Në fokus

October 30, 2017 | 8:05

Nga Blerina Memaj: Pse dhunojmë ata që duam!

Nga Blerina Memaj, psikologe

ok

Pse dhunojmë ata që duam? E si mund të ndodhë vallë?!

Kam shumë dyshime nëse vërtet i duam ata që dhunojmë, shumë…

Nuk di kë të fajësoj më shumë, dhunuesin apo viktimën. Absolutisht nuk dua në fakt të merrem me fajësinë, me lehtësime po! Dua t’ju ftoj në fakt, të reflektoni, nëse e keni objekt (të brishtë) shkarkimi atë që dhunoni, sepse nuk besoj shumë se e doni, më shumë e lëndoni!

Dhuna nuk ka asgjë të përbashkët me dashurinë!

Më falni, unë nuk besoj në thënien: “Dashuria dhe urrejtja janë bashkë!”

Në këtë artikull dua të flas ndryshe, larg shifrave dhe statistikave. Me zemër dua t’ju flas të gjithë bashkëkombësve të mi.

A jemi një popull që e shohim dhunën më shumë si zgjidhje se sa si problem? Më shumë si pozitive se negative?!

Në një studim disamujor, sidomos me sy të lirë, në një projekt ku isha e përfshirë, në shkollat e Tiranës, kundër dhunës në ambientet shkollore, merrja shpesh trishtim me vete nga sytë e fëmijëve. Në çdonjërin prej takimeve u kam drejtuar një pyetje: – A ka dhuna ndonjë të mirë? Ngurronin në fakt të flisnin, ngurronin shumë, por sytë për një gjë flisnin qartë. Pothuajse të gjithë e kishin provuar shijen  e hidhur të dhunës. Trishtim. Pse kështu në kombin tim?!

E si mund të ketë ndonjë të mirë kjo dhuna?!

Mbyllini sytë për disa minuta dhe i përsëritni vetes çfarë ju vjen në mend kur artikuloni fjalën DHUNË.

M’u desh të studioja në universitet për një detyrë lidhur me dhunën ndaj grave. Para më del një eksperiment social, në mes të Tiranës (e çfarë mund të flitet për më gjerë në vendin tonë?!).

Një grua dhunohej brenda një hapësire të izoluar (për të provuar reagimin e kalimtarëve). Jashtë dëgjoheshin britma të forta, dhe një hije që tregonte se dikush po e dhunonte, mashkull. Dhe e dini çfarë? Me dhjetëra kalimtarë kaluan qetësisht, disa të tjerë thjesht kthenin kokën… e vazhdonin rrugën. E DHIMBSHME! Shumë e dhimbshme teksa e shikoje këtë reagim në Shqipërinë time!

Pas disa minutash shfaqet një vogëlush rom! U përpoq të bindte disa kalimtarë që t’i vinin gruas në ndihmë!

Shumë e shumë e injoruan pa të keq. Ishte një grua, e moshuar ajo që mori guximin ta hapte derën e të guxonte të ndihmonte.

Këtu mbaroi dhe ajo video e shkurtër që mua më bëri ta dërgoja në auditore. Në fakt, vendosa të flisja pa shifra sot, me majën e penës sime, por ju siguroj që janë alarmante në drejtim të dhunës dhe dhunimit në kombin tonë!

Vendosa kështu që të mos ju rëndoj. Dua të ndaj emocione me ju, përvoja, t’ju kërkoj të hapni sytë tuaj, qoftë edhe pak!

Pse dhunojmë ata që duam, pse?!

Dashuria është kaq e bukur!

Mos e shëmtoni përmes dhunës, as mos e gjymtoni! Dyshoj, dyshoj shumë nëse vërtet i doni ata që dhunoni!

Provoni të mendoni çfarë vetë ju që dhunoni ju shqetëson?!

Kur do t’i themi ne si komb, STOP DHUNES?!

Pse dhunojmë ata që duam? Pse?

Dhe si përfundim po e mbyll me pyetjen me të cilën mbyllja çdo takim kundër dhunës në shkollë: – A ka dhuna ndonjë të mirë? Shpresoj të mos dhunoni më pas këtij takimi me mua dhe as të mos pranoni të jetoni me të! Mos lejoni askënd t’ju dhunojë!

Këtë dua t’ia them të gjithë kombit tim përmes këtij artikulli!

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top