Psikofakt

December 2, 2019 | 8:07

Nga Dr. Bledar Kurti: Durrësi, nga Taverna e Adriatikut në viktimë e betonizimit dhe babëzisë

Ndër shekuj Durrësi është njohur si Taverna e Adriatikut. Ndërsa sot është shndërruar në një qytet fantazëm, i zbrazur dhe i shkatërruar, i mbuluar nga dhimbja dhe trishtimi i papërshkrueshëm.

Dr. Bledar Kurti

Dr. Bledar Kurti

Të gjithë durrsakët e kuptojnë ulërimën e tokës, e kuptojnë përse ndodhi kjo tragjedi e madhe, nuk fajësojnë as Zotin por përkundrazi iu lutën Atij me përgjërim si kurrë më parë t’u shpëtonte jetën dhe familjen. Durrsakët u druheshin prej dekadash një gjëme kaq të madhe pasi ky qytet kaq i mrekullueshëm, i bukur dhe i bekuar, kishte vite që ishte betonizuar në përmasa absurde, me pallate të larta nën grykësinë e disa përfituesve të ligjë, nën babëzinë e disa pronarëve lokalesh që thyen kolonat e banesave për t’i shndërruar në mejhane, me zyrtarë pa vizion që urrenin çdo hapësirë të gjelbër, të korruptuar gjer në palcë, të dashuruar me ngjyrën gri të betonit, të verbër ndaj shëmtisë dhe rrezikut të jetës së banorëve dhe të shurdhër nga britmat e tokës dhe të qytetit.

Dhe me dhjetëra jetë njerëzish u shuan. Me qindra u plagosën. Dëmi është kolosal. Paralajmërimet e mortit kishin ardhur me kohë por ata që duhet t’i dëgjonin nuk kishin veshë dhe zemër pasi arroganca dhe lakmia për para dhe përfitime i bëri të pashpirtë.

Në momentet më të vështira gjatë goditjes së madhe të tërmetit, durrsakët nuk kishin asnjë hapësirë pa godina përreth ku mund të kalonin natën. Vetëm stadiumi. Edhe ai i rrezikuar prej kullave dhjetëra metra të larta e të rënda prej hekuri që në rast rënie rrezikonin me mijëra jetë të tjera. Asnjë hapësirë tjetër. Çdo gjë e betonizuar. Çdo centimetër i ndërtuar me godina dhjetëra katëshe. Durrësi antik ra viktimë e mashtrimit të madh të të babëziturve që broçkollisnin dhe propagandonin Durrësin futurist. Dhe ja, ishin këta ndërtues dhe betonizues që u shpërblyen jo vetëm me përfitime financiare por u thirrën edhe si ligj-bërës duke u bërë deputetë dhe zyrtarë të lartë, sponsorizues të fushatave elektorale, njerëz të respektuar nga pushteti. Dhe ja, fatkeqësisht, do jenë po këta që do ndërtojnë edhe godinat e reja pas tërmetit. Shkaktarët do bëhen heronj. Të pasurit do bëhen edhe më të pasur. Kjo tragjedi lëndoi thellë njerëzit e thjeshtëpunëtorë e të ndershëm të Durrësit, dhe i ofroi një mundësi edhe më të madhe pasurimi.

Turp!

Të vendoset një moratorium ndërtimesh shumë katëshe në Durrës. Të merret seriozisht ligji dhe plani i urbanistikës së qytetit. Të shkojnë përpara drejtësisë të gjithë ata që kanë kontribuar me papërgjegjshmërinë, korrupsionin, dhe babëzinë e tyre. Të bëhet gjithçka për t’iu kthyer lavdia dhe bukuria e qytetit që edhe pse më i bukuri në Adriatik, taverna më e pasur në mbarë vendin, në tridhjetë vitet e fundit ka qenë vendbanimi i njerëzve të varfër, dhe sot viktimë e mjerë e një poshtërsie të madhe.

Durrsakët janë një popull i fortë dhe punëtorë. Ata e kanë dëshmuar se me duart e tyre kanë ndërtuar edhe vendet fqinje, apo anë e mbarë botës ku kanë emigruar, duke nderuar qytetin dhe Shqipërinë, ndaj edhe në këto ditë të vështira do arrijnë të ndërtojnë të ardhmen e tyre, por kësaj here asnjë shushunjë e gjakut të ndershëm mos u bëftë më pengesë dhe varrmihëse e jetëve dhe ëndrrave të tyre.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top