Pika referimi

October 30, 2020 | 9:07

Nga Arsejda Gjyli / Një qasje shoqërore për rimëkëmbjen

Referuar diskutimeve nëse duhet shpallur gjendje e jashtëzakonshme në rastin e fatkeqësive të krijuara nga fenomenet natyrore, nëse duhet një gatishmërie tillë në situata të ngjashme, theksojmë se këto diskutime nuk përbëjnë një problem real për shoqërinë. Praktikisht sot një zgjidhje e mundshme është adresimi i prioriteteve jetësore të grupeve shoqërore të prekura nga kjo fatkeqësi, me qëllim vijimin e jetës në kushte normale.

Nga Arsejda Gjyli, lektore në shkencat politike, analiste

Nga Arsejda Gjyli, lektore në shkencat politike, analiste

Problematika kryesore është fakti se këta individë përpos gjithë situatës në të cilën ndodhen janë në mungesë informacioni se çfarë do të bëhet me jetën e tyre, në një presion real shoqëror dhe institucional për të filluar jetesën normale. Pasiguri për mënyrënse si do të vijojë e ardhmja, pasiguri në ekspertizën e cila po u vlerëson godinat, me një frikë të vazhdueshme për faktin nëse do të vazhdojnë të ketë fenomene të tilla natyrore në vijim, e mbi të gjitha të pambështetur në pasigurinë më të madhe, atë të humbjes së jetës dhe të cenimit të familjes. Në këto rrethana, shumë e rëndësishme është që të adresojmë disa çështje me rëndësi.

Studiues të situatave të ngjashme, ku paniku dhe frika e madhe për jetën të vështirëson kthimin në normalitet, sugjerojnë rifokusimin në veprimtarinë e përditshme, në aktivitetet jetësore dhe profesionale. Ndër të tjera, shumë me rëndësi është se si qasemi ndaj rrjeteve sociale dhe medias, ndaj së cilës kemi edhe ndikimin më të madh. Një varësi e jashtëzakonshme për t’u mbështetur dhe për të besuar çdo informacion sado i vërtetë qoftë ai në mediat sociale, gjenerohet sot në shoqëri.

Problematika këtu qëndron te përzgjedhja e informacionit dhe po ashtu adresimi i atij informacioni. Në momente të tilla mjafton të fokusohemi se si do të arrijmë të dalim nga gjendja në të cilën ndodhemi e jo tek paniku i pa nevojshëm. Roli i psikologut dhe sociologut gjithmonë është vendimtar në të tilla raste, duke ndihmuar në rikthimin sa më të shpejtë në normalitet. Raste të ngjashme shërbejnë edhe për të thyer disa barriera dhe për të nxjerrë shoqërinë nga paragjykimi që ata kanë për rolin e psikologut. Padyshim se nuk është aspak tabu të konsultohet dhe të kërkohet ndihmë nga një person i specializuarm kur gjendja e rënduar mendore e psikologjike mund të na dëmtojë e po ashtu të bëhet pengesë për përditshmërinë.

Paralel me këtë shkon edhe solidarizimi shoqëror, kjo jo vetëm sensibilizimi i cili lidhet me ndihmat materiale dhe monetare, por sensibilizimi human në mbështetje të kauzës dhe gjendjes së grupit të prekur të shoqërisë. Kjo vjen padyshim me mbështetjen e njëri-tjetrit në shkolla, në punë dhe në jetën shoqërore duke qenë sa më afër atyre që kanë nevojë. Këtu evidentohet fare qartë roli i mësuesit, edukatorit, pronarit në punë apo edhe i miqve të mirë, të cilët lehtësojnë dhe marrin masa lehtësuese për situatën.

Kësisoj duhet thënë se të gjithë ne kemi një rol të rëndësishëm në ngjarje të tilla, ku mesazhi që japim apo roli që luajmë bëhet edhe promotori kryesor i vlerave dhe parimeve njerëzore.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 151

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top