“Gjithçka ju duhet është dashuria. Por pak çokollatë tani e pak pastaj nuk bën dëm!” Charles M. Schulz
Nga Dorina Bilbili
Më kanë lodhur të gjithë ata që e urrejnë Ditën e Shën Valentinit. Sepse besoj fort që DASHURIA është e denjë për kremtim! Çfarë është më e mirë për të festuar se dashuria? Çfarë është më përmbushëse se sa të kuptosh dhe vlerësosh faktin se dikush të do, dikush kujdeset për ty dhe dëshiron që ti të jesh e lumtur? E unë nuk do të thoja vetëm në kuptimin romantik.
Kush e urren 14 Shkurtin shpesh justifikohet me: “Mos ma merr gabim! S’jam cinike kur bëhet fjala për dashuri. Besoj në dashuri. Është mirë që njerëzit duan të çmojnë dhe festojnë dashurinë e tyre dhe t’i bëjnë partnerët të ndihen të veçantë. Por personalisht s’mendoj se ata kanë nevojë një ditë në vit për ta bërë këtë. Një ditë në vit nuk do të ndryshojë sa e dua partnerin ose sa shumë më do ai mua!”.
Më lejoni t’ju them se ku po gaboni sipas meje:
“Nuk kam nevojë t’i tregoj për Shën Valentin partnerit se sa e dua!”
Saktë! Thuaja në çdo ditë të vitit, por mos e përjashto 14 Shkurtin! Sepse Dita e Shën Valentinit nuk ju pengon shprehjen e dashurisë për partnerin. Do të ishte qesharake që në këtë ditë të mos i dërgoje SMS-në e mirëmëngjesit me fjalën “të dua”…siç bën 364 ditët e vitit! Kremtoje sot dashurinë!
“Nuk e festoj, nuk kam të dashur!”
Beqarët? Ndonjëherë të qenit vetëm në Ditën e Shën Valentinit ta shpif! Por kjo ditë ju kujton se sa të pavarur jeni. Mund të bëni çdo gjë që dëshiron zemra juaj! Të shijoni të gjitha çokollatat për vete, të shikoni filmin e preferuar dhe të zhyteni në të gjitha spa-të që preferoni.
Ndërsa çiftet do të festojnë dashurinë e tyre në këtë ditë, beqarët duhet të festojnë për atë që kanë në jetën e tyre, veten. 14 Shkurti nuk duhet dashur vetëm, sepse je në një marrëdhënie. Sepse nuk ka rëndësi nëse është dashuri romantike, dashuri për familjen ose miqtë; dashuria është e denjë për kremtim, veçanërisht kur shpesh dhe ndjen se bota po del nga kontrolli.
“Nuk i duroj dot urimet si për Vitin e Ri! Festë komerciale!”
Shumë mendojnë se Dita e Shën Valentinit është shndërruar në një festë komerciale. Kuti në formë zemre me trëndafila, çokollata…verë…! Nëse këto gjëra nuk ju pëlqejnë, atëherë tregojeni dashurinë në mënyrën që ju duket më e drejtë. Por mos e përjashtoni kremtimin e dashurisë më 14 Shkurt.
“Nuk jam tipi i luleve dhe çokollatave! Nuk jam romantik, më lër të qetë!”
Ju që nuk jeni shumë romantik si natyrë, atëherë pikërisht sot është momenti të bësh njeriun e zemrës të “kërcejë nga gëzimi” kur më pak e pret. Ja vlen ta gëzoni apo jo? Mund të hedhësh një hap emocionues duke shfaqur dashamirësi në ditën e Shën Valentinit. Nuk e ke për detyrim të blesh buqetën më lule, por një trëndafili i kuq dhe një “të dua” mjafton!
“Ku kemi lekë për Shën Valentin?! Kushton një trëndafil 5 mijë lekë! Të mos flasim për restorantet…!”
Çmime të fryra? Ke të drejtë! Çmimet “fluturojnë” për Shën Valentin. Ama, jo tre ditë para 14 Shkurtit. Ajo çfarë duhet të bësh është si të thuash: “Dua të festoj me ty në orbitën e Ditës së Shën Valentinit”. Më 11 Shkurt mund të bësh gjithçka do të bëje me 14.
Këtë vit ngrini një dolli për dashurinë, sepse ne të gjithë kemi nevojë më shumë për të tani. Ji i lumtur që ke mundësinë të jetosh sot. Dhe jini mirënjohës për atë që keni në jetën tuaj.
Jam dakord që nuk ka dallim midis 14 dhe 15 shkurtit. Por përfitoni plotësisht nga kjo ditë sepse është një ditë në jetën tuaj. Dhe kjo mund të jetë një ditë fantastike për të kremtuar dashurinë nëse e lejon.
Sipas një ankete të bërë nga James Allen: 40% e fejesave bëhen në sezonin nëntor-shkurt. E Dita e Shën Valentinit udhëheq si momenti me numrin më të lartë të propozimeve.
Pa përmendur faktin që hulumtimet shkencore kanë treguar se marrja dhe dhënia e luleve ka përfitime të mëdha emocionale. Çokollatat? “Çdo gjë është e mirë nëse është bërë me çokollatë” – thotë Jo Brand.
Gjithkush ka të paktën një person me të cilin mund të ndajë frikën dhe mendimet e tij. Gjithkush ka të paktën një person me të cilin ndihet i sigurtë. Dhe nëse nuk ndiheni sikur keni një të tillë, gjithmonë do të keni veten. Dhe kjo është shumë e mahnitshme. Dita e Shën Valentinit në formën e saj më të pastër është një kujtesë se keni dashuri në jetën tuaj, në çfarëdo forme që mund të jetë. Është një kujtesë për të qenë mirënjohës dhe të vlerësojmë ata që na mbështesin dhe na dhurojnë mirësi. Në një botë ku është shumë më e lehtë të urresh diçka, sesa të kapesh fort pas asaj që beson.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.