Psikofakt

June 19, 2016 | 9:00

Nga e para

Nga Edmond Tupja

Nga Edmond Tupja

Po, nga e para. T’ia nisësh nga e para. Pasi ke dështuar në një ndërmarrje, në një nismë, në një marrëdhënie, në një përballje. Pasi ke shpenzuar energji mendore e fizike, kohë, para, pak rëndësi ka se çfarë. T’ia nisësh nga e para, pavarësisht pengesave, pavarësisht të tjerëve që të gjykojnë ashpër, që nuk kanë besim se do t’ia dalësh mbanë pikërisht aty ku ke dështuar. Pavarësisht vetvetes që, nën ndikimin e diçkaje apo të dikujt, të këshillon herë pas here të heqësh dorë duke të pëshpëritur tinëzisht se më kot shpreson, se sërish mund të dështosh, dhe atëherë, pas një dështimi të dytë, do të të presë ndjenja e humbjes, ligështimi, pesimizmi, depresioni. Megjithatë, edhe pse kalon mes luhatjesh, hamendësimesh, ngurrimesh e mëdyshjesh, ti mund, ti duhet t’ia nisësh nga e para, të rifillosh, të luftosh, të tërhiqesh përkohësisht për t’u rihedhur përpara, për t’u kundërpërgjigjur, për të kundërsulmuar. Që t’i provosh vetes se je ende në këmbë, se nuk e ke humbur toruan, se ke aq forca sa ta kapësh demin nga brirët. Që t’u provosh të tjerëve se je më i fortë se rrethanat, ngjarjet, të papriturat, fatkeqësitë, sidomos atyre që presin, urojnë, shpresojnë, madje kanë vënë bast se ti do të rrëzohesh e do të zvarritesh deri sa të mos kesh më as fuqi e as dëshirë për të dalë fitimtar. Megjithatë, për të qenë i sigurt që ka ardhur vërtet momenti për t’ia nisur nga e para, ti duhet t’i bësh mirë llogaritë, prandaj nxitohu me ngadalë, siç thotë frëngu. Për këtë ti mund, ti duhet të këshillohesh me dikë, prind, grua, mik, shok apo me dikë tjetër që ka përvojën e jetës dhe që ta do të mirën. Mirëpo, edhe në këtë pikë, ti mund ta shohësh veten në një udhëkryq luhatjesh, hamendësimesh, ngurrimesh e mëdyshjesh: disa nga ata që ta duan të mirën mund të të këshillojnë të heqësh dorë, të mos ia nisësh nga e para, sepse nuk ia vlen, disa të tjerë që ta duan po aq të mirën, mund të të këshillojnë të kundërtën, pra, të mos heqësh dorë, t’ia nisësh nga e para pikërisht sepse ia vlen. Në këtë rast, pra, tek e sheh veten në një vorbull të tillë qëndrimesh e këshillash të kundërta, merr mundimin e shko te një mik i panjohur, e kam fjalën për psikologun, i cili, si përkufizim, vetëm të mirën mund e duhet t’i dojë dikujt që vjen dhe i rrëfehet sepse ka besim te fjala e tij, kërkoji atij një mendim, bashkoja këtë mendim gjithë mendimeve të të afërmve, miqve e shokëve më të dashur, pastaj merr frymë thellë, shumë thellë e vendos vetë dhe, para se t’ia nisësh nga e para, rilexo poezinë “If” të Rudyard Kiplingut në përkthimin e Vedat Kokonës, sidomos këto vargje: “Në durofsh kur e vërteta jote ndrydhet / Nga horrat dhe lak bëhet për teveqelë, / Në pafsh atë ç’ke stisur që të thyhet, / Prap’ të ndërtosh me veglat bërë fërtelë…”. Sepse, duke ia nisur nga e para, ti ndërton e rindërton ëndrrën tënde, ndërton e rindërton vetveten.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top