i një grindje, shfaqja e dobësisë, përqeshja, torturimi dhe frikësimi etj. Ky tjetërsim është mjaftueshëm serioz për fëmijët e vegjël që të frikësohen për të shkuar në shkollë.

Megjithatë, agresioni verbal (si thërritja e emrit), agresioni psikologjik (si poshtërimi) dhe agresioni social (si përjashtimi nga një aktivitet grupi) etiketohen si bulizëm. Comie-Olafsson & Liefooghe (2002) kryen një studim në të cilin katërmbëdhjetë shtete morën pjesë dhe aplikohej për nxënësit e moshës tetë vjeç dhe nxënësit e moshës 14 vjeç. Rezultatet e tyre treguan që fëmijët e vegjël e lidhnin bulizmin me agresionin fizik, fëmijët e mëdhenj përfshinin përjashtimin social.

2

Karakteristikat e agresorit

Oleus (Olweus 1994) hulumtoi se persekutorët karakterizohen nga një potencial i lartë i agresivitetit të përgjithshëm. Ata sulmojnë, në një mënyrë ose në një tjetër, jo vetëm viktimat e tyre, po gjithashtu mësuesit, prindërit dhe vëllezërit e motrat e tyre.  Ata kanë mungesë ndjeshmërie me viktimat, dhe kanë një nevojë të madhe për të dominuar të tjerët. Mes djemve, persekutorët janë fizikisht më të fuqishëm se bashkëmoshatarët e tyre. Sipas pikëpamjes së psikologëve, individët agresiv janë në të vërtetë të shqetësuar dhe të pasigurt ´nën sipërfaqe´ dhe kanë gjithashtu një nivel shumë të ulët vetë-vlerësimi. Megjithatë, Oleus (Olweus 1993) zbuloi rezultate të kundërta në studimet e tij në aspektin e pasigurisë së persekutorëve.

Dy lloje autorësh u gjetën (Olweus, 1994; Poulin & Boivin, 1999). Njëri prej tyre është autor proaktiv, që përdor agresionin si një instrument për të arritur qëllimin e tij, dhe tjetri është një autor reaktiv, që përdor agresionin si një reagim ndaj provokimit. Për të bërë një dallim të qartë, autorët proaktiv janë persekutori dhe autorët reaktiv janë persekutorë, dhe në të njëjtën kohë, mund të jenë viktima. Për këtë arsye, autorët reaktiv, quhen gjithashtu viktima agresive, provokative ose agresor të paefektshëm.

Karakteristikat e viktimave

Është normale që viktimat janë fizikisht më të dobët se persekutorët e tyre ose me të meta. Disa prej viktimave ngacmohen për shkak të pamjes së tyre të veçantë (Olweus, 1993). Karakteristikat e ndryshme të viktimave mund të përfshihen në dy kategori përfaqësuese të viktimave; njëra është viktima e nënshtruar dhe tjetra është viktima reaktive.

Viktimat e nënshtruara

Sipas Oleus (Olweus 1994), viktimat e nënshtruara janë zakonisht të shqetësuar dhe të pasigurt, me një tendencë për të qenë të kujdesshëm, të ndjeshëm dhe të rezervuar. Në një studim të kryer nga Oleus (Olweus 1993) u intervistuan prindërit e viktimave. Ata raportuan që fëmijët e tyre kishin qenë të kujdesshëm dhe të ndjeshëm që në moshë të vogël. Në rast se ata janë djem, ata ishin fizikisht më të dobët se djemtë në përgjithësi (Olweus, 1978). Reagimi i tyre tipik ndaj të qenit i ngacmuar, nuk është rezistimi, por mbyllja dhe përpjekja për të shmangur torturuesit e tyre. Ata kanë përgjithësisht një këndvështrim negativ për veten e tyre dhe situatën e tyre të përditshme, dhe ata kanë tendencën të jenë vetëm, të izoluar dhe jo-agresiv. Ata vuajnë nga vetëvlerësimi i ulët, shpesh e konsiderojnë veten si një dështim ose si një humbës dhe ndihen të trashë, të turpshëm dhe jo-tërheqës.

Viktimat agresive

Viktimat agresive përshkruhen nga një model sjellje mbi-reaktiv dhe emocionalisht të çrregullt. Ata karakterizohen nga një kombinim i modeleve të reagimit të shqetësuar dhe agresiv. Ata zemërohen dhe provokohen lehtësisht. Ata janë sa të ngjashëm aq edhe të ndryshëm nga dy persekutorët dhe nga viktimat e nënshtruara. Ata janë reaktive por nuk përdorin agresionin si një instrument për të arritur qëllimin e tyre, ndërsa persekutorët përdorin një metodë agresive si një instrument. Viktimat agresive përdorin agresionin si një hakmarrje ndaj një provokimi nga bashkëmoshatarët e tyre, të cilin ata e perceptojnë si kërcënim. Ajo mund të jetë një përgjigje emocionale, jo një iniciativë e llogaritur. Viktimat agresive e dallojnë vetveten nga persekutorët, për shkak se ata nuk zgjedhin sistematikisht fëmijët më të dobët si objektiv të agresionit të tyre. Ata mund të përdorin agresionin si rezultat i humbjes së vetë-kontrollit.

bullizmi-ne-shkolla-femijet-640x330

Karakteristikat e persekutorit viktimë

Disa studime (Perry 1988; Schwartz, McFadyen-Ketchum, Dodge, Pettit & Bates, 1998) zbuluan që viktimizimi është shumë i lidhur me sjelljen e brendshme dhe të jashtme. Kjo sjellje e jashtme (e karakterizuar nga agresioni, përçarja, sjellja antisociale) është më tipike e persekutorit-viktimë, që veprojnë si persekutorë dhe viktima. Ata ngacmojnë dhe kërcënojnë ato që janë më të dobët se vetja e tyre, por ata janë gjithashtu objekt i bulizmit nga persekutorët kryetar, të cilët mund të mbështeten te pushteti dhe fuqia e tyre. Persekutorët/viktima shfaqen si të shqetësuar, hiperaktiv dhe agresiv. Ata hakmerren përballë të keqes dhe përdorin agresionin për të mbrojtur veten kur irritohen, por kundër-agresioni i tyre është zakonisht jo-efektiv dhe rezulton vetëm në bërjen e persekutorit më të pamëshirshëm (Egan & Perry, 1998; Pellegrini, 1999; Salmivalli, Karhunen, 1996).

Shkaqet e bulizmit dhe viktimizimit

Sipas Bolton dhe Anderud (Boulton & Underwood 1992) persekutorët pretendojnë se i ngacmojnë të tjerët për shkak se ata  janë provokuar, ndonjëherë ata madje nuk e dinë pse persekutojnë. Viktimat mendojnë se persekutohen për shkak se janë më të dobët dhe nuk janë në gjendje të mbrojnë veten. Megjithatë, viktimat shpesh nuk shohin ndonjë arsye se përse persekutohen, gjë që pretendohet edhe nga ato fëmijë që nuk janë të përfshirë (Whitney dhe Smith, 1993).

Natyrisht, shkaqet e rrënjosura thellë të sjelljes së bulizmit mund të gjenden në temperamentin e fëmijës dhe përbërjen gjenetike, në mjedisin familjar dhe kulturor, në klimën dhe politikën e shkollës (Olweus, 1993; Rigby, 1997; Ross, 1996). Për shembull, është pretenduar (Olweus, 1993) që “pak dashuri/përkujdesje dhe shumë ´liri´ në fëmijëri” nga ana e prindërve, si dhe ndëshkimi fizik, janë kushtet që rrisin mundësinë e zhvillimit të një modeli agresiviteti (Olweus, 1978). Junger – Tas dhe van Kesteren (1999) gjithashtu zbuluan që një prej parashikuesve më të fortë të bulizmit dhe delinkuencës ishte mungesa e mbikëqyrjes nga prindërit, të cilët shpesh nuk dinin ku dhe me kë e kalonin kohën e tyre të lirë fëmijët e tyre. Fëmijët agresivë është zbuluar që janë rritur në familje ndëshkuese dhe të ftohta dhe janë ekspozuar ndaj modeleve agresive të të rrituve të cilat mund të veprojnë si përforcuese të sjelljeve agresive (Fonzi, Ciuçi, Berti & Brighi, 1996).

Nga ana tjetër, mbimbrojtja në familje (Olweus, 1993; Rigby, 1997) mund të shkaktojë viktimizim, si dhe prindërit autoritar, jo të gjallë dhe jo-spontan (Randall, 1997). Fonzi (1996) zbuloi që viktimat i perceptonin prindërit e tyre si indiferent kur ata i raportinin viktimizimin atyre. Schwartz (1997) pretendonte se viktimat agresive (d.m.th persekutor/viktimat) karakterizoheshin nga e kaluara e ashpër dhe mjedise abuzive në shtëpi dhe ishin shpesh objekt i abuzimit fizik në shtëpi. Për më tepër, viktimat agresive shpesh dëshmonin dhunë ndërmjet të rriturve në shtëpi.

Mosha dhe shfaqja sjelljeve buliste

Përgjithësisht bulizmi bie me rritjen e moshës, pavarësisht se ka një rritje të ndjeshme kur nxënësit kalojnë nga shkolla 9-vjeçare në atë të mesme (Olweus, 1993; Smith, 1999; Pellegrini and Long, 2002; Salmivalli, 2002; Griffin and Gross, 2004; Pepler, 2006). Ndërkohë që fëmijët rriten, ata fitojnë aftësi më të mira sociale, të cilat duket se i ndihmojnë të mbrohen  nga bulizmi (Smith, 1999), por gjithashtu ka edhe një numër të vogël nxënësish të cilët shfaqin sjellje buliste dhe që janë tipikisht të rritur si nxënës (Smith, 1999; Carney and Merrell, 2001; Griffin and Gross, 2004).

Dallimet gjinore dhe bulizmi

Bulizmi nuk është specifik për njërën gjini. Edhe pse strategjitë ndryshojnë nga femrat tek meshkujt, të dyja gjinitë janë të aftë për sjellje buliste (Felix & McMahom, 2006) Meshkujt viktimizojnë edhe meshkujt edhe femrat ndërsa femrat kanë tendencën të viktimizojnë vetëm femrat e tjera (Felix & McMahom, 2006). Zakonisht bulistët meshkuj i ngacmojnë viktimat e tyre fizikisht apo në mënyrë verbale. Ata e bëjnë këtë haptas dhe shpesh edhe përpara audiencës së moshatarëve të tyre (Chapell, 2006). Bulisti mashkull ka më shumë gjasa të ekzekutojë akte të dhunshme dhe abuzim të dhunshëm fizik që përfshin goditjet me shpulla, grushte, shqelma apo goditjen me objekte të tjera (Steffensmeier, Schwartz, Zhong, & Ackerman, 2005). Edhe pse meshkujt janë të përfshirë më tepër në dhunë fizike, nuk përjashtohen edhe rastet kur e shhfaqin bulizmin në forma të tjera (Salmivalli & Isaacs, 2005; Dake, 2003). Bulistja femër ka më shumë gjasa të përdor bulizmin social, thashethemet dhe përhapjen e fjalëve për të ngacmuar femrat e tjera që janë më të dobëta dhe lehtësisht të ngacmueshme (Hammel, 2008; Marini, 2006). Ndryshe nga bulisti mashkull që i shfaq haptas sjelljet buliste, bulistja femër i përsekuton viktimat e saj pa tërhequr vëmendjen e të tjerëve  (Marini, 2006). Shpesh bulistet femra nuk arrijnë të dallohen nga mësuesit apo të rriturit e tjerë për arsye se kanë disa karakteristika pozitive të tilla si lidershipi apo rezultate të larta në mësime (Hammel, 2008). Strategjitë e përdorura nga djemtë dhe vajzat për të përballuar bulizmin janë të ndryshme. Vajzat zakonisht reagojnë me pafuqi, ndërsa djemtë përgjithësisht përgjigjen me kundër-agresion (Kochenderfer & Ladd, 1997; Salmivalli, Karhunen, 1996; Smith, Shu & Madsen, 2001). Është zbuluar gjithashtu që vajzat shqetësohen dhe trazohen më shumë nga agresioni social dhe relacional (Crick, Werner, 1999; Paquette & Underwood, 1999). Ndryshimi i veprimeve buliste të femrave dhe të meshkujve po bëhet gjithnjë e më pak i dukshëm pasi që vajzat po përfshihen gjithnjë e më shumë në dhunë fizike (Steffenmeier, 2005).

Efektet e bulizmit

Të qenit i ngacmuar nga të tjerët përfshin problemin psikologjik dhe të sjelljes te viktimat. Kwak dhe Lee (1999) zbuluan që viktimat e bulizmit dhe persekutori-viktimë tregonin më shumë tendenca depresive se nxënësit dhe persekutorët normal. Rigby (2000) zbuloi që niveli i lartë i viktimizimit dhe niveli i ulët i mbështetjes sociale lidheshin me ankthin më të madh, depresionin, mosfunksionimin social dhe simptoma psikosomatike. Craig (1998) gjithashtu zbuloi që viktimat kishin nivel më të lartë ankthi dhe depresioni se persekutorët.

Sipas studimit që është kryer me nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e katërt të shkollës fillore (Shari Miller- Johnson, John D. Cole, Anne Maumary-Gremaud, Karen Bierman dhe Grupi i Kërkimit të parandalimit të Problemeve të Sjelljes, 2002), të qenit i refuzuar dhe agresioni nga bashkëmoshatarët lidhej me sjelljet impulsive dhe reaktive emocionalisht. Veç kësaj, të qenit i refuzuar nga bashkëmoshatarët në klasën e parë mund të parashikonte fillimin e hershëm të problemeve të sjelljes në klasën e tretë dhe katërt.

Sjellja e persekutorit formohet në njëfarë mase nga reagimet e viktimës. Sipas Salmivalli (1996), disa i përgjigjeshin bulizmit me kundër-agresion (p.sh. duke kthyer gjuajtjen, duke ngritur zërin) dhe të tjerë duke u bërë të pafuqishëm (p.sh. duke qarë, duke lënë shkollën, duke kërcënuar se do të raportojnë incidentin tek mësuesja). Disa prej viktimave reagojnë në mënyrë shumë agresive jo vetëm ndaj sulmuesit, por gjithashtu ndaj bashkëmoshatarëve të tjerë. Dombeck (2007) gjeti që efektet e bulizmit vazhdojnë edhe në moshën e rritur, shumë kohë pasi është ndërprerë bulizmi. Kaple (Chapple, 2005) gjeti se kur fëmijët përjashtohen nga moshatarët e tyre ata kanë pak mundësi të krijojnë marrëdhënie pozitive me të tjerët.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top