Në fokus

October 12, 2018 | 13:38

Nga Besmir Guri: Abuzimi emocional ndaj fëmijëve, pasojat, vetëvlerësim i ulët

Edhe pse shpesh qëndrojmë përballë një pyetje nëse personi lind dhunues apo bëhet i tillë, diçka ka shumë gjasa të ndodhë: një fëmijë i dhunuar sot, sjell një tjetër dhunues mot.

MSc.Besmir Guri, Psikolog

MSc.Besmir Guri, Psikolog

Abuzimi emocional ushtron një trysni negative në psikikën e fëmijës dhe keqperceptimin për veten. Një nga pasojat kryesore që vjen nga përdorimi i dhunës, është zhvlerësimi i vetes. Fëmija i abuzuar e sheh veten si të pavlerë për dashuri dhe afeksion nga familja. Ndjenjat e fajit, e turpit, e terrorizimit, ose papranueshmëria nga familja, e bëjnë atë të vuajë shumë shpirtërisht, madje më tepër sesa ç’mund të vuante nga abuzimi fizik.

Një fëmijë që deprivohet nga ushqimi emocional bazë që në fëmijëri, ndonëse nga ana fizike, mund të jetë i shëndetshëm, ka shumë mundësi që të mos përparojë lehtë në jetë, të mbetet në një guaskë vulnerabël të vetes së tij për gjatë gjithë jetës.

Deprivimi emocional i fëmijëve që në moshë të vogël, mund të bëjë që fëmijët kur rriten të jenë ankthiozë dhe të pasigurtë, të kenë vështirësi në zhvillimin e tyre, vetëvlerësim relativisht të ulët për vetveten.

1

Disa nga specifikat e abuzuesit ndaj viktimës

Stili i prindërimit refuzues | Shpesh ndodh që prindërit nuk komunikojnë më fëmijën e tyre, e kjo bën që fëmija të ndihet keq dhe në faj, se problemet dhe shqetësimet brenda familjes janë për shkak të tij.

Një prind injorues, fizikisht ndodhet në ambientet e shtëpisë, por pa frikë mund të themi se do të krijonte më pak pasoja, po të mos ishte fare aty duke luajtur këtë rol braktisës.  Si pasojë e mos plotësimit të nevojave të fëmijës, nëpërmjet stilit të tij prindërues, sjell moskomunikimin me fëmijët, dhe paaftësi për t’ju përgjigjur emocionalisht nevojave të tij.

Përpjekja e disiplinimit, tek metoda e terrorizimit, për të ndëshkuar fëmijët nga “gabimet” që mund të bëjnë. Këta lloje prindërish, mund ta vendosin fëmijën e tyre përpara kritikës ose dënimit, me qëllim edukimin e tij, pa kuptuar pasojat e veprimeve të tyre tek fëmija. Ata mund ta kërcënojnë me goditjet, rrahjet, duke e mallkuar, sharë dhe ofenduar, duke e braktisur, e në raste ekstreme me kërcënimet me vdekje. Përdorimi i taktikës së izolimit prindi apo kujdestari që abuzon me fëmijën duke përdorur izolimin e tij, mund të mos e lejojë atë që të përfshihet në aktivitete të moshës me fëmijët e tjerë, mund ta mbyllë fëmijën në dhomën e tij apo më keq, akoma në banjo, duke mos e përkrahur daljen e tij në shoqëri; ose e ndalon fëmijën që të marrë pjesë në aktivitetet jashtëshkollore, kjo si një formë ndëshkimi me qëllim vendosjen e tij në pozita reflektimi dhe edukimi!

o-child-abuse-facebook

Pasojat e fëmijës së abuzuar

Pasojat e abuzimit fizik dhe psikologjik tek fëmijët, ata vriten së tepërmi emocionalisht nga kujdesi jo i vazhdueshëm prindëror dhe nga frika e dhunimeve të tjera që mund të pasojnë. Fëmijët e abuzuar vuajnë neglizhimin emotiv, mungesën e dashurisë dhe lidhjeve të ngushta me prindërit.

Fëmijët e dhunuar karakterizohen nga mungesa e besimit ndaj njerëzve që i rrethojnë ata. Kjo shpjegohet me faktin se duke qenë të dhunuar edhe nga individë të tillë shumë të dashur që presupozohen të kujdesen për ata, fëmijët nuk munden të krijojnë marrëdhënie besimi me njerëz të tjerë.

Ju nënshtrohen dhunës, dhe këta fëmijë nuk kanë tendencë dhe dëshirë të kërkojnë ndihmë, për të shpëtuar nga ajo situatë. Dhunimi fizik është kushtëzuar nga eksperiencat e tyre, ku askush nuk është kujdesur për ta. Në të tilla rrethana ata nuk janë mësuar të kujdesen për veten, për nevojat e tyre dhe nuk kanë aftësinë ta konsiderojnë këtë një përgjegjësi të tyren. Ata janë fëmijë që nuk dinë të qajnë, të ankohen, dhe tregohen manipulues për sjelljet dhe emocionet që përjetojnë, duke u shfaqur ndryshe nga e vërteta e tyre e dhimbshme.

Kjo më pas, edhe në psikoanalizën e një të rrituri, mund të sjellë çrregullime të mundshme të personalitetit të tij, deri në çrregullimin antisocial të personalitetit, ku karakteristikë kryesore e këtij çrregullimi, është mungesa e aftësisë për të kuptuar dhe ndjerë dhimbjen e tjetrit. Kjo mungesë e një aftësie jetike, i bën ata agresivë, të dhunshëm, duke i shtyrë deri në vrasje. Ata janë në përpjekje të gëzojnë gjithçka që mund t’u afrohet, pa patur shumë pretendime. Kanë tendencë të krijojnë natyrë introverte, të mbyllur në vetvete, jo të komunikueshëm, vuajnë shumë brenda vetes, ndajnë shumë pak ose aspak nga eksperiencat e tyre të dhimbshme me të tjerët. Nuk gjejnë paqe me veten për shkak të ngjarjeve shokuese dhe traumatizuese që kanë përjetuar. Përjetojnë ankth me intensitet të lartë, edhe për gjëra të vogla.

Kanë të zhvilluar ndjenjën e turpit dhe komplekse inferioriteti nga situatat në familjen e tyre, dhe përpiqen me çdo kusht që ta shmangin këtë problem, duke e kanalizuar shpesh në sjellje problematike. Këto mekanizma mbrojtës, manipulues dhe role të vazhdueshme të largimit nga vetja për atë që përjetojnë, i bën ata në disa raste të ftohtë, të egër, shpërthyes dhe të paparashikueshëm. Ata janë apatikë, pa dëshira, ndryshe nga bashkëmoshatarët e tyre, pa iniciativë dhe zemërakë.

Midis fëmijëve të dhunuar, hasen edhe fëmijë që kanë tregues të prapambetjes mendore, fillimisht të moderuar, por që po nuk u trajtuan, ata mbartin rrezikun e përkeqësimit, duke kaluar në nivele me të avancuara dhe të rënduara të prapambetjes mendore.

Fëmijët e abuzuar përjetojnë një bllokim dhe ndërprerje te zhvillimit normal të rritjes së tyre fizike dhe psikologjike. Kjo ndërprerje mund të shprehet në formën e mos kapërcimit të fazave të rritjes, duke çuar në fiksimin në një fazë të hershme të zhvillimit. Kini parasysh se: shumë nga problemet e zhvillimit sjellor të fëmijëve, vijnë pikërisht nga përdorimi i dhunës, dhe se individë të rritur me karakteristika problematike “të ndryshme”, mund të jenë ekuacioni shkak/pasojë, shkaktari, fëmija i abuzuar dje, pasoja, i rrituri problematik sot.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top