FB

March 7, 2024 | 6:17

Nga Arsejda Gjyli: Si ka evoluar dhe ndryshuar roli i mësuesit në vite?

 

 

Mësuesi në shoqëri është aktori kryesor në edukim. Në brezat e mëparshëm mësuesi ka qenë i shenjtë, një individ i cili respektohej dhe vlerësohej si figurë. Mësuesi konceptohej si një prind i dytë për fëmijët. 

arsejda-gjyli

Në terma klasikë mësuesi është etaloni matës i vlerave dhe dijes, është personi që transmeton vlerat morale në shoqëri, është dritarja nga ku ndriçohet shoqëria. Pavarësisht këtij nocioni, koncepti i mësuesit ka evoluar dhe ndryshuar në vite, zhvillimi shoqëror, modernizimi dhe rithemelimi shoqëror në bazat e teknologjisë e ka zbehur pak rolin e mësuesit. 

Në periudhën komuniste në vendin tonë mbizotëronte një frymë e theksuar solidariteti shoqëror, respekti reciprok dhe një marrëdhënie e cila ishte gati-gati e imponuar nga sistemi, e mbështetur në një tërësi normash. Roli i mësuesit ishte kryesor për edukimin e shoqërisë. Sistemi arsimor në periudhën komuniste ishte i mbështetur në norma të forta të dijes, të edukimit moral dhe të censurës me vlera të mirëpërcaktuara. Roli i mësuesit glorifikohej dhe respektohej në mënyrë strikte. 

Në vijim, me hyrjen e demokracisë, sistemi arsimor mori një tjetër dimension. Roli i mësuesit vijon si një promotor vlerash në shoqëri por ka ndryshuar dhe evoluar. Mësuesi sot është një dhënës i dijes por teknologjia prodhon shumë informacion. Në këtë kontekst, përveç dhënies së dijes, mësuesi duhet edhe të ofrojë risi në përçimin e saj me qëllim që të jetë sa më tërheqës në sytë e audiencës. Gjithashtu mësuesi apo profesori duhet të orientojë studentët ndaj mendimit kritik dhe të lexuarit kritik me qëllim filtrimin e informacionit masiv që studenti merr nga interneti. 

Me globalizmin e gjithë bota ka hyrë në një transformim të vazhdueshëm shoqëror por edhe kulturor. Teknologjia me modernizimin ka sjell një fluks të paimagjinueshëm të informacionit. Demokracia nuk e lejon censurën por ajo që mund të bëjmë në këtë rast është parandalimi nga informacioni i gabuar. Rrjetet sociale kanë sjellë një transformim të imazhit shoqëror, të marrëdhënieve shoqërore, por edhe të rolit edukues të mësuesve dhe pedagogëve. Sot, rolin më ndikues në shoqëri e kanë influencer-at e rrjeteve sociale të cilët shpesh konkurrojnë rolet edukuese në shoqëri. 

Ndaj në këto terma roli i mësuesit vendoset në vështirësi të mëdha. Mësuesi duhet të sfidojë pseudomodelet dhe të bëhet influencuesi kryesor i vlerave dhe moralit, filtruesi i informacionit, ndërtuesi i artilerisë së dijes dhe mbrojtësi kryesor i nocionit të trashëgimisë së edukimit dhe vlerave te brezat.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top