FB

May 23, 2022 | 9:50

Nga Arsejda Gjyli / Prindërimi, përgjegjësia në edukimin e brezit të ri

Nevoja shoqërore për të ndërtuar strukturën e një familjeje të shëndoshë fillimisht lidhet me prirjen imediate biologjike për t’u riprodhuar si dhe me ndjenjën e prindërimit, e cila kultivohet në një moment të caktuar të jetës dhe pjekurisë.

Arsejda Gjyli, Lektore në Shkencat Politike, Analiste

Arsejda Gjyli, Lektore në Shkencat Politike, Analiste

Mbi të gjitha, ndërtimi i strukturës së familjes përgjatë historisë është i lidhur me dëshirën e qenies si individ për vazhdimësi në botë, e më pas me monogaminë si forma më legjitime e konstituimit të bërthamës së familjes, e po ashtu me trashëgiminë si vijimësia e llojit, etnisë, kombit, familjes, pasurisë, qenësisë shoqërore, etj.

Prindërimi përbën bazën ku hidhen strukturat e para të edukimit të brezave të rinj. Një familje e shëndoshë projekton në vetvete një shoqëri të shëndoshë, me norma dhe parime të cilat nuk lejojnë shfaqje të fenomeneve të tilla si dhuna, shkelja e ligjit, mos-arsimimi etj. Në sfidën e prindërimit ka dy qasje kryesore, e para: të bërit prind për arsye dhe motive që lidhen me një nevojë shoqërore të trashëgimisë familjare, gjë e cila nxjerr në pah edhe diferencat gjinore, ku mashkulli shihet si trashëguesi i drejtpërdrejtë i mbiemrit, pasurisë, pushtetit, etj.

Referuar qasjes tjetër kemi konceptin e prindërimit si një nga misionet më të rëndësishme individuale dhe shoqërore, si një proces edukues dhe emancipues i vetë prindit për të perfeksionuar veten po ashtu, dhe si ndjenja më fondamentale e prindit për fëmijën. Në të dyja qasjet emancipimi shoqëror dhe mentaliteti janë shumë të rëndësishme në mënyrën se si e shohim strukturën e familjes dhe rolin e secilit prind. Në konceptin e qasjes së trashëgimisë, prindi pozicionohet në rolin e edukuesit për hir të vazhdimësisë familjare/ fisnore. Këtu problematika qëndron te diskriminimi gjinor dhe padyshim tek objektivizimi i dashurisë prindërore si dhe racionalizimi i saj.

Ndërsa sa i takon qasjes së dytë, prindërimi është një profesion i mundimtë dhe i vështirë, ku roli i secilit prind vlerësohet thelbësisht, si roli i mësuesit më të rëndësishëm që ndërton shoqërinë. Në këtë prizëm, prindërimi është një detyrë dhe një kënaqësi sublime, e cila përkundrejt fëmijës karakterizohet nga një dashuri gati-gati vetëmohuese. Në shoqëri, fëmija më shumë sesa trashëgimtari i ligjshëm është edhe legacia më e madhe e mënyrës sesi ne do të kontribuojmë në edukimin e brezave të rinj.

Mënyra se si ne i trajtojmë fëmijët reflektohet në atë se si do të edukohen brezat e rinj për barazinë gjinore, ndjeshmëria e tyre ndaj dhunës dhe vrasjes, ndershmëria dhe të punuarit fort, etj. Të gjithë këto komponentë reflektojnë atë se çfarë do të përfaqësojë fëmija në shoqëri dhe automatikisht kontributin e tij për një realitet më të mirë. Në këtë kontekst dashuria që ne kemi për fëmijët nuk është vetëm sensitiviteti i ndjenjës së thellë që kemi për to, por mbi të gjitha investimi intelektual dhe ndjesor përgjatë gjithë jetës.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 166

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top