Pika referimi

March 21, 2018 | 13:44

Nga Dorina Hoxha / Dritarja anës rrugës

Shoqëritë njerëzore në zhvillim për të përparuar marrëdhëniet e tyre, evoluojnë aq shumë sa i ndërpresin marrëdhëniet njerëzore racionalisht, ekonomikisht, sociologjikisht dhe, dashje pa dashje kthehen në pikën zero nga i kanë nisur.

Dorina Hoxha, publiciste

Dorina Hoxha, publiciste

Procesi jetësor është një cikël i mbyllur dhe nga kjo pikëpamje, riciklimi i roleve që përjeton çdo individ, krijon njëkohësisht perceptime të ndryshme për jetën dhe marrëdhëniet brenda saj. Nisur nga pika zero, ku raportet janë marrëdhënie të natyrshme, për shembull (nënë-i sapolindur) raportet që krijohen me kohën dhe evoluimin e saj zbehen dhe bëhen më racionale.

Në botën perëndimore ky trend social prej dekadash funksionon si një arsye e qenësishme e individit për t’u zhvilluar jashtë familjes dhe brenda këtij “katalizatori social” që është parimi që, pas moshës 18 vjeç individët kanë të drejtë të jetojnë vetëm, duke u shkëputur nga gjiri i familjes, përjashtohen edhe ato që në gjuhën e përditshme i quajmë: humanizëm, përkujdes, moral, shpërblim e mbase disa mund ta quajnë edhe dashuri të përkujdesit për familjarët e sëmurë, për prindërit e moshuar, ruajtja e lidhjeve farefisnore etj.

Të moshuarit në mënyrë kategorike e pranojnë këtë jetesë si “normë” si një domosdoshmëri për të zhvilluar individë të lirë dhe me dinjitet të pavarur social. Në emër të këtij evolucioni, i cili quhet “individ”, a mund të sakrifikohen vlerat njerëzore?! Kjo ishte pyetje retorike, e cila më mundonte sa herë përshkoja fundin e rrugës “Roonstrasse”, përshëndetesha gjithnjë me z.Lars, i cili qëndronte gjatë gjithë ditës në dritare për të parë botën sesi gjallëronte jashtë apartamentit të tij.

Në realitetin jashtë tij, fëmijë që luanin në fund të rrugës, komshinj që me trastat e mbushura, pasi dilnin nga supermarketi aty pranë shtëpisë së të moshuarit, përshëndeteshin miqësisht me të. z.Lars ishte rreth të 80-ave. Kishte punuar në aeroportin e Frankfurtit si ndihmës në sektorin e bagazheve, tanimë një pensionist i etur për përkujdesje njerëzore. Ditën e parë që jam njohur me të, ka qenë gjatë dimrit të vitit 2014. Në rrugët e atij qyteti zakonisht mbizotëronte një qetësi deri diku mbytëse. Asaj rrugice, dimri dhe koha e zymtë ia shtonin edhe më tepër vetminë. Nëse shikoje ndonjë fqinjë që thyente monotoninë e atyre ditëve acari, përbënte një eveniment për t’u festuar. Me habinë që karakterizon një të huaj që nuk e njeh mirë territorin, teksa përshkoje atë rrugicë edhe një zhurmë gjetheje përbënte shok kulturor.

Mes atij acari shikoj një dritare të hapur anës rrugës, një tingull përshëndetjeje që dridhej “ha-lloooo”. Çuditshëm e vështrova, dhe herën e parë nuk ia ktheva përshëndetjen. Asgjë mes këtij acari nuk pipëtinte, kurse dritarja anës rrugës qëndronte e hapur, a thua që në atë apartament ishte shumë ngrohtë nga kaldajat funksionale të atyre ndërtesave të stilit gjerman, të përshtatur për të përballuar temperaturat nën zero gradë ose të jetoje i vetëm në atë apartament, depërtonte e njëjta gjendje atmosferike pavarësisht mbylljes së dritares ose jo. Ditën tjetër, po ashtu z.Lars kish hapur dritaren dhe shikonte me ngazëllim përtej rrugës. Këtë radhë e përshëndeta dhe ai me një zë që dridhej më përshëndeti duke buzëqeshur. Një vetëtimë vetmie u thye papritur, e sytë e tij mbushur me bulëza lotësh që nuk i binin, por që ia theksonin të bardhën e syrit, që skuqej nga pak.

Nuk ndodh zakonisht tek të moshuarit që, e bardha e syrit të skuqet vetëm për një përshëndetje të rastësishme. Jo, ndodh vetëm tek ata që kanë mall të shkëmbejnë një fjalë, të socializohen, të ndjejnë përkujdesjen njerëzore pa të cilën janë mësuar, por nuk harrojnë se, një fjalë përshëndetëse mjafton të të rikthejë në jetën ndjesore.

Modernizimi dhe zhvillimet sociale janë ato që dërguan individin drejt një bote të vetmuarish, të rrekshëm edhe për një përshëndetje të rastësishme anës rrugës, të rrekshëm edhe për zhurmën më të pa rëndësishme jashtë dritares. Teksa përshkon atë rrugicë, kupton se ka dritare në botë që janë aq shumë të vetmuara sa bota jashtë saj duket si një gjallëri e harbueshme, që të bën ta kuptosh jetën vetëm kur je pranë dhe pjesë e saj!

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 120

To Top

Powered by themekiller.com anime4online.com animextoon.com apk4phone.com tengag.com moviekillers.com