Psikofakt

September 5, 2017 | 8:30

Mbërritja e Nënë Terezës në Shqipëri, ish-ambasadori shqiptar në OKB Bashkim Pitarka: Si i negociova bisedimet

Nënë Tereza mbërriti në Shqipëri, aty ku ia kishin ndaluar gjithmonë vendzbritjen. Rruga ishte e gjatë, kërkesat të shumta, por në fund zyrtarët komunistë që e kishin parë me syrin e armikes, e lejuan nobelisten shqiptare të zbriste në aeroportin modest të Rinasit, pikërisht aty ku vite më pas porta hyrëse nga ajri për në Shqipëri do të merrte emrin e saj…

Leonard Veizi, shkrimtar, gazetar

…Vetëm 12 orë do të duhej që radiogramet shifër të udhëtonin nga rezidenca shqiptare e Manhatenit, për në selinë e Ministrisë së Jashtme në Tiranë. Dhe prej andej për në Komitetin Qendror, ku Ramiz Alia në zyrën e Sekretarit të Parë mendohej se cilat do të ishin hapat e tjera që do të hidhte për t’i dhënë frymëmarrje vendit të izoluar prej 40 vjetësh diktaturë. Nuk kishte as dy muaj që nga koha kur 5.600 shqiptarë e kishin braktisur atdheun socialist, duke kërkuar strehim nëpër ambasadat e huaja të kryeqytetit. E në këto çaste, vizita e Nënë Terezës dukej se ishte një ogur i mirë.

INTERVISTA

 

Bashkim Pitarka, ish-ambasadori shqiptar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara

Bashkim Pitarka, ish-ambasadori shqiptar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara

Kur do të emëroheshit ambasador në OKB?

Në vitin 1986. Por në vitin 1990 duke parë dhe situatën e trazuar në Shqipëri, kërkova të largohesha nga posti. Në atë kohë unë isha caktuar si kryenegociator për të vendosur marrëdhëniet diplomatike me Amerikën. Ishte marsi i vitin 1990. Dy vite më parë, në vitin 1988 kisha paraqitur letrat kredenciale edhe në Kanada. Pra me Kanadanë ishin vendosur marrëdhëniet diplomatike. Ndërsa në fillim të muajit maj, u thirra nga Tirana për të pritur e shoqëruar shefin e OKB-së, Peres De Kuelar, i cili mbërriti në Rinas në 2 maj 1990.

Cilat do ishte lëvizja e radhës që do linte shijen e ndryshimeve?

Vizita e Nënë Terezës. Ajo ishte shumë kuptimplotë në ato çaste. Mesa mora vesh më vonë edhe në takimin që patën kokë më kokë, Ramiz Alia-De Kuelar, ky i fundit e kishte ngritur problemin e Nënë Terezës. De Kuelar, ashtu si shkarazi ia kish ngritur pyetjen Ramiz Alisë se përse i refuzohej viza Nënë Terezës dhe, si mik i vendit tonë, këshillonte t’i jepet fund këtij gabimi. Ai i përmendi Alisë faktin se kjo çështje përdorej si argument i fortë i “kritikëve” të gjendjes së të drejtave të njeriut në Shqipëri. Duhet theksuar këtu fakti, se në përgatitjet për vizitën e De Kuelarit në Tiranë, diplomatët serbe e greke bënë lobingje edhe me lobet e përfaqësues të shteteve anëtare në OKB e në shtyp, që të silurohej kjo vizitë, nën pretendimin e shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut, të të drejtave të minoriteteve, etj. Por është gjithashtu fakt se edhe brenda sistemit të OKB-së, kryesisht nga Komisioni i të Drejtave të Njeriut të OKB-së në Gjenevë, iu kërkua Perez De Kuelarit që në axhendën e tij të bisedimeve me presidentin dhe zyrtarët e tjerë të lartë shqiptarë, të fokusoheshin çështjet e të drejtave të njeriut. Dhe këtu, siç kuptohet, hynte si shigjetë mohimi i dhënies së një vize për Nënë Terezën.

nene-tereza-gjate-vizites-ne-shqiperi-2-e1350641417331

Vizita e parë e Nënë Terezës në tokën shqiptare

Si do të mbërrinte ajo në Shqipëri?

Në fakt unë kam qenë negociatori, midis Misionit të Nënë Terezës e Qeverisë Shqiptare. Në 24 gusht 1990 në përfaqësinë shqiptare, rezidenca të cilës ishte në Manhaten – Nju Jork, trokiti një zonjushë, e cila kërkoi ambasadorin duke thënë se ishte kanadeze. Në atë kohë ne nuk prisnim në ambasadë asnjë shtetas amerikan, meqenëse nuk kishim marrëdhënie diplomatike. Dola dhe e prita. U prezantua si Zhanette Petrie dhe si kronistja e Nënë Terezës. Ajo më tha: “Zoti ambasador, mund të ndërhyni që Nënë Tereza të marrë një vizë e të udhëtojë për në Shqipëri. Ajo insiston të shkojë në Shqipëri, te varri i nënës së saj për të vënë një tufë me lule. Por mund të kërkojë të hapë dhe misionin e saj në këtë vend, jo me qëllime fetare, por thjesht humanitare”. Pastaj ajo më tregoi dy videokaseta të realizuara prej saj nga takimet e shumta të Nënë Terezës nëpër botë.

Cila do të ishte përgjigja juaj?

I shpjegova kronistes se nuk mund të flisja apriori, sepse kjo ishte një çështje që vendosej nga instancat e larta të shtetit shqiptar, por se unë do ta përcillja menjëherë kërkesën e saj në Qendër. Por e sigurova gjithashtu se do të isha dashamirës ndaj kësaj kërkese, duke i referuar Tiranës zyrtare edhe mendimin tim personal, sepse unë isha mik në familjen e Nënë Terezës. I shpjegova Zhanetës se në rininë time njihja Agen, motrën e Nënë Terezës, e cila më kishte qepur një këmishë dhe më jepte mësime italishteje. Gjatë kësaj kohe nëna e Ages, nënë Drania, u nda nga jeta dhe unë mora pjesë në varrimin e saj duke vënë dhe një tufë me lule mbi varr. Madje, atje kam njohur dhe miken e afërt me familjen Bojaxhiu që ishte Marije Kraja.

Si e priti Zhanet Petri këtë lajm?

Ajo ishte entuziaste dhe më tha se vetëm dy ditë më pas, në 26 gusht Nënë Tereza kishte ditëlindjen. Mbushte plot 80-vjeç. Atëherë unë shpreha dëshirën time që për këtë përvjetor t’i bëja Nënë Terezës një telefonatë personale, jo si ambasador, por si mik i familjes.

Sapo përcolla Zhenet Petri, i dërgova një telegram me shifër Qendrës ku e vija në dijeni për gjithçka rreth vizitës së kronistes së Nënë Terezës dhe kërkesës së kësaj të fundit për të bërë një vizitë në Shqipëri. Madje nuk harrova të përmend dhe faktin që mes të tjerash Nënë Tereza do të kërkonte dhe ngritjen e misionit të saj në Shqipëri, si i vetmi vend në botë ku ajo nuk kishte përfaqësues. Por duke qenë se unë isha dhe analist, dhashë dhe mendimin tim duke e lidhur gjithçka me zhvillimet e fundit ndërkombëtare. Kështu më duhej të bëj një analizë logjike se përse Nënë Tereza kërkonte të vinte në Shqipëri. Por gjithashtu, unë e njoftova qendrën edhe për 80-vjetorin e Nënë Terezës. Sugjerova që t’i bëhej një telegram si dhe kërkova që nga ana ime t’i bëj një telefonatë urimi me të drejtën e mikut të familjes. Për të gjitha këto unë guxoja, duke ditur se si po shkonin punët. Ndërkohë sugjerova që Nënë Terezës mund t’i jepej një vizë për në Shqipëri gjatë ndonjë udhëtimi të “rastësishëm” të saj në Itali, ku këtë detyrë ta merrte ambasadori ynë në Romë, Dashnor Dervishi. Vetëm 12 orë më pas në emër të Ramiz Alisë, erdhi përgjigja. Në radiogramin shifër që erdhi në emër të Ramiz Alisë, unë njoftohesha se kërkesa e Nënë Terezës për të vizituar Shqipërinë pranohej dhe se këtë njoftim duhet t’ia bëja unë. M’u bë gjithashtu e ditur që Nënë Tereza do ta merrte vizën shqiptare, në Romë, në aeroportin e Fiumiçinos. Ndërkohë m’u bë e ditur se ishte vendosur që me rastin e 80-vjetorit të ditëlindjes së saj, në emër të Frontit Demokratik, një telegram urimi do të nënshkruhej nga Nexhmije Hoxha.

Kur e lajmëruat Nënë Terezën për pranimin e vizitës së saj në Shqipëri?

Ditën e 80-vjetorit të lindjes së saj. E mora në telefon për ta uruar. Natyrisht doli sekretarja. U prezantova. I menjëhershëm ka qenë reagimi i Nënë Terezës, e cila ia ka marrë nga dora sekretares së saj receptorin. Biseda nuk ishte e gjatë dhe u zhvillua në anglisht. Ajo më tha tekstualisht: “Ambasador, u bëfsha zog me flatra që të vij aty e të t’i puth duart, sepse me ato duar ke vënë lule në varrin e nënës time”. Ajo më tha gjithashtu se Zhanet Petri e kishe informuar mbi gjithë takimin tonë. Në fund më tha këto fjalë shqip “Të bekoftë perëndia”.

Si do të mbërrinte Nënë Tereza në Shqipëri?

Unë nuk e ndoqa vizitën e saj. Kur Nënë Tereza mbërriti në Shqipëri, unë ndjeva një kënaqësi të veçantë që më në fund ishte ndërmarrë një hap i tillë historik. Nënë Tereza i duhej Shqipërisë dhe frymës së re demokratike që po trokiste në vendin tonë. Ajo sigurisht nuk fliste për demokracinë, por për paqen dhe dashurinë njerëzore, të cilat aq bukur ishin mishëruar në shpirtin zemrën e saj, në Kalkutë dhe në të gjithë botën. Të them të drejtën edhe si diplomat ndihesha i çliruar, sepse Shqipëria jo rrallë dënohej në rezolutat e ndryshme që bëheshin në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, për shkeljen e të drejtave të njeriut.

Në parantezë, a kishte shumë debate mbi Shqipërinë kur flitej për liritë e njeriut?

Eh sa herë na duhej ne diplomatëve shqiptarë të kërcenim përpjetë në sallat e konferencave ndërkombëtare kur Shqipëria kritikohej apo përmendej për shkeljen e të drejtave themeltarë te njeriut dhe jo rrallëherë mosdhënien e vizës për hyrjen në Shqipëri të Nënë Terezës, gruas së mençur e të famshme dhe veprimtares së shquar të paqes e dashurisë njerëzore. Dhe duhet të dimë se mbi të gjitha, Nënë Tereza ishte ambasadorja më e madhe e kombit shqiptar në botë. Sepse ajo kudo që shkonte deklaronte: Jam shqiptare. Pra gëzohesha që u realizua vizita e Nënë Terezës në Shqipëri dhe që diplomatët shqiptarë nuk do të ishin më i detyruar të punonin për të zhdukur sadopak efektet akuzuese e propagandistike të moslejimit të së madhes Nënë Tereza në Shqipëri.

Nënë Tereza dhe Nexhmije Hoxha

Nënë Tereza dhe Nexhmije Hoxha

Ju ishit ndërmjetësi i vizitës së saj në Shqipëri. Por a jeni takuar ndonjëherë me të?

Në vitin 1991, kur unë isha kthyer në Atdhe, pas kërkesës time këmbëngulëse, për arsye familjare që të lija detyrën time si ambasador në OKB, një ditë mora rrugën dhe shkova te qendra bamirëse e motrave të Nënë Terezës. Rezidenca e saj ishte vendosur në një lagje të vjetër tiranase dhe në atë kohë Nënë Tereza ndodhej aty. Fillimisht u vura në pozitë të vështirë dhe u detyrova të mbaj radhë për t’u takuar me të. Ishin me qindra njerëz, të cilët ishin futur në radhë për të takuar Nënë Terezën dhe motrat e saj. Kishte që donin ta takonin për qëllime fetare, por kishte dhe të sëmurë që kërkonin ndihmën dhe bekimin e saj.

Qëndruat gjatë në radhë?

Mund të kisha qëndruar gjatë. Por për fat një kolegia ime e Ministrisë së Jashtme, Natasha Haznedari, e cila ishte shoqëruese dhe përkthyese e Nënë Terezës në vizitat e saj në Shqipëri, më pa dhe më thirri. Ajo më çoi drejt e brenda në qendër dhe njoftoi për mbërritjen time. Mbas pak Nënë Tereza zbriti shkallët me shpejtësi dhe e gëzuar që po më shikonte më në fund m’u drejtua me urimin “Të bekoftë perëndia ambasador Pitarka”. Ajo më mori për dore, më shoqëroi kudo për të parë dhomat e misionit, si dhe më prezantoi me motrat e saj duke përdorur lëvdata dhe elozhe për implikimin tim mbi ardhjen e saj për herë të parë në Shqipëri.

 

Nënë Tereza me Sali dhe Liri Berisha dhe Papa Gjon Palin e Dytë.

Nënë Tereza me Sali dhe Liri Berisha dhe Papa Gjon Palin e Dytë

Po roli i amerikanëve cili ishte lidhur me zhvillimet shqiptare të kësaj kohe?

Ardhja e Nënë Terezës në Shqipëri nuk ishte një vizitë turistike apo për një shërbesë në varrin e së ëmës, por një provë e fortë në kuadrin e bisedimeve zyrtare që po zhvilloheshin në atë kohë midis Departamentit të Shtetit dhe mua, si kryenegociator i palës shqiptare për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Unë thellësisht mendoja se kjo kërkesë, e cila fare mirë mund të bëhej në Romë apo Paris, ku ambasadat tona merreshin me çështje vizash, ishte tatim pulsi, pra trokisnin në derën e selisë ku ndodhej bashkëbiseduesi i tyre për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Të marrit me një çështje të tillë kaq delikate në kohën e regjimit komunist, kërkonte kujdes e vëmendje të posaçme, por edhe pak guxim në paraqitjen e çështjeve nga ana ime dhe e kolegeve e mi në mision. Në ato vite Shqipëria ishte kritikuar shumë për shkeljen e të drejtave të njeriut dhe nëse nuk do të pranohej kërkesa e Nënë Terezës për të vizituar varrin e nënës së saj në Shqipëri, kjo do të tregonte se Shqipëria ishte po aq radikale në qëndrimet e saj sa dhe vite më parë. Ndërkohë isha përzgjedhur unë për të ndërhyrë, sepse isha dhe kryenegociatori për të vendosur marrëdhëniet e Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara. Sipas logjikës time, ky ishte një tatim pulsi, për të nxitur zhvillimet e mëtejshme në Shqipëri. Dhe pas kësaj ishin amerikanët.

Thënë shkurt vizita ishte një akt politik. Në ato çaste më kaloi si në një film gjithë çështja e refuzimit të një vize apo e kontakteve të diplomateve tanë me Nënë Terezën, për shkaqet e veprimtarisë dhe qenies së saj si misionare fetare, se si refuzimi i hyrjes së Nënë Terezës në Shqipëri, qoftë edhe për një vizitë në varrezat e nënës e familjes së saj, ishte bërë shpesh një argument i fortë në komisionet e OKB-së mbi të drejtat e njeriut për kritika e rezoluta të forta kundër vendit tonë. M’u kujtua fakti se ndonjë prej paraardhësve të mijë ambasadorë pranë OKB në vite të shkuara, u ishte dashur t’i fshiheshin ose të largoheshin nga sallat e korridoret e selisë së OKB-se kur aty ishte për vizitë Nobelistja dhe Humanistja e Madhe shqiptare, Nënë Terezë.

Ftesa nga Vatikani

“Disa vite më parë, kronistja Zhanet Petri më njoftoi për zhvillimin e ceremonisë në Vatikan, ku humanistja shqiptare do të lumturohej nga Papa Gjon Pali II. Më kërkoi adresën time, ku do të më dërgonte një ftesë zyrtare që të merrja pjesë në ceremoni. Ajo pati mirësinë të më thoshte: “Ju jeni pjesë e historisë së Nënë Terezës dhe si një ndër aktorët e vizitës së saj historike në Shqipëri, por dhe mik i vjetër i familjes së saj, ju takon të jeni atje”, thotë ambasadori Bashkim Pitarka.

Konkluzioni

Në fund të intervistës së tij ambasadori Bashkim Pitarka thotë: “Nënë Terezën nuk e solla unë në Shqipëri. As Ramiz Alia, ndonëse ishte aktori kryesor për zhvillimin e kësaj vizite. Ishte epoka, ajo periudhë historike e ndryshimeve të mëdha që vinte për Shqipërinë tonë. Ishte roli i madh që luanin SHBA-të, për t’i sjellë këto ndryshime në Shqipëri. Në këtë kontekst, Nënë Tereza konsiderohej nga ata si një lajmëtare e lirive, paqes dhe lumturisë në atdheun e saj. Dua të them se, si për ardhjen në Nënë Terezës në Shqipëri ashtu dhe për ngritjen e madhështisë së emrit të saj, një meritë të pamohueshme ka jo vetëm Vatikani, por edhe qeveritë amerikane. Ato kurdoherë e kanë ngritur lart rolin e saj dhe i kanë nxitur hapur veprimtarinë bamirëse me mesazhin: “Bëni mirë që të gjeni mirë”. Mendoj se ne shqiptarët kemi shumë arsye t’i falënderojmë amerikanët. Në çastet më historike të kombit shqiptar pranë na janë gjendur Presidenti Uillson, apo presidentët Bush, i famshmi Klinton e sot presidenti Obama”.

Marrë nga blogu i autorit http://leonardveizi.blogspot.al/2017/09/mberritja-e-nene-terezes-ne-shqiperi.html

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top