Këshilla & Arsye

November 13, 2018 | 8:10

Nga Besmir Guri: Depresioni tek fëmijët mund të shfaqet në forma tepër serioze, dhe zgjat në kohë nëse nuk trajtohet

 

Ndoshta disa mund të mendojnë gabimisht se depresioni prek vetëm të rriturit, por duhet të kujtojmë se prek dhe fëmijët. Shumë shpesh prindërit jo vetëm nuk i kuptojnë shenjat e depresionit të fëmijës, por mund t’i keqinterpretojnë sjelljet e tyre si të qëllimshme.

MSc.Besmir Guri, Psikolog

MSc.Besmir Guri, Psikolog

Ndodh të mendojnë se fëmijët janë naivë, janë bërë dembelë, neglizhentë, nuk po interesohen më për higjienën, ushqimet, për shtëpinë, shkollën, për shpenzimet e jetës, për marrëdhëniet shoqërore dhe familjare, për punët shtëpiake etj.

Sipas të dhënave, përqindja e depresionit tek fëmijët është shumë e lartë dhe barazon atë të të rriturve. Në Australi, përqindja e depresionit të fëmijës është 12.1%; në Suedi 11.4%; tek fëmijët nën 13 vjeç, përqindja e depresionit arrin deri në 10%.

1Depresioni i fëmijëve shfaqet më shpesh në periudhën fillestare të adoleshencës, dhe tek djemtë kjo sëmundje zakonisht shfaqet më herët, 1 apo 2 vjet më herët se tek vajzat.

Shenjat më të shpeshta të depresionit tek fëmija janë pesimizmi, rënia e energjisë, vështirësi në përqendrim, izolim në vetvete, humbja e interesit për aktivitete që më parë i pëlqenin, rënia e menjëhershme në mësime, shtim i ndjenjës së vetëfajësimit dhe pavlefshmërisë, etj.

Nga fëmijëria deri në adoleshencë, niveli i depresionit te vajzat rritet dukshëm. Para adoleshencës, niveli i depresionit tek djemtë është më i lartë se sa tek vajzat. Pas adoleshencës, rezultati është i kundërt. Kjo lidhet edhe me ndryshimet fiziologjike dhe hormonale të trupit të vajzës në adoleshencë.

Prandaj, nëse keni djem në familje të moshës 11-12 vjeç, duhet t’i kushtoni vëmendje të madhe ndryshimit të humorit të tyre. Ndërsa për vajzat, duhet t’i kushtoni vëmendje të madhe shëndetit psikologjik në periudhën e adoleshencës.

Përse mund të preken fëmijët nga depresioni? Ja disa arsye:

  1. Gjenetika

Sipas opinioneve nga fusha e gjenetikës, përqindja e personave me depresion qe vine nga familje me histori depresioni, është më e lartë se tek njerëzit e tjerë. Nëse ata kanë lidhje më të ngushtë të gjakut, përqindja e depresionit do të jetë më e lartë. Prindërit që janë agresivë, bëjnë kritika, refuzime, armiqësi, etj ndaj fëmijës mund të shkaktojnë ose të përkeqësojnë fenomenet e depresionit të fëmijëve dhe të adoleshentëve. Për të shmangur këtë gjendje, prindërit duhet t’iu japin fëmijëve më shumë mirëkuptim, mbështetje dhe ngrohtësi. Nëse nënat kanë ndjeshmëri të lartë me qasje pozitive për fëmijët, mund të ulin ndikimin e fenomeneve që ndikojnë në rritjen e depresionit të fëmijës.

  1. Cilësia e martesës së prindërve

Në familje, marrëdhënia mes fëmijës dhe prindërve ka ndikim shumë të madh në zhvillimin e shëndetshëm emocionale të fëmijës. Nëse prindërit kanë vetëkontroll të dobët emocional dhe shprehin zemërim, inat, kritika, pakënaqësi dhe ankesa të ndryshme në vazhdimësi, në prani apo ndaj fëmijëve të tyre, atëherë këta të fundit po shtyhen nga prindi pa e kuptuar drejt përjetimeve emocionale tepër negative dhe të rrezikshme për mirëqenien psikoemocionale të fëmijës. Situata të tilla, bëjnë që këta fëmijë të preken më lehtë nga depresioni. Nëse prindërit divorcohen shtohet përqindja e mundësisë së prekjes së fëmijëve nga depresioni. Megjithatë, me kalimin e kohës, rreth 2 vite nga divorci, bie rreziku i depresionit. Duhet theksuar se, nëse marrëdhënia e prindërve është thyer dhe nuk mund të riparohet, zgjidhja më e mirë është dhënia fund e saj, se sa të ketë grindje dhe armiqësi mes dy prindërve.

  1. Qëndrimi afatgjatë në konvikt dhe ndryshimi i shpeshtë i shkollave

Kur fëmijëve u mungojnë përkrahjet nga shoqëruesit, mësuesit dhe miqtë, ata mund të preken më shpejt nga depresioni. Ata mund të preken nga ndjenja e vetmisë, për shkak të mungesës së miqve. Marrëdhëniet jo të mira me shokët mund të shkaktojnë pakënaqësi tek fëmijët në shkollë. Kur mjedisi i tyre i jetës ndryshohen për shkak të banimit, jetesa në konvikt, transferimit të shkollës dhe shtëpisë etj, do të shtohet risku i prekjes me depresion, sidomos nëse fëmija është larguar para moshës 3-vjeçare. Prandaj, duhet të shmangim largimin e fëmijëve nga prindi dhe mjediset familjare në moshë të vogël.

  1. Mungesa e vetëbesimit dhe mbyllja në vetvete

Duke analizuar disa nga karakteristikat e sjelljeve rriskuese, fëmijët me varësi të lartë nga të tjerët, niveli i ulët i vetërespektit, autokritikës, mbyllja në vetvete, mospërshtatja e mirë me mjedisin, luhatjet e shpeshta të humorit, mungesa e iniciativës mund të ndikojnë tek prekja nga depresioni. Kur përballen me presione të  jashtme, disa fëmijë mund të bëjnë autokritikë dhe do të mohojnë veten. Nëse kjo situatë vazhdon për një kohë të gjatë, këta të rinj do të preken më lehtë nga depresioni.

  1. Dobësimi i trupit ndikon tek gjendja shpirtërore

Shëndeti fizik është bazë e shëndetit psikologjik. Fëmijët me nivel të ulët të shëndetit fizik mund të kenë më shumë probleme me depresionin. Sëmundjet e trupit mund të prekin shëndetin psikologjik për fëmijët. Procesi i trajtimit të sëmundjeve do të çrregullojë seriozisht rendin e mësimeve dhe të jetës normale të fëmijës. Fëmijët e sëmurë do të përballen me zhgënjim dhe kufizim. Këta fëmijë do të kenë ndjenjën e mungesës së vetëbesimit, ankthit, izolimit etj, të cilat do të ndikojnë gradualisht tek zhvillimi i një  terreni favorizues për prekjen nga depresioni.

Në krahasim me të rriturit, depresioni i fëmijëve mund të  mos shfaqet me fenomenet tipike dhe mund të keqshpjegohet si “shqetësimet e adoleshencës”. Tek personat që mungojnë njohuritë e duhura psikologjike, mund të mendojnë se janë thjesht karakteristika moshore, dhe se faza e shqetësimeve të adoleshencës do të kalohet shumë shpejt pas inkurajimeve dhe sugjerimeve të përshtatshme.

Por sipas përvojave klinike, depresioni i fëmijëve mund të shfaqet në forma tepër serioze, dhe të zgjasë për një kohë të gjatë nëse nuk trajtohet. Prandaj, duhet të zbulojmë sa më parë depresionin e fëmijëve dhe të shmangim elementet e ndryshëm që e shkaktojnë atë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top