Psikofakt

January 22, 2020 | 11:18

Nga Denisa Daka: Le të promovojmë një falje!

 

Para pak vitesh Cilem Dogan, 33-vjeçarja turke, nëna e një vajze të vogël, u detyrua të vrasë bashkëshortin e saj, pasi e detyronte të prostituonte.

…”Kam shëtitur kaq herë me sy të nxirë korridoreve të gjykatës për të kërkuar urdhër mbrojtje pas dhunës së tejskajshme që bashkëshorti ushtronte kundra meje,…e nëse nuk do ta vrisja unë, do më vriste ai mua.

Denisa Daka, avokate

Denisa Daka, avokate

Ai nuk do t’u thoshte kurrë juve zotërinj gjykatës, çfarë planesh bënte çdo ditë për të më futur në krevatet e meshkujve e as se sa herë më ka bërë për spital, pas çdo rasti që refuzoja të prostituoja, ndërsa çdo ditë mendoja se mund të më vriste“. Ishin këto fjalët që Cilem Dogan, e prangosur, tha përpara trupit gjykues.

Pas kësaj 33-vjeçarja, u dënua me 15 vite “heqje lirie”, ndërsa gjykata e konsideroi këtë vrasje kryer nga ana e saj, “në kufijtë e mbrojtjes së nevojshme”.

Një revoltë të madhe pati më pas, ndërsa dhjetëra shoqata protestuan në favor të saj, me influencën e opinionit publik gjithashtu.

Të gjithë së bashku ia dolën, ndërsa Cilem Dogan la qelinë e burgut, kundrejt një garancie pasurore.

Në të njëjtat kushte, dhjetëra gra këtu janë orvatur ndër vite të gjejnë “shpëtim”, pas një dhune ekstreme ushtruar nga ana e bashkëshortëve të tyre, ndërsa në asnjë rast gjykatat shqiptare nuk kanë vlerësuar “kufijtë e mbrojtjes së nevojshme”, duke aplikuar kundra tyre dënime maksimale padrejtësisht.

E si askund tjetër munguan këtu përgjatë 30 viteve nismat për promovimin e faljeve të tilla, për dhjetëra gra-nëna gjendur pas hekurave, dënuar disa herë radhazi nga fati padrejtësisht.

Fëmijët e tyre, të cilët humbën nënë e babë njëherësh, frikur nga dhimbja, pasiguria e dëshpërimi, meritojnë pa asnjë mëdyshje ndihmë e mbështetje nga secili prej nesh.

Sa herë më është dashur të takoj fëmijë të ndodhur në këto kushte, të gjithë njëzëri kanë kërkuar veç “Nënën”, në këmbim të gjithçkaje u mungoi përgjatë rritjes.

Duke promovuar falje për këtë kategori, nxjerrim nga errësira e dhimbja, fëmijët e tyre posaçërisht.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top