FB

December 4, 2023 | 6:18

Nga Arsejda Gjyli: “Tjetri” si filozofi dhe themel i marrëdhënieve shoqërore

Përpjekja e vazhdueshme për të qenë politikisht korrekt me të tjerët, me qëllim për të përcaktuar mirëqenien e vetes në botë, është një nga përpjekjet më të shpeshta që hasim në përditshmëri. Ky nuk është një postulat, por në më të shumtën e rasteve është thelbi i marrëdhënieve njerëzore, të cilët në mënyrë të vazhdueshme kërkojnë miratimin nga tjetri me qëllim, afirmimin e vetvetes. A është ky thjesht një ligj me qëllim qenien diskret me të tjerët apo kemi ne një nevojë konstante për të qenë të pranuar, për të na u miratuar ven – dimet, për të qenë të mbështetur në qëllimet tona?

Këto pyetje janë të vështira të marrin një përgjigje, sidomos në shoqërinë shqiptare ku ekzistenca vetjake, parimet morale, veprimet por edhe marrëdhëniet që ndërtojmë në shoqëri, kushtëzohen thelbësisht nga familja, fisi, lagjja, mendësitë e tyre por edhe paragjykimet. Në një shoqëri të tillë të lidhur ngushtësisht me moralin, ku emancipimi shihet shpeshherë si rebelim, e kemi mëse të vështirë mos të gjykohemi por edhe të“dënohemi” për mënyrën se si jetojmë, punojmë, sillemi dhe dukemi.

Jean-Paul Sartre në filozofinë e tij mbi “tjetrin”, e sheh marrëdhënien tonë me “tjetrin” si një marrëdhënie të pazgjidhshme, jo vetëm për relacionin social, i cili ndërtohet, por si një nevojë për të manifestuar lumturinë, dhimbjen, disfatat. Pa “tjetrin” të gjitha këto nuk do ekzistonin apo nuk do të kishin një kuptim. Në terma ekzistencialist tjetri ne na duhet për të jetuar, për të ndërtuar marrëdhënie, për të projektuar gjithçka, të mirën dhe të keqen, madje edhe vdekjen. Sipas Sartre, vdekja është gjithmonë vdekja e tjetrit sepse askush nuk e koncepton dot atë si përjetim vetjak.

Në këtë kontekst duket egoiste, por ne ekzistojmë dhe jetojmë gjithmonë në marrëdhënie me të tjerët. Kjo marrëdhënie e tejkalon vetveten dhe të qenit thjesht diskret, sepse shpeshherë ne e kuptojmë se asgjë nuk ka kuptim pa të tërën, pa agorën ku ndahen emocionet, ndjenjat, arritjet dhe dështimet. “Tjetri” është reflektimi i dashurisë dhe shoqërisë si e tërë.

“Tjetri” është koncepti më filozofik por edhe praktik, i cili kontribuon në ndërtimin e vetvetes, pa të cilin ne nuk do të ishim këta që jemi sot. Ndaj duhet thënë se përtej të qenit korrekt me të tjerët, në familje, shoqëri e kudo, ne fillimisht duhet të ndërtojmë marrëdhënie të qëndrueshme bes – ueshmërie por edhe të jemi të drejtë me vetveten.

Kjo është pika themelore në mënyrën se si ne projektojmë vetveten në raport me të tjerët dhe orientojmë cilësinë e jetës që do të kemi.

 

 

 

 

Botuar tek Revista Psikologjia, Nr.186, muaji Dhjetor 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top