FB

January 20, 2023 | 9:01

Nga Arsejda Gjyli / Roli i aktorëve socialë në mbrojtjen e jetës dhe të drejtat e grave

Kompleksiteti i realitetit socioekonomik, por edhe perceptimi mbi mentalitetin, nderin dhe virtytet, si koncepte të ndërtuara përgjatë historisë, kanë thurur në shoqërinë tonë një realitet deri diku jofavorizues për barazinë gjinore, lirinë dhe pavarësinë e gruas në shoqëri.

 

Nga Arsejda Gjyli, lektore në shkencat politike, analiste

Përpos këtij kompleksiteti, mungesa e një kuadri të mirëfilltë rregullator dhe pamjaftueshmëria ligjvënëse shpesh kanë prodhuar ambiguitet dhe problematika, të cilat nxiten dhe kultivohen edhe më shumë nga mungesa e demokracisë, qytetarisë dhe reagueshmërisë shoqërore ndaj kauzave të caktuara që lidhen me të drejtat e grave.

Çdo vit, në ditën e parë të fillim vitit, dëgjojmë lajme rrënqethëse të vrasjes së grave nga burrat, baballarët, vëllezërit… Këto lajme kanë vijuar edhe në ditët e tjera të vitit po me të njëjtin intensitet dhe mungesë ndjeshmërie nga shoqëria, por shpesh edhe nga vetë familja. Në këtë kontekst, natyrshëm lindin dy çështje themelore të cilat kërkojnë një përgjigje, përse kjo mungesë reagueshmërie dhe sensitiviteti ndaj dhunës dhe vrasjes, e së dyti a ndikojnë martesa dhe konceptet nacionale të ndërtuara rreth dashurisë dhe moralit, në dhunimin dhe vrasjen e grave?

 

Mentaliteti aktual i ndërtuar në shoqëri, ndër vite e pozicionon gruan shpeshherë në rrethana inferiore dhe nënshtruese ndaj bashkëshortit dhe familjes. Predispozitat e zhvillimit, emancipimit social dhe edukimit tek femrat kanë ndërtuar një hendek të vështirë, ndërmjet tendencave të tyre për liri dhe mentalitetit të mësipërm gjenerues në çdo aktor social. Në këto rrethana, çdo përpjekje e natyrshme për emancipim sjell një rebelim nga pala tjetër, e cila vepron me dhunë, të mbrojë status-quo-në e gruas. Kujtojmë këtu rastin e studentes së shkëlqyer të drejtësisë, e cila u vra barbarisht nga i dashuri i saj i cili nuk pranonte dot të ishte i refuzuar prej saj.

Këto ngjarje na lënë të kuptojmë se edhe vetë shoqëria përballet me këtë kontradiktë, duke mos reaguar, e shpeshherë, duke mbrojtur agresorin dhe jo viktimën. Kjo sepse shoqëria dhe familja, pa tejkalimin e kësaj kontradikte, nuk mund të miratojnë dot hapat emancipues të gruas me ritmet që bien ndesh me sistemin aktual mentalitar. Sa i takon çështjes së dytë, duhet theksuar se realiteti i grave dhe vajzave kondicionohet ndjeshëm nga tradita e martesave në moshë shumë të hershme, detyrimi që partnerët të përzgjidhen nga familja e jo nga vetë personat të cilët do të lidhen në martesë, por mbi të gjitha, nacionaliteti i koncepteve mentalitare të prindërve shqiptarë, të cilët edhe në rastet kur jetojnë jashtë vendit fëmijët i ndalojnë në integrimin me rrethanat shoqërore për arsye morale.

Padyshim se dhuna dhe vrasja e grave nuk lidhet me kulturën e shtetit ku këto prindër apo partnerë jetojnë dhe formojnë jetën e tyre, por me konceptet që ata kanë brendësuar në vite. Përplasja kulturore i bën ata më të prirur ndaj paragjykimit dhe jetesës me dy standarde, ndaj në këto rrethana presioni dhe shtypja ndaj rritjes dhe integrimit shoqëror çon në dhunë dhe vrasje. Ajo që vëmë re në këtë analizë është fakti se gratë dhe vajzat mbeten të ndikuara nga rrethana të caktuara familjare, shoqërore dhe mentalitare, të cilat drejtojnë dhe orientojnë jetën e tyre.

Përballja e këtyre konditave me ndryshimet në edukim, emancipim dhe mënyrën sesi konceptohet liria, prodhon fenomenin e revoltës kulturore. Përplasje të tilla duan vite të tejkalohen, por janë një mënyrë organike e evoluimit të një shoqërie dhe kulture. Ajo që mund të ndryshohet janë masat të cilat merren në këto raste, vetëdijësimi dhe retorika publike mbi reagimin shoqëror si dhe ndjeshmëria e familjes ndaj bërthamës së saj.

 

 

 

 

Botuar tek Revista Psikologjia, Nr.175, muaji janar

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top