Pika referimi

December 22, 2017 | 8:02

Nga Dorina Hoxha: Ia trandi zemrën…

Në të thjeshtën gjithçka neveritet. Edhe një kruajtje e pasveshit është bezdisëse. Nuk është e këndshme ndjesia që të ngacmon idetë e njëkohësisht të pickon si për të mbajtur veten zgjuar.

Dorina Hoxha, publiciste

Dorina Hoxha, publiciste

Ora shënonte aq sa për të të kryqëzuar në ekranin e televizorit. Ka ende njerëz që shohin TV e njëkohësisht flenë nga 10 minuta në kohën e reklamave. Jeta është bërë si një pazar virtual ku hahet, kërcehet, mbathen takat 15 cm dhe më pas në një tjetër dimension virtual shpirtërorja jonë bën ‘like’ atë thënien si kundërpërgjigje të vetes.

Ndonjëherë abstragojmë aq shumë sa kur e kuptojmë kohën që ka kaluar, ndjejmë shterpësinë e asaj që na mundoi për vite me radhë e na bëri të jemi gjithnjë në kundërshti me të sotmen.

Një vajzë nxitimthi po ecte në rrugën e saj. Me kufjet e vendosura në vesh diç dëgjonte tek aparati celular dhe kur po kalonim në anën tjetër të rrugës ndeshëm një qen, nga ata që rëndomtë i sheh të shtrirë në trotuaret e Tiranës. Nxitimthi ajo kthente kokën nga frika se qeni po e ndiqte, ndërkohë qeni në perspektivën e tij dukej i qetë, jo agresiv dhe vendosmërisht me ajrin që karakterizon qytetasit kur e njohin mirë zonën, përshkonte rrugën paralelisht me vajzën.

Frika ka lindur me njeriun, është si hija e pandashme e tij, ndryshon në varësi të këndit të diellit. Të nisësh një ditë të zakonshme me intensitetin e frikës që vajza ndjeu kur kuptoi se qeni ishte pranë saj dhe asaj i duhet t’i shpeshtonte hapat dhe të ishte e vëmendshme. Të ikësh në punë dhe të ndiesh praninë e përndjekjes që të tërheq vëmendjen. Ka prej jush që mendojnë se është e pamundur, do të ishte një skllavëri psikologjike. Vajza dhe qeni ecnin paralelisht, të dy e ndjenin praninë e njëri-tjetrit derisa një çast, frika e saj u ndal përpara një fëmije që qëndronte i ulur pranë një objekti fetar. Frika jonë është lutje, është nxitim, është një dorë e zgjatur, është një buzëqeshje, është vetja jonë që na trand zemrën.

Shoqëritë moderne na kanë mësuar të jemi hija e të tjerëve në rrjetet sociale, na kanë mësuar të duam armikun tonë përfshirë edhe veten. Të harrojmë se jetohet në një realitet ku nëse nuk punon shumë nuk ushqehesh e nëse punon pak jetohet mirë, e nëse studion filozofi do punosh kamerier. Një kamerier që përveçse të shërbejë atë birrën e ftohtë në zhegun e vapës, di të serviri edhe me ndonjë ide a thënie Platoniane si i strehuar në shpellën e mendimeve të tij, dhe të përcjellë me një çekiç Niçjan si për të thënë: – ‘Mos guxo të studiosh filozofinë, a më keq akoma gazetarinë”. Kush i do gazetarët?! Gazetarët i bëjnë roje hijes së tjetrit se të vetës nuk ka qen qëia përndjek”. Shkrimtari Viktor Hugo në veprën “Njeriu që qesh” shprehet se: ka një pikë ku famëkeqët dhe fatkeqët takohen, fjalë fatale: “të mjerët”.

Realiteti ta zë në grykë atë birrën me filozofin mbi kokë dhe na mëson se armiku i së drejtës dhe meritokracisë njëkohësisht, është edhe miku ynë që hera-herës e gostitim më birrën e filozofit dhe e trullosim me opinionin e atij gazetarit pa roje. Jeta jashtë virtuales është aq e jo e gëzueshme sa i vetmi shpëtim është arratia në virtualen e përsosur, ku shpirti ynë gjen luksin e kohës për t’u bërë filozof i vetes dhe rojtar i asaj që ia trandi zemrën.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top