Psikofakt

June 20, 2017 | 16:06

Nga Besarta Taçi: Shoqërisë shqiptare i duhej Equus

Vjen për herë të dytë në Tiranë shfaqja teatrale “Equus”. E diskutuar, analizuar, debatuar ndonjëherë edhe fortësisht e kritikuar nga shoqëria jonë, kjo dramë arriti të depërtojë si një lëkundje e fortë sizmike.

Besarta Taci Psikologe Klinike, psikotraumatologe EMDR, Psikoseksologe

Besarta Taci
Psikologe Klinike, psikotraumatologe EMDR, Psikoseksologe

Në shoqërinë tonë kontradiktore ku tradicionalja dhe sjelljet seksuale tre brezore në të pavetëdijshmen prindërore dhe gjenerata e re nënvizon me sjelljet çrregulluese, efektet e boshllëkut komunikues, në të njëjtin mjedis perceptohet dëshira e qartësisë dhe përkufizimeve shkencore që kanë të bëjnë jo vetëm me seksualitetin. Nuk jemi në vitet ‘70 kur Peter Shaffer krijoi dramën, por në Tiranën e vitit 2017. “Equus” vjen për herë të parë në Ballkan. Nuk duket aspak e rastësishme zgjedhja e kryeqytetit nga ana e regjisorit të talentuar Dino Mustafic. Duket se Tirana ia kishte nevojën dhe diti ta perceptojë lëkundjen e ndërgjegjeve që drama dhe interpretimi i aktorëve dhuroi. Shfaqja që në sekondat e para na detyron të hyjmë në brendësinë tonë me pyetjet dilematike të psikiatrit Martin Dysart (Timo Flloko), i cili duket se me çdo fjalë që na drejtohet, penetron trurin njerëzor duke ecur në mes të publikut, deri kur ngjit shkallët dhe hipën në skenë.

equus1

Historia fillon me një krim. Alan Strang, një 17-vjeçar ka qëlluar me shtizë 6 kuaj. Gjykatësja, Esther Salamon (Luli Bitri) i kërkon psikiatrit ta marrë përsipër në klinikën psikiatrike djalin dhe ta kurojë. Ajo që ndërlikon situatën është fakti që djaloshi për afro një vit, i ka shërbyer devotshmërisht pronarit të stallës dhe është kujdesur me shumë dashamirësi ndaj kuajve.

Publiku observon metodologjinë analitike (sot do ta quanim të tejkaluar dhe deontologjikisht jo korrekte) që psikiatri përdor për të hyrë në psikikën e turbullt të adoleshentit. Ajo çfarë ai zbulon, është një pasion primitiv për kuajt dhe një udhëtim instinktual dhe spiritual shumë larg nga ajo që është jeta e Dysartit sot.

Ngadalë-ngadalë ajo që doktori percepton, është fakti që “kura-shërimi” do ta largojë Alanin nga figura mitologjike, por edhe identifikuese e Equus-it, që ka krijuar falë tregimeve fetare të nënës së tij (Ema Andrea), ai sheh një Zot të cilin jo vetëm e adhuron, por dëshiron të jetë një qenie e vetme me të. Bashkë me zhdukjen e këtij besimi do të ikë edhe gjallëria seksuale. E gjithë vepra rrotullohet përreth normales dhe rolit që shoqëria ka në “normalizimin-anulimin” e të gjitha sjelljeve që devijojnë nga normat e pranuara.

Roli i psikiatrit është një sfidë, e cila lëkund vetëdijen derisa vet ai ndjehet i depresuar (sot profesionistët e shëndetit mendor kanë detyrimin etik të bëjnë terapi personale) një turbullim që mundohet ta ndajë me gjykatësen (sot do ta quanim një tentativë supervizimi e munguar) dhe që i shfaqet edhe në ëndrra (aty ku e pavetëdijshmja e gjen rrugën për të dalë në skenë).

3 Tema e parë, e cila ia vlen të ndalemi, është një nga aspektet që nënvizova edhe kur isha e ftuar nga regjisori në takim me aktorët. Ajo gdhendet si zemra e konfliktit që vepra përcjell. Është pikërisht mënyra e të dashurit në mënyrë primitive, impulsive dhe pasionale që aktori Igli Zarka diti të personifikojë në çdo qelizë. Këtë pasion, të cilin mjeku ia xhelozon, sepse tashmë e ka humbur, e ka arsyetuar në Neokortex, do të replikonim ne psikologet sot, duke përdorur teorinë e trurit të Mc Lean. Pra mund të duket në lexim të parë, sikur Alan është i prekur nga zoofilia (parafili, e cila prek individët që eksitohen dhe kanë marrëdhënie seksuale me kafshët), por kjo devotshmëri është më shumë se kaq. Psikiatri, Timo Flloko e shpreh këtë pjesë me fjalët: “Kur Equus do të ikë, nëse do të ikë, do të iki me të brendshmet e djalit nëpër dhëmbë. Unë do t’i jap Alanit botën e mirë të normalitetit dhe do t’i japë vende të mira për shprehjen e ekstazës së tij. Vëreni një doktor, mund të jetë në gjendje të eliminojë pasionin, por nuk është në gjendje ta krijojë”.

Ndërkohë sot, pas më shumë se 40 vite nga vepra, mjekësia ka arritur në përfundimin se, psikoterapia mund të zhvillojë këtë kapacitet, por kjo është një temë tjetër. Le të ndalemi tek temat e tjera që na sjell vepra, sepse janë të shumta dhe të ndërtuara në dualizime të forta, të cilat shpeshherë janë të dyja të pranueshme. Aktorët që personifikojnë nënën, (Ema Andrea) dhe babanë (Arben Derhemi) përfaqësojnë burimin e vuajtjes së djaloshit, e moskuptimit, të krizës në çift, moralit shoqëror dërrmues dhe fesë tredhuese. Mustafic ka ditur ta zgjerojë veprën me disa pjesë që pasqyrojnë shoqërinë shqiptare, sidomos në dialogun mes dy prindërve, ku nënvizohet mungesa e dialogut, projektimi i nevojave personale kontradiktore te fëmija, përçarja e dëshirës seksuale të anuluar dhe të devijuar në fe tek e ëma dhe e aktualizuar në filma porno tek i ati.

5Tregimi i natës së parë martesore dhe përjetimi i raportit të parë seksual (publiku asiston i pafuqishëm në tregimin e një përdhunimi) i aktruar detajisht nga Ema Andrea, ishte një denoncim i hapur tribreznor që depërtoi përtej mureve të teatrit. Buzëqeshja e treguar në sallën aty, ishte metoda e ushtruar në shoqëri nga prindërit, por as ajo nuk shërbente për të mbuluar vuajtjet e brendshme, të cilat sapo gjenin mundësinë për t’u shprehur (në dialogun dhe konsultat me psikiatrin) ulërinin “ndihmë”, një ulërimë e heshtur, sepse brezat e mëparshëm ushtrojnë akoma presionin e “turp-it” si metodologji jo funksionale, për të mbajtur individin akoma të ankoruar brenda mureve shtëpiake.

Kërkesa për ndihmë është e pranishme nga fillimi deri në fund. Gjykatësja i kërkon ndihmë psikiatrit, psikiatri ia kërkon prindërve, adoleshenti ia kërkon psikiatrit, psikiatri ia kërkon publikut. Një mesazh tepër i rëndësishëm ky për shoqërinë tonë, ku mjekësia dhe shërbimet sociale kanë nevojë për një sistem organizues, ndryshe numri i punonjësve të frustruar si infermierja e interpretuar nga Erjona Kakeli, e cila shpreh imtësish efektet e burn-out në mjediset e punës, do jetë gjithmonë në rritje. Tripleta infermiere-gjykatëse-pronar i stallës, na ofron imazhe të përditshmërisë institucionale. Gjykatësja, e cila përjetonte profesionin e saj si një mision human dhe sakrifikim i jetës personale, ofron një temë akoma shumë të pranishme në shoqërinë tonë, ajo e ndarjes karrierë-familje, tipike e shoqërive ku gëlltitet akoma maskilizmi i papërpunuar. I zoti i stallës ku kishte Zot vetëm lekun, ofron pikëpamjen e klasifikimit social ku deviantet nuk integrohen, por emargjinalizohen.

1Në të gjitha këto personazhe të interpretuara, ajo që më pak është përfolur dhe integruar në imazhin e publikut, por që për mendimin tim duhet nënvizuar, është figura e vazjës që “tenton” Alanin, shoqja e tij antikonservatore Jill. Edhe ajo ka një fëmijëri ku e ëma, e zhgënjyer nga i ati i ka gdhendur një imazh fiks-statik të meshkujve. Jill tenton, nuk pranon, ulëret dhe godet publikun me një dialog të brendshëm, të drejtpërdrejtë, i drejtohet me “Ti, po ti? Ti atje?” duket se nga momenti në moment do zbres shkallët e do pyes një nga një që fort mirë janë të ngjitur në karrige. Vajza tërheq djalin, duket se ajo ka arritur të bëjë shkëputjen nga brezi i mëparshëm madje për t’ua vërtetuar, e fton të shikojë një film me ngjyra të kuqe, ky event i shërben Alanit, për të ndarë ujërat e turbullta mes tij edhe babait, tani kishin diçka të përbashkët, ishin të dy mëkatarë, sepse edhe i ati po bënte të njëjtin mëkat, si i biri. Për herë të parë djali merr kurajën, një kurajë e ushqyer nga vajza. Mos harrojmë që jemi në vitet ‘70 ku në ajër, revolucioni seksual dhe lëvizja e feminizmit tashmë kishte filluar të vetëdijësojë femrat për nevojat dhe dëshirat personale.

2Një tërmet që akoma sot ka efekte te mashkullorja dhe femërorja. Por karakteri femëror nuk mbaron këtu. Jill fton Alanin të shprehin epshin e tyre në stallën e kuajve dhe aty ku djaloshi nuk ndjehet rehat, sepse percepton një vështrim të zotit Equus nëpërmjet syve të kuajve, aty ndodh krimi. Po, por shumë harruan që zhveshja qe e dyanshme, edhe se trupat kurrë nuk u përputhën, sepse të ndarë nga molla dhe mendimi mëkatar femëror, edhe Kristi Lleshi u zhvesh, zhveshi turpin shekullor femëror, jo vetëm fizikisht. Ajo ulëriti epshin e saj dhe e bëri e bindur. Ky nuditeti i vërtetë, sepse shprehi dëshirën e saj femërore.

Ndërkohë, drama e vërtetë ndodhi në pjesën e fundit. Duket se nuk ka shpresë që shoqëria të kuptojë-pranojë. Të gjithë fajësojnë djaloshin, duke i derdhur kova me gjak, imazh i një lloj mospranimi të natyrës njerëzore, reptiliane (kohës së zvarranikëve). Kjo vendos në një pozicion akoma më të vështirë psikiatrin, i cili i drejtohet për herë të fundit publikut me pyetjen ekzistenciale: “Po unë?”

Këto janë temat që zhveshën deri në palcë shoqërinë tonë dhe i shërbyen për të ngulitur dyshimet që i krijon çdo periudhë kaotike, ku përplasen ideologji e breza, dëshira dhe rregulla, ajo në të cilën ndodhet Shqipëria sot. Ndërkohë, meqenëse jam psikoseksologe, duhet të kisha folur për pamjen nudo të aktorit?

equus

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top