FB

October 19, 2022 | 9:00

Nga Edlira Çepani / Kujt duhet t’i pëlqej?

Kohët e fundit ka dalë një trend, ku njerëzit i shkruajnë letra vetes së tyre adoleshente. Po përtoja t’ia shkruaja vetes sime adoleshente, pasi kam shumë për t’i thënë edhe vetes sime në të tashmen, e shpesh na mungon koha për të ndenjur vetëm e për të biseduar me “njëra-tjetrën”…

Nga Edlira ÇEPANI

Pastaj edhe në punën që bëjmë me shkollat, edhe në media, edhe në biseda me disa prej të rinjve adoleshentë që kam fatin të njoh, u rikujtova për këtë ndjesinë e moshës se, nga një anë të duket sikur je në kundërshtim me gjithë botën, por nga tjetra të duhet t’u pëlqesh njerëzve, pasi është periudhë ku integrohesh si individ në shoqëri (jo më si fëmija i dikujt, por tashmë si një individ i veçantë). Kjo beteja e të qenit vetvetja, ashtu me vrull siç të vjen me moshën (mua edhe me karakterin), kundrejt përpjekjes për t’u integruar në pjesë të ndryshme të shoqërisë, ishte e fortë në rastin tim, por jam e sigurt se është e tillë edhe për shumë fëmijë dhe adoleshentë që përballen me këtë stad të jetës. Duhet t’u pëlqesh mësuesve që të marrësh nota të mira, duhet t’u pëlqesh miqve që të bësh miqësi të reja, duhet t’u pëlqesh atyre anëtarëve të jurisë ku shpesh në atë moshë bën konkurse të ndryshme, po duhet t’u pëlqesh edhe të rriturve të afërm se ndryshe mërzisin prindërit duke u thënë se fëmija i tyre është një dështim në sjellje…

Duhet t’u pëlqesh dhe atyre të cilët do të të donin më të dobët, apo më të shëndoshë, më sportiv, apo më pak, më të kujdesur apo më të shkujdesur në veshje, etj,. E bukura e së gjithës është se, për t’u pëlqyer të gjithë këtyre kategorive duhet të jesh ndryshe për secilën. Mësuesit të duan të fokusuar te studimet, me urtësi dhe maturi. Miqtë të duan të jesh sipas kërkesave të kohës, pak i/e çmendur, shumë trendy, shumëdimensionale në gjërat që bën, me kohën e gatshme për t’ua kushtuar në çdo moment të ditës, etj,. Juritë nga ana tjetër nuk të duan aq të urtë sa mësuesit, se duan të shohin njerëz luftarakë, ambiciozë dhe me besim të theksuar në vetvete (këta tipa në klasë zakonisht i lodhin mësuesit). Nga ana tjetër të afërmit…uhhh të afërmit që s’i ke njohur kurrë, tashmë që je rritur, presin t’u kushtosh kohë, t’i dëgjosh në këshillat e tyre të pafundme për të ardhmen (secila ndryshe nga njëra-tjetra), të tregosh respekt në sjellje, në veshje, në shije, se tani JE RRITUR, nuk je më fëmijë që mund të bësh ç’të duash! Në fakt po t’i shohësh me kujdes, gjëra të mira janë të gjitha këto! Janë njerëz që duan që ti të bësh më të mirën, bazuar në standardin e tyre dhe patjetër që këtë e kanë nga dashamirësia. Ti, nga ana tjetër, do që në atë moshë t’i bërtasësh botës që nuk është një vend i denjë për fëmijët, të bësh gjëra me vrullin e moshës, të pasionit për të bërë diçka të re, qoftë dhe çmendurinë e radhës, por frenohesh pak nga pak me kalimin e viteve, se ndërkohë që duhet të bësh gjithçka do, duket sikur duhet të bësh edhe gjithçka duhet për t’u pëlqyer të tjerëve, për t’u integruar në shoqëri, për të marrë vlerësimin e duhur nga ata që ke rrotull. Kjo nuk është një gjë që ndodh vetëm në fëmijëri apo adoleshencë, tërë jetën mundohemi të integrohemi diku, të gjejmë një punë duke i pëlqyer punëdhënësit, të gjejmë një shoqëri të mirë, të marrim vlerësime nga njerëz, institucione dhe rrethe shoqërore të ndryshme, e njëjta betejë thjesht me personazhe të ndryshme dhe në të tjera nivele. Vetes sime fëmijë apo adoleshente, do t’i thoja vetëm një gjë. Beteja dhe nevoja për t’u integruar, pëlqyer njerëzve e për të marrë vlerësimin e tyre, nuk ndryshon madje bëhet më e egër më kalimin e viteve, ajo që ndryshon kur rritesh dhe kthen kokën pas, është se si ti e përballon atë. Vlerësimi i jashtëm është i rëndësishëm, por nuk duhet dhe nuk mund të jetë qëllim në vetvete, duke humbur veten në gara pëlqyeshmërish. Duke kaluar koha e kupton që edhe ata që presupozohet të të vlerësojnë ty, kanë perspektivat e veta personale (mbështjellë në një vorbull stereotipesh, eksperiencash e idesh të brendshme), ndaj në fund të ditës, secili të vlerëson brenda kornizës së vet e cila jo gjithmonë është ajo e duhura për ty. Ndaj pyetjes, së vetes sime fëmijë/adoleshente, se “Kujt duhet t’i pëlqej, për të gjetur formulën e suksesit?” unë tashmë them me bindje se përgjigja e duhur është: “Vetes!”. Të gjitha të tjerat, vijnë si rrjedhojë e kësaj. Vetja (qoftë e dobët, e shëndoshë, rebele, e urtë, me ose pa difekte) duhet njohur, duhet pranuar, duhet respektuar, duhet pëlqyer dhe mbi të gjitha duhet dashur, si i vetmi investim që ka përfitim të sigurt në jetë dhe si e vetmja formulë suksesi për hapa të mëtejshëm që hedh në fusha të ndryshme.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 173

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top