Në fokus

October 24, 2018 | 9:46

Nga Arsejda Gjyli / Të drejtat e njeriut dhe kauza e LGBTI

GJITHKUSH DUHET TË JETË I NDËRGJEGJSHËM SE, E DREJTA E GJITHSECILIT PREJ NESH, SHKON DERI ATY KU CENOHET E DREJTA E TJETRIT. PËR AQ KOHË SA NUK NDIHEMI TË CENUAR, DUHET TË JEMI MË TË HAPUR PËR TË PRANUAR DHE RESPEKTUAR LIRITË PERSONALE TË GRUPEVE TË VEÇANTA, TË CILËT NDIHEN OSE ZGJEDHIN TË JETOJNË NDRYSHE NGA NE.

Nga Arsejda Gjyli, lektore në shkencat politike, analiste

Nga Arsejda Gjyli, lektore në shkencat politike, analiste

Rifokusimi tek të drejtat e njeriut, tregon edhe një herë për shqiptarët se sa i madh është hendeku midis pretendimeve dhe aspiratave për ëndrrën evropiane, e po ashtu, largësisë kulturore që ne kemi me parimet e BE-së për liritë e individit, barazinë gjinore dhe po ashtu, të drejtën e njeriut për të mos u diskriminuar apo dhunuar. Pavarësisht se në syrin mediatik dhe të përfaqësuesve ndërkombëtarë, reforma në drejtësi është konsideruar si më jetike, duhet bërë me dije se pesë prioritetet thelbësore të Udhërrëfyesit për Integrimin Evropian si kusht për hapjen e negociatave të antarësimit, mbartin një peshë relativisht të njëjtë.

Kjo gjë shihet fare mirë në debate të tilla, si: pretendimi i target-grupit LGBTI, për mbajtjen e leksioneve njohëse dhe informuese në shkolla, mbi të drejtat që kanë për t’u integruar në gjithë fushat e jetës shoqërore, ekonomike dhe politike, e po ashtu mosdiskriminimin. 

Dy janë qasjet shpjeguese në kuadër të të drejtave të targetit LGBTI: 

Së pari, përsa i përket aspektit ligjor, e gjithë veprimtaria e grupit LGBTI specifikohet dhe mbrohet nëpërmjet Planit Kombëtar të Veprimit për Personat LGBTI në Republikën e Shqipërisë, 2016-2020, i cili hyri në fuqi me VKM në 25 Maj 2016. Në këtë kuadër vlen të theksohet se, duke njohur sensibilitetin e shoqërisë shqiptare ndaj këtyre çështjeve, duhet të informohen prindërit e fëmijëve (si një nga grupet kryesore të interesit) mbi llojin e informacionit ndaj të cilit do të ekspozohen fëmijët (nën 18 vjeç) dhe rëndësinë e këtij procesi.

Pa dyshim që Plani i Veprimit duhet të ketë të detajuar format e aktiviteteve që do të ndërmerren në kuadër të njohjes dhe mosdiskriminimit apo ushtrimit të bullizmit ndaj grupit LGBTI si dhe gjithashtu të argumentohet fakti se, shkolla si institucion mundet të lejojë indirekt promovimin e këtyre grupeve duke mos rënë ndesh me konceptin e shkollës si laike, objektive dhe asnjanëse. Pas informimit dhe dakordësimit mund të bëhet i mundur rishikimi i kurrikulave si dhe ndërmarrja e këtyre aktiviteteve. Konsultimi mbi bazat ligjore dhe me grupet e interesit është elementi që do të shmangë keqkuptimet apo problematikat e kësaj çështje.

Së dyti, target grupi LGBTI duhet të gëzojë të drejtat dhe liritë themelore për një jetë personale, shoqërore dhe profesionale. Përfshirja e këtyre grupeve në institucione dhe jetën publike/private, realizohet duke shmangur bërjen e tyre objekt sulmi apo diskriminimi me bazë gjinore.

Duke e arsyetuar nga qasja morale, shoqëria shqiptare e njohur për konservatorizëm dhe mungesë elasticiteti në pranimin e prirjeve, të cilat bien ndesh me konceptet tradicionale si, marrëdhënia natyrore burrë-grua dhe familja si institucion moral, duhet të jetë më e hapur ndaj fushatave të informimit, edukimit dhe emancipimit, në mënyrë që të shmangë tendencat homofobe dhe bullizmin ndaj këtij target grupi.

Gjithkush duhet të jetë i ndërgjegjshëm se, e drejta e gjithsecilit prej nesh, shkon deri aty ku cenohet e drejta e tjetrit. Për aq kohë sa nuk ndihemi të cenuar, duhet të jemi më të hapur për të pranuar dhe respektuar liritë personale të grupeve të veçanta, të cilët ndihen ose zgjedhin të jetojnë ndryshe nga ne. Ksenofobia apo gjuha e dhunës dhe urrejtjes e dërgojnë shoqërinë në regres dhe kaos të brendshëm. Vetëm përmes tolerancës dhe racionalitetit do të jemi kontribuues në emancipimin e përgjithshëm të shoqërisë.

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 131

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top