FB

June 4, 2022 | 9:01

Nga Denada Toçe / Sa do më ndihmojë vetëbesimi ta përballoj këtë betejë?

Dua të flas për atë që Zoti na solli në jetë, për atë që luftojmë dita-ditës për të qenë mirë…

Nga Denada Toçe, psikologe këshillimi

denada-toce

Jam nënë e re e një fëmije akoma të padiagnostikuar. Jo se nuk dua ta pranoj, se nëse nuk do e kisha pranuar s’do të kisha rënë dakord, duke i vazhduar terapi edhe duke parë ndryshimin. Por nuk dua ta specifikoj autik. Ndoshta ai, me kalimin e kohës ndryshon, kap zhvillimin e moshatarëve të vet, ndoshta edhe jo. Edhe kur lexoj të tilla raste them me vete: o nënë, pse ia bëre vetes gjithë atë shqetësim, do mbash me vete një peng tëndin, as terapia, as logopedia nuk do ndryshojë në taktikë apo praktikë pune, një teori kanë vetëm atë të ABA edhe nëse e çon pa specifikim, do jesh më e qetë, i thënçin, se prapë do e hash shpirtin me dhëmbë derisa të nxjerrë ato fjalët e para, derisa do të të vijë inat pse i yti nuk bën si gjithë moshatarët (nënat që komentojnë do thonë vetëviktimizoheni). Jo, kam paragjykuar nga padituria, e po paragjykohem nga mospranimi i një shoqërie të tillë. Kur lexoj nëna që këta fëmijë duhet të çohen jo në çerdhe apo kopshte si gjithë moshatarët e vet, por aty ku janë fëmijë vetëm me të njëjtën sindromë? Çfarë do presë fëmija im nga fëmijët e saj që nuk do paragjykohet? Shpirti im e di çfarë mban. Nuk më lodh terapia, gatimi apo punët e shtëpisë. Më mundon fakti në a do mundem ta përballoj gjithë jetën këtë betejë? A do ia dal?

Përshëndetje e dashur nënë. Kjo është letra më e vështirë që kam marrë prej gjithë këtyre viteve. Ndoshta sepse është puna që unë bëj çdo ditë. Merrem me fëmijë të moshës së hershme që kanë simptoma të riskut ose që janë në gjendje të Spektrit të Autizmit. Po, është një realitet të cilin asnjë prind nuk e ka të lehtë të mund të përshtatet. Nuk mendoj se do të ketë ndonjë ditë të veçantë ku prindërit do të thonë: po, fëmija im nuk është si fëmijët e tjerë. Por nga përvoja e gjithë këtyre viteve, fëmijët surprizojnë në ecurinë e tyre dhe shpresa është shumë më e madhe se e disa dekadave përpara ku fëmija emërtoheshe autik dhe kaq. Sot ne themi fëmijë me autizëm. Sot ne kemi studime dhe praktikë reale se fëmijët, të identifikuar me simptoma të lehta të riskut, mund të mëkëmben nga këto simptoma, dhe sikurse thoni edhe ju, të ketë mundësi të jetë jashtë spektrit. Unë do t’ju inkurajoheni të përqendroheni në tri gjëra të rëndësishme: Së pari, trajtimi intensiv, dhe më intensiv dua të them, i përditshëm, pa lënë të kalojë kohë e tepërt. Së dyti, trajnimi juaj për të kryer nxitje sa më shumë në ambientin natyral ku fëmija jeton dhe vepron së bashku me prindërit dhe të afërmit e tij, për të përfituar çdo mundësi që ai jep natyrshëm në këtë ambient. Së treti, fokusimi te fëmija sikurse ai është, me temperamentin dhe karakteristikat e tij. Ju ftoj të mos shikoni çdo sjellje të tij si pjesë e një çrregullimi, por si ai vet. Kështu do të shikoni pamjen e qartë, pasi fëmijët neurotipik gjithashtu janë pjesë e këtyre sjelljeve, por ata kanë një balancim të mirë dhe një larmi më të pasur të këtyre sjelljeve. Përpjekja e strukturuar dhe shume intensive e terapisë është pikërisht kjo, të arrijmë të sjellim në repertorin e fëmijës, sjellje të reja të moshës së tij dhe të pasurojmë ato që tashmë i ka duke i bërë njëkohësisht më të larmishme. Kurajo, çdo ditë do të mësoni më shumë se sot, dhe to të kuptoni se fëmija juaj nuk është thjesht i zakonshëm, por i jashtëzakonshëm.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 167

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top