FB

June 11, 2024 | 7:16

Nga Edlira Athanas Joseph / Temat psikologjike të trajtuara në film

 

Filmat kinematografikë apo televizivë kanë ofruar vazhdimisht një dritare magjepsëse në psikikën (e njeriut) njerëzore. Kjo dritare ngjall gjithashtu një seri mendimesh dhe ndjenjash përgjatë gjithë minutazhit filmik. Këto medium kanë një aftësi unike për të gërmuar në ndërlikimet e sjelljes, emocioneve dhe marrëdhënieve njerëzore, duke i bërë ato mjete të fuqishme për të eksploruar psikologjinë dhe natyren a njeriut.   Ndërsa është e lehtë të humbasësh në shkëlqimin dhe magjepsjen e fotografive lëvizëse, është e rëndësishme të njihet ndikimi thelbësor që ky medium ka pasur në promovimin e analizës së mendjes njerëzore dhe kompleksiteteve të saj.  

edlira-athanas-joseph-1

Është nëpërmjet gëzimit, hidhërimit, frikës apo dashurisë që ne shpesh gjejmë veten duke u identifikuar me personazhet në ekran. Kjo lidhje emocionale është një dëshmi e fuqisë së narrativës, një mjet kyç në psikologji, i cili na lejon të kapërcejmë në botën e karaktereve dhe të përjetojmë emocionet dhe dilemat e tyre, duke nxitur ndjeshmërinë dhe mirëkuptimin kundrejt konfliktit psikologjik që parashtrohet. Identifikimi me personazhet, duke u ndërthurur me rrugëtimin e tyre psikologjik, shërben si një formë e fuqishme terapie që të dikton lidhjen tonë me botën apo betejat tona emocionale. Për më tepër, filmi ka luajtur një rol kryesor në reduktimin e stigmave rreth temave psikologjike të cilat dikur konsideroheshin tabu, me synimin që të reduktojë shfaqjen e stereotipave dhe për një kuptim më të mirë dhe të qartë të çrregullimeve mendore.

Si pionier i trajtimit të hapur dhe objektivisht i temave të sëmundjeve mendore, filmi ka ndikuar pozitivisht në edukimin e audiencës duke çuar në pranimin e tyre nga një këndvështrim përkatës i një shoqërie me një botëkuptim mendor më të avancuar. 

Ideja që psikologjia dhe kinematografia janë të lidhura në mënyrë të pandashme, duke plotësuar njëra-tjetrën në dritaren e ekranit, përkrahet nga shumë hulumtime të ndryshme dhe kritikë filmi. Unanimisht të gjithë filmat përshkruajnë karaktere, narrativa e të cilëve fillon me një stres psikologjik rreth një konflikti të ndërlikuar që kërkon zgjidhje. Nga këndvështrimi diagnostikues, simptomat e karaktereve përshtaten plotësisht me kriterin përkatës të një sëmundjeje mendore të identifikuar tek Manuali Diagnostikues dhe Statistikor i Sëmundjeve Mendore (DSM-5). Karaktere të ndryshëm filmash madje përdoren si shembuj studimi në Shkollën e Psikiatrisë dhe Psikologjisë për t’i ofruar studentëve një ekspozim më real të pasqyrës së sëmundjeve mendore dhe përhapjes së tyre.

filma

Depresioni dhe ankthi, duke qenë më të zakonshmet nga çrregullimet mendore, shpesh përshkruhen në filma përmes teknikave të ndryshme narrative dhe kinematografike për të përcjellë eksperiencën emocionale dhe psikologjike të personazheve. Personazhet me depresion ose ankth shfaqen shpesh me mangësi në funksionet e tyre, vështirësi në marrëdhëniet me të tjerët, frikë e paramenduar, probleme me vlerësimin dhe vetëvlerësimin, aftësinë e dobët për t’u përshtatur etj. Konfliktet e tyre të brendshme dhe proceset e të menduarit theksohen nëpërmjet dialogut me personazhet e tjerë për të siguruar një pasqyrë të gjendjes së tyre mendore, dhe fjalët apo dialogët që këto personazhe përdorin përfshijnë shprehje që lënë të kuptojnë mungesën e shpresës, me frikë, shqetësim dhe të tjera deklarata që kristalizojnë me tej imazhin e një njeriu me çrregullime mendore.

Problemet mendore shpesh përshkruhen në teknikat kinematografike vizuale përmes një sërë metodash që synojnë të evokojnë gjendjet emocionale dhe psikologjike të personazheve që i përjetojnë këto kushte. Ndriçim i zbehtë dhe me shumë hije dhe ndriçim shpeshherë reflekton atmosferën e zymtë dhe shtypëse të sëmundjeve depresive, ndërsa kontrasti i mprehtë midis dritës dhe errësirës simbolizon konfliktin e brendshëm dhe gjendjet neurotike të shoqëruara shpesh me ankth dhe psikozë. Ngjyrat e zbehta dhe të shpëlara përcjellin një ndjenjë dëshpërimi dhe mpirje emocionale, shpeshherë të lidhura me depresionin.  Në përdorimin e kamerës, pamjet ekstreme nga afër mund të kapin shprehjet e vogla të shqetësimit, duke e bërë audiencën të ndjekë më ngushtë gjendjen emocionale të personazheve, ndërsa animi i kamerës, apo marrja e filmit me kamera në dorë përçojnë tek publiku një ndjenjë çorientimi, e cila simulon paqëndrueshmërinë dhe ankthin e personazhit.  Personazhet shpesh shfaqen vetëm në kornizën e ekranit me shumë hapësirë boshe rreth tyre, për të theksuar ndjenjat e vetmisë dhe izolimit. Njëkohësisht, kuadrimi klaustrofobik apo i ngushtë, krijon ndjenjën e bllokimit dhe mbytjes.

Teknika të ndryshme të montazhit si: shpejtësia e përcaktuar e figurave në ekran apo retrospektiva, përdoren për të mbështetur në tërësi temën e stresit psikologjik. Muzika në sfond, tingujt dizonante ose me jehonë, janë po ashtu elementë të rëndësishëm që i bashkëngjiten efekteve të tjera kinematografike dhe funksionojnë në mënyrë organike për të ofruar një përshkrim më intrigues të situatës apo të gjendjes emocionale të personazheve.

filma1

Regjisorët e filmave janë shpesh të magjepsur nga psikologjia anormale, sepse ajo ofron materiale të pasura dhe komplekse për ngjarjen. Personazhet me anomali psikologjike shpesh ofrojnë shtresa personalitetesh të ndërlikuara, kompleksiteti i të cilëve është një vegël për të implikuar dhe tërhequr vëmendjen e audiencës për sa kohë që fokusi është në ekranin e filmit. Filmat që janë të bazuar në psikologjinë anormale eksplorojnë unanimisht pyetje themelore rreth natyrës, sjelljes dhe mendjes njerëzore. Ky eksplorim është intelektualist dhe rezonant për shikuesit. Sjellja e personazheve me anomali psikologjike shpeshherë është e paparashikuar për publikun gjë që shton pasigurinë dhe elementin e surprizës.  Hollivudi tërhiqet natyrshëm nga psikologjia anormale për dobinë e saj kinematografike si një mekanizëm komplot, i cili e vë filmin në një medium të fuqishëm për potencialin që ka për të impresionuar dhe implikuar emocionalisht publikun.

vvPsikologjia anormale është pasqyruar në filma që kur kinematografia filloi të zhvillohet. Riptide (1934) p.sh implikon një personazh kryesor që përmbush kriterin e çrregullimit bipolar, ndërsa These Three (1936) përshkruan një personazh me simptoma të personalitetit antisocial. The Seven Vail (1945) nga ana tjetër nxjerr në pah simptomat e çrregullimit të stresit post-traumatik, The Locket (1946) ato të klipotmanisë, High Wall (1947) të çrregullimit disociues, The Snake Pit (1948) përshkruan skizofreninë, Lizzie, (1957) përshkruan çrregullimin e personalitetit të shumëfishtë etj., të gjitha të identifikuara në DSM-5.

Sidoqoftë, filmat e hershëm ishin një pasqyrim i një shoqërie së cilës i mungonte njohuria diagnostike, fjalori përkatës i psikologjisë anormale dhe ndjeshmëria për të përcjellë sëmundjen mendore si më shumë se një seri sjelljesh të çrregullta apo evidence e një dështimi moral. Psikologjia anormale kërkonte një element më intrigues dhe ndërmjetës për ta bërë ata më të qartë për audiencën asokohe e me paragjykimet e thella kundrejt sëmundjeve mendore, e cila nuk ishte e përgatitur t’i pranonte ato si një entitet që ka ekzistuar gjithmonë në shoqëri. Ky element kinematografik është ai i pasigurisë dhe surprizës.

Alfred Hitchcock është mjeshtri i përdorimit të psikologjisë anormale si një vegël e fortë jo vetëm për të impresionuar por edhe për të shokuar audiencën. Meqenëse filmi funksionon në mënyrë efektive në sistemin e nxitjes së zgjimit, që të krijojë katarsin final, Hitchock përdor psikologjinë anormale për të nxitur zgjimin maksimal tek audienca, stil që e bën atë një nga regjisorët më të realizuar në botë. Teknika e nxitjes së këtij zgjimi nga Hitchcock nuk vjen thjesht nga teknikat kinematografike, por mbi gjithçka nga mënyra e Hitchcock-ut, i cili e detyron audiencën shpesh të ndjejë këtë zgjim, duke përshkruar simptoma reale të psikologjisë anormale. Teknika kinematografike e Hitchock-ut përcillet duke tranzicionuar nga perspektiva objektive, pra perspektiva e audiencës, ku shpesh ka më njohuri kundrejt ngjarjes krahasuar me personazhet e filmit, dhe perspektivës subjektive ku audienca e sheh ngjarjen nga këndvështrimi i personazheve.

capture1

Në filmin “Psycho”(1960), Hitchock krijon një personazh që vuan nga çrregullimi i personalitet të shumëfishtë, sot quhet çrregullimi i personalitetit disociativ (DSM-5). Në fund të filmit, Hitchock ofron një përshkrim të saktë të prevalencës së këtij çrregullimi nëpërmjet personazhit të psikologut. Personaliteti disociativ është shpesh i shkaktuar si rrjedhojë e një traume të ndodhur gjatë fëmijërisë. Trauma në këtë rast parandalon formimin a ndërgjegjes qendrore, kompleksi i të cilës e shtyn një fëmijë të krijojë një mekanizëm përballues ku ai beson se trauma i ka ndodhur dikujt tjetër. Personazhi Norman Bates tek Psycho ka kaluar dy trauma, vdekjen e babait dhe vrasjen e nënës. Në film, psikologu spekulon se Norman Bates nuk mund të përballonte faktin që ai kishte vrarë mamanë e tij (matricid), dhe si rrjedhojë përshtat personalitetin e mamasë për ta mbajtur atë të gjallë. Ishte pikërisht ky personalitet që e ndëshkonte atë dhe të gjithë ata që ndikonin tek Norman për ta bërë të ndihet i ç’thurur dhe me gabime, ashtu si e ëma e kishte bërë të ndihej kur ishte fëmijë. Në filmin Vertigo (1958), Hitchock krijon një personazh  (Scottie) i cili vuan nga akrofobia, një frikë ekstreme nga lartësitë, e kualifikuar në DSM-5 nën kushtet e ankthit. Edhe pse Akrofobia, e cila shoqërohet me vertigo, që do thotë marramendje dhe çorientim, është elementi qendror i psiko-patologjisë së personazhit kryesor, Hitchcock i shton atij dy çrregullime të tjera mendore, depresionin dhe sjelljen obsesive-kompulsive, që më tej linte të spekulohet se personazhi kryesor mund të vuajë nga çrregullimi i stresit post traumatik.

Çrregullimi i stresit post traumatik kualifikohet në DSM-5 si një çrregullim që krijohet pasi individi ka kaluar një ngjarje ose përsëritjeve të një ngjarjeje traumatike dhe rreth një muaj më pas fillon të ndjejë simptoma si frika, ankthi, depresion, evitim të një situate që mund të ketë ngjashmëri me atë që ai ka kaluar, makth ëndrrash, flashback, disocim, shkëputje nga jeta e përdtishme dhe pandjeshmëri. Pasi elementi i çrregullimi mendor është identifikuar si dobësi e personazhit kryesor, përdoret nga personazhi tjetër Madeline/Judy për të realizuar komplotin e paramenduar, duke e bërë Scottin dëshmitar të një vrasjeje fiktive që do të favorizonte një shumë të madhe të ardhurash nga sigurimi jetësor i Madaline, e cila nuk është veçse një grua (Judy) e paguar nga burri i Madalines së vërtetë, të skenonte një grua me shqetësime të mëdha mendore me të cilën vetëvrasja do të ishte më e justifikuar.

thee

Hitchcock tek Rear Window (1954), eksploron temën e vuajerizmit përmes protagonistit, L.B. “Jeff” Jefferies, i cili është i kufizuar në një karrige me rrota dhe kalon kohën e tij duke vëzhguar fqinjët përmes dritares së pallatit ku ai jeton. Vuajerizmi i përket një grupi të çrregullimeve parafilike të identifikuara në DSM-5 dhe ka simptomë kryesore një zgjim të natyrës seksuale që vjen duke vëzhguar njerëzit fshehurazi dhe pa dijeninë e tyre. Sigmund Freud përdori termin skopofili për të përshkruar, analizuar dhe shpjeguar konceptin e vuajerizmit, një kuriozitet të cilin ai e konsideroi një instinkt të krijuar në procesin e fëmijërisë dhe formimit të një personaliteti. Sipas Freud-it vuajerizmi është forma aktive e skopofilisë që shfaqet si një instinkt që mund të sublimohet, ose në Estetikë, duke parë objektet e artit, ose sublimohet në një neurozë obsesionale. Freud e lidh vuajerizmin me mënyrën se si fëmijët zbulojnë identitetin seksual dhe lidhjes dhe më pas me perceptimin e gruas si “seks i dobët”. Ai arsyeton se fëmija mashkull instinktivisht e di se duke pasur një falus mund t’i japë kënaqësi seksuale figurës së fuqishme si ajo e nënës. Kjo i jep fëmijës mashkull ndjesinë e epërsisë përballë femrës, e cila sipas Freud-it ndihet e kastruar. Psikologë më modernë e kanë identifikuar vuajerizmin si një çrregullim mendor, pjesë e psikologjisë anormale, që e zhvendosin individin nga bota konkrete e realitetit në një botë abstrakte të fantazisë. Vuajerizmi është një temë e hasur shpesh tek filmat e Hitchcock-ut. Askush nuk mund ta evitojë pa ndjerë pështirosjen dhe frikën e përndjekjes kur vëzhgojmë Norman Bates në Psycho, kur nga një njeri i sjellshëm dhe plot sharm, shpërngulet në një dhomë tjetër dhe fillon të përgjojë protagonisten femër nga një vrimë në mur të fshehur prapa një pikture. Vuajerizmi në Rear Window është përshkruar si një burim argëtimi dhe në të njëjtën kohë si dilemë morale. Vuajerizmi i vazhdueshëm i Jeff-it ndaj fqinjëve të tij e lejon atë të zbulojë një krim të mundshëm, por gjithashtu ngre pyetje etike në lidhje me privatësinë dhe kufijtë e hapësirës personale.

Hitchcock përdor obsesionin e Jeff-it në vëzhgimin te fqinjët për të krijuar pasiguri dhe jo aksidentalisht për të angazhuar audiencën, duke i bërë ata bashkëpunëtorë në aktin e vuajerizmit. Ky film përfundimisht sugjeron se ndërsa vuajerizmi ndihmoi  zbulimin  e një vrasësi, gjithashtu vjen me implikime të rëndësishme etike karshi privatësisë.  

Filmi si një nismëtar i koncepteve të avancuara dhe me fuqinë t’i bëjë ato më flagrante, vazhdoi të implikojë çrregullime mendore si skizofrenia, kushtëzimi bipolar, personalitet ë shumëfishta, etj, duke e përshtatur temën e psikologjisë anormale në mënyrën që kërkon një audiencë me botëkuptim më të zhvilluar rreth kësaj teme. Rreth viteve 1990 e deri në kohë e tanishme, vëzhgohet një rritje e filmave me përshkrim më real të temës së psikologjisë anormale. Skizofrenia në veçanti ka ëqenë subjekti i shumë filmave të njohur siç është “A Beautiful Mind”, “Shattered island”, “Donnie Darco”, “Spider” dhe shumë të tjerë. Skizofrenia është një çrregullim kompleks dhe i rëndë psikologjik, i karakterizuar nga ndikime të thella në proceset e të menduarit, emocioneve dhe sjelljes. Ndër manifestimet e simptomave, individë të diagnostikuar me skizofreni i nënshtrohen periudhave të zgjatura të psikozës, një gjendje që i shkëput ata nga realiteti. Kjo sëmundje veçanërisht pengon funksionin e përditshëm të individit dhe cilësinë e jetës. Sipas kritereve të përcaktuara në DSM-5, shfaqja e të paktën dy simptomave të listuara për një periudhë të konsiderueshme brenda një muaji vërteton skizofreninë, ku deluzione, halucinacione, të folur kaotik, sjellje apo mënyrë të foluri e çorganizuar, sjellje katatonike dhe humbje të reaksionit emocional, janë të pranishme dhe një zgjatje të paktën gjysmë viti.

mendjeebukur

Kur përmenden filma me një personazh që vuan nga skizofrenia, për shumicën e njerëzve, filmi i parë që u vjen në mendje është “A Beautiful Mind” (2002). Filmi bazohet në historinë e jetës reale të matematikanit amerikan dhe fituesit të çmimit Nobel, John Nash. Ndërsa një student i diplomuar në Universitetin Princeton, Nash fillon të zhvillojë simptoma të skizofrenisë paranojake. Ai ka halucinacione për tre persona në jetën e tij dhe beson se po punon në një komplot të fshehtë kundër sovjetikëve. Një mjek përpiqet të mjekojë Nash-in, por ai përfundimisht nuk pranon dhe vë në rrezik gruan dhe fëmijën e tij. Megjithatë, gruaja e tij e mbështet vendimin e Nash për të mos marrë mjekimin që kontrollon skizofreninë. Nash vazhdoi të jetojë një jetë produktive, duke i patur halucinacionet e tij, ndërkohë që pranon se ato nuk janë reale. Përshkrimi i skizofrenisë në këtë film është nga më të saktët, por mënyra se si filmi përfundon ka shqetësuar ekspertë të shëndetit mendor, të cilët nuk aprovojnë që  filmi përfundon me refuzimin e Nash për të marrë ilaçe, duke sugjeruar që kjo do të inkurajojë të tjerë që janë diagnostikuar me skizofreni që të bëjnë të njëjtën gjë.

Edhe pse përshkrimet e sëmundjeve mendore në film kanë krijuar momentum duke ndikuar në qëndrimet e publikut dhe duke evoluar trajtimet e pranueshme të këtyre çrregullimeve, personazhet që vuajnë nga këto probleme janë akoma të steriotipizuar. Shpeshherë ata janë subjekte problematike, të cilët reflektojnë gjendjen e tyre mendore tek të tjerët duke i kushtuar atyre probleme të ndryshme sociale. Këta personazhe janë shpesh subjekt keqardhjeje, të përshkruar pa dinjitet dhe shpresë.

Për më tepër, zëri i psikologut apo i psikiatrit për të dhënë një shpjegim apo evoluim të saktë të çrregullimit, shpeshherë mungon duke lënë audiencën të arrijnë vetë në një përfundim rreth çrregullimeve mendore që është jo i saktë dhe i plotë me gjasë. Filmi ka një ndikim të thellë në opinionin publik për sa i përket çrregullimeve nervore dhe audienca mund ta ketë të vështirë të monitorojë me vetëdije këtë ndikim. Pra po aq i rëndësishëm sa ç’është prezantimi i saktë i çrregullimeve mendore në film, është edhe njohuria e fuqisë që filmi ka në influencën e audiencës. Gjithashtu, trajnimi i audiencës për të qenë më kritik ndaj filmit mund të parandalojë stigmatizimin e mëtejshëm të çrregullimeve mendore.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top