FB

April 5, 2023 | 9:09

Nga Edlira Çepani / Një ëndërr për reagimin që sjell ndryshim…

A e mendonte kush në kohët e skllavërisë se një ditë njerëzit do të ishin të lirë e nuk do të tregtoheshin si mall për shitblerje, thjesht sepse vinin nga një tjetër kontinent e sepse kishin një tjetër ngjyrë lëkure? A e mendonte njeri në ditën e fjalimit të tij më të famshëm, se ëndrra e Martin Luther King, për bashkëjetesë e të drejtat të barabarta, do të ishte sot një realitet?

A mendonte njeri para më pak se një shekulli se do të mund të kishim gra e vajza në krye të shteteve e të institucioneve, në kohët kur ato s’kishin as të drejtë vote? A e mendonte njeri se para pak vitesh se zhvillimi teknologjik do arrinte aty ku ka arritur sot? Shumë e shumë gjëra që sot i kemi realitet, askush nuk i besonte se do të ndodhnin, ndërkohë që ndonjë guximtar/e i ëndërronte e punonte për to. Një shprehje e famshme, thotë se botën e ndryshojnë ata njerëz që janë mjaftueshëm “të çmendur” për të besuar se kjo gjë mund të ndodhë dhe ja ku jemi sot, me realitete të një bote që nuk dukeshin aspak të mundura për ata që i ëndërronin e punonin për to, por që ndodhën, sepse pati njerëz që besuan se ndryshimi për të cilin investon, një ditë ndodh! Sa herë kthejmë sytë nga njerëzit, grupimet e ngjarjet që kanë bërë ndryshime rrënjësore në histori, gjejmë disa aspekte të përbashkëta, duke filluar nga njerëzit që besojnë se bota mund të ndryshojë.

Ky është një vizion sa naiv në dukje, aq edhe çudibërës në forcën që përcjell. Aspekti tjetër ka lidhje me njerëzit që nuk kanë pranuar të konformohen me situata, shkelje e mungesë dinjiteti, edhe atëherë kur në dukje ka qenë e pamundur që kjo gjendje të ndryshojë. Aspekti i tretë është se kushdo që e ka nisur këtë rrugëtim, ka patur këmbënguljen dhe guximin e duhur për ta çuar deri në fund, për t’i dedikuar kohën, madje dhe jetën, si dhe duke pranuar edhe kostot që vijnë bashkë me këtë. Nëse lexon mënyrën se si ngjarje të mëdha kanë ndodhur nëpër botë, kupton se ato kanë qenë po aq spontane, duke kapur momentin e duhur, aq sa edhe një investim i përditshëm në ato vlera, për të cilat thirrja mund të vijë vetëm njëherë në jetë.

Këta njerëz kanë bërë ndryshimin, jo vetëm për vete, por edhe për breza të tërë që janë frymëzuar e frymëzohen prej tyre për të mos iu nënshtruar realiteteve mbytëse, por për të kërkuar më shumë, me vetëdijen nga vetja e nga Zoti, se meritojnë më shumë. Në Shqipëri, për shkak të traumave të njëpasnjëshme, të nëpërkëmbjes, vjedhjes e abuzimeve nga më të ndryshmet ndër vite e vite me radhë, është kalcifikuar fort ideja se asgjë nuk ka shpresë për të ndryshuar, as gjendjet, as njerëzit, as vendi, asgjë. Kjo është një bindje që njerëzit e ruajnë me forcë, nga një anë si një spirancë shpëtimi për të mos guxuar të shpresojnë e më pas të zhgënjehen sërish e sërish, dhe nga ana tjetër si një spirancë konforti për të zgjedhur rrugën që në dukje është më e lehtë, atë të konformimit me këtë situatë.

E megjithatë, edhe në realitetin tonë, ka patur njerëz, grupime e modele që kanë frymëzuar e frymëzojnë ndryshim, reagim dhe dinjitet, pa dyshim me guximin e pashoq për ta bërë në një shoqëri si e jona. Të tillë ka patur dhe do të ketë gjithmonë, ndonëse nuk i lejojmë të duken nën tymnajën konformiste që na qëndron mbi koka si një re e zezë. Ndoshta nga Shqipëria jonë e vogël, apo nga jeta jonë e përditshme nuk presim të ndryshojmë botën, por nëse ndjekim modelet e atyre që mundën ta bëjnë, do arrijmë patjetër të kemi një zë, të përmirësojmë diçka, të kemi më shumë dinjitet!

Ndryshimi vjen nga veprime në dukje të vogla, por që kanë vlerë të paçmueshme, nëse bëhen me vizionin e duhur… pse jo edhe me ëndrrën e duhur!

 

 

 

 

Botuar tek Revista Psikologjia, Nr.178, muaji Prill

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top