FB

February 3, 2023 | 10:46

Nga Edlira Çepani / Po sikur…?

Thuhet se jemi unikë e nuk ka asnjë prej nesh njësoj në të gjithë botën. Kjo besoj është e vërtetë, por më duket sikur në mënyrën e të menduarit, në fund të fundit, përmblidhemi pak a shumë në dy lloje njerëzish. Ata që shohin problemet të parat, dhe ata që shohim bekimet të parat. Fatkeqësisht, ndoshta për shkak të natyrës njerëzore kemi tendencën të ndjejmë problemet të parat, të shohim gjithmonë atë që na mungon të parën, atë që na shqetëson, atë që do donim të ishte më mirë.

Edlira Çepani, juriste, aktiviste për të Drejtat e Njeriut 

 

Çdo mëngjes kemi tendencën të zgjohemi, të mendojmë menjëherë mbi gjërat që na duhet të bëjmë, të përgatitemi menjëherë për t’u përballur me ditën, por edhe të përhumbemi gjatë saj duke parë problemet dhe jo bekimet. Si do arrij ta përballoj punën/shkollën sot? S’kam për të veshur asgjë që më pëlqen. Jam shëndoshur/ dobësuar shumë. S’kam kohë të ha ushqim tani, se aty e kam edhe në darkë kur të kthehem. S’më pëlqen koha sot, shumë vapë, shumë ftohtë, shumë shi, shumë diell. Kjo rruga shtëpi-punë më ka ardhur në majë të hundës. Si do i mbaroj gjithë punët që kam? Si do ia dal deri në fund të muajit për të paguar gjithë faturat që duket sikur rriten çdo ditë? Si do arrij t’u përgjigjem të gjithë njerëzve që më kërkojnë gjëra? Pse është kaq e shëmtuar dhe e zhurmshme kjo pjesë e qytetit ku po kaloj tani? Po në trafik pse duhet të rri më orë çdo ditë? Po në supermarket pse gjej kaq pak produkte cilësore? Po ky shitësi pse u bërtet gjithë njerëzve që i shkojnë afër? Po në bankë pse kanë filluar nuk zgjidhin asnjë punë pa shpenzuar dy orë të mira kohë kot? Po fëmijët ku t’i çoj pasdite, kur s’kam afër asnjë gjë për ta… asnjë lulishte, asnjë park…?

Po nëse sëmurem në cilin spital të përplasem? Po ilaçet ku t’i ble që të jenë origjinale? Dhe të mendosh që këto janë probleme kaq të vogla… nëse hedh sytë tek hallet e të tjerëve përreth e prapë të turbullojnë ditën, javën, sjelljen! Po sikur të zgjedhim të shohim përpara bekimet? Sa herë në kohët e fundit i kemi hapur sytë me falenderim që na është dhënë një ditë jetë më shumë? Një mengjes i ri. Një ditë e re. Një ditë me shëndet të mirë (i rrallë në këto kohë). Një ditë me njerëzit e dashur pranë. Një ditë në të cilën kemi mundësi të ngrihemi, të ecim, të ushqehemi, të vishemi si duam, të takojmë njerëzit që duam (se deri para disa kohësh as nuk i takonim dot).

 

Është ditë me diell? Perfekt! Është ditë më shi? Ok, sërish perfekt. Është ditë e ftohtë? I ftohti që kemi këtu nuk krahasohet me disa vende që janë minus 6 muaj rresht, ndaj është ok, duhen dhe disa ditë të ftohta edhe pse ke për të dalë e s’rri dot ngrohtë në shtëpi. Është e vërtetë që ai shitësi në supermarket është gjithmonë i nevrikosur, por ngjitur me të është një tjetër që shet, është gjithmonë i buzëqeshur, herën tjetër zgjedhim atë. Çdo ditë tek rruga e zyrës qëllon një nënë që shëtit mbesën e saj, të dyja buzëqeshin shumë bukur, ta zbukurojnë ditën. Po një shkëputje e vogël për një kafe të shpejtë me prindërit? Bekimi më i madh i ditës është përqafimi i fëmijëve dhe i njerëzve të dashur, dhe është falas… mund ta bëjmë pafund! Përqafimi është realisht një nga ndjesitë më të bukura që ekziston.

Na duket se ditët i kemi të panumërta, se kemi mjaftueshëm ditë në jetë dhe për t ’u shqetësuar dhe për t ’iu gëzuar gjërave. Në fakt, edhe po të ishin të panumërta, sërish s ’do kish kuptim fokusimi tek problemet dhe jo tek bekimet. Thuhet se njeriu e tërheq energjinë që do, thuhet se po t ’i shohë dhe t ’i jetojë gjërat në mënyrë pozitive, është më e mundshme që t ’i ecë mbarë dhe e anasjellta, nëse i sheh me negativitet atëherë e rrit këtë vorbull mbi vete. Unë nuk di sa e vërtetë dhe e bazuar është kjo dhe realisht nuk besoj se është kaq e thjeshtë, por ajo që di është që, energjia pozitive të bën të ndjehesh mirë për momentin, kurse negativja të ngarkon edhe më shumë.

Ajo që di me siguri, është që sa herë filloj të numëroj bekimet që kam, më shfaqen para syve aq shumë të tjera të marra për të mirëqëna. Ajo që di me siguri është që, sa më shumë zgjedh të shoh bekimet, aq më shumë zbuloj se kam kaq shumë bekime të cilat më duhet t ’i shoh, t ’u jap prioritet, të investoj tek to dhe mbi të gjitha t ’i shijoj siç duhet.

 

 

 

 

Botuar tek Revista Psikologjia, Nr176, muaji Shkurt

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top