FB

May 26, 2022 | 8:45

Nga Edlira ÇEPANI / Çështje fati apo zgjedhje…

Ishte e shkruar, është çështje fati, kështu e ka jeta… ndodh shpesh që kemi tendencën të fshihemi pas këtyre mendimeve për të lehtësuar disa përgjegjësi që jeta na i vë përpara dhe për të cilat e vendosim neve rrjedhën e gjërave…

Gjatë një udhëtimi para disa vitesh mes miqsh, në një hotel të vogël dhe familjar, në mëngjes u zgjova duke dëgjuar një fëmijë që qante me dënesë, në katin e mëposhtëm. Zëri vinte turbullt dhe fjalët nuk dëgjoheshin qartë, por dukej sikur i lutej dikujt në mënyrë të dëshpëruar… Dola më shpejtësi deri poshtë e gjeta veç miqtë që më thanë me këmbëngulje të mos ndërhyja, se me siguri ishte një çështje familjare mes prindërve dhe fëmijës e cila nuk më përkiste.

U rrotullova nja dy-tri herë me synimin për t’u bindur e për të rënë në qetësi sipas këshillës së miqve, por nuk ia dola dot. Mora vrapin me një frymë deri në katin e tretë dhe, sa me guxim, aq sa me frikë i rashë derës. Fëmija vijonte të qante, por zëri i tij ishte edhe më i mbytur se më përpara. Dera nuk u hap… Miqtë më tërhoqën sërish duke më thënë se nuk ishte e udhës të qëndroja pas dere, por nuk i dëgjova as këtë herë dhe e hapa vetë derën. Në atë fraksion të sekondit në të cilin hapej dera, më shkuan ndërmend njëmijë skenarë të situatave që mund të gjeja apo të asaj që mund të ndodhte…

Në dhomë nuk gjeta askënd dhe fëmija vetëm 4 vjeç që qante ishte pas derës së tualetit të cilën e kish mbyllur gabimisht dhe nuk dinte ta hapte… Ndërkoha që i flisja për ta qetësuar, e dëgjoja që zëri i tij mekej çdo herë e më shumë dhe sa gjetëm një çelës tjetër për derën, arritëm ta nxirrnim djalin e vogël në gjendje thuajse të fikti… Në atë moment, prindërit që e kishin lënë në gjumë për të blerë diçka, u kthyen dhe e morën situatën në dorë…

Nëse do të ishim vonuar dhe nuk do të kishim dashur të ndërhynim “në çështjet e brendshme që nuk na përkisnin” do të kish qenë fatale për djalin e vogël… Ia kujtoj vetes dhe miqve këtë histori sa herë dëgjoj për raste të dhunës, veçanërisht asaj në familje, për të cilat ne e qetësojmë veten me faktin se çështjet e familjeve të tjera nuk na përkasin dhe nuk mund të ndërhyjmë për to. Sa herë dëgjoj raste të përshkallëzimit të dhunës në familje, mendoj se sa mirë do ishte sikur dikush rrotull, qoftë komshi, qoftë kalimtar, qoftë i afërm, të kishte marrë masa në kohë e të kishte denoncuar, apo të ishte munduar të bëhej pjesë e një zgjidhjeje që mund të shpëtonte jetë…

Një nga gjërat që kam vlerësuar gjithmonë në shoqëritë perëndimore ku kam jetuar, ka qenë edhe kjo. Atyre nuk u mungon asnjëherë kurajo për të thirrur policinë apo institucionet e tjera publike, në rastet kur e mendojnë të nevojshme dhe sidomos kur ka probleme në komunitetin e tyre. Sa herë që fshihemi pas shprehjeve “kështu ishte e shkruar apo s’janë çështje që na përkasin, nuk duhet të harrojmë se ne nuk kemi vetëm të drejtat si pjesë e një komuniteti, por kemi edhe detyrimin për t’u thënë “jo” gjërave që janë të gabuara. Nga ana tjetër, një dhunë e cila trajtohet si kulturë, nuk do qëndrojë më vetëm brenda mureve të një shtëpie, por do të na prekë edhe neve në një mënyrë apo në një tjetër.

Diku pas dyerve të mbyllura, por edhe në publik, ka fëmijë, gra e vajza, njerëz që janë viktima të dhunës… Ata nuk kanë shumë mundësi zgjedhjeje dhe me shumë gjasa as forcën për t’i thënë STOP dhunës, por neve po. Neve kemi dy zgjedhje, ose të heshtim dhe kur të dëgjojmë tragjedi e të themi se kështu ishte e shkruar, ose të bëhemi me aq sa kemi mundësi, pjesë e zgjidhjes dhe së bashku me institucionet përgjegjëse, të thyejmë pak nga pak rrethin vicioz të dhunës.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 166

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top